Albanian Arabic Bulgarian Croatian English French German Greek Italian Japanese Macedonian Norwegian Portuguese Serbian Slovenian Swedish Turkish
Gabim
  • JUser: :_load: S'mundi me ngarkue përdoruesin me ID: 45

Përkujdesja e fesë islame për arsimimin e femrës

Në fokus të fesë islame ka qenë dhe mbetet vlera e kërkimit të diturisë, kështu që në emër të saj janë paralajmëruar begrande të shumta. Konsideroj se nuk e teprojmë kur themi se nuk ka libër hyjnor dhe as mendim shkencor që ta ketë favorizuar femrën për t’u pajisur me dije më tepër se sa Kur'ani dhe Syneti. E them këtë duke pasur parasysh se çfarë degradimi i bëhet femrës në fe apo zakone të tjera. Sipas mësimeve të Judaizmit, femra nuk kishte të drejtë ta mësonte librin e shenjte hebraik Toran, e, nëse dikush do ta bënte këtë, konsiderohej sikur t’i mësonte asaj prostitucionin, ndërsa predikuesit kishtarë ia ndalonin asaj të fliste në kishë, praktikisht të shprehte kërkesat dhe ankesat e saj.(1) Këtë të padrejtë ia bëri femrës në trojet tona edhe e drejta zakonore-kanunore. Kurse në historinë islame është shumë i njohur rasti kur Mus'hafi' i parë i shkruar iu dorëzua një femre, Hafsës-nënës së besimtarëve- së bijës së Omerit r.a.. Kjo është krenaria e Ymetit islam, le të thonë ç’të duan te tjerët!.
Më tepër se mbi një mijë versete kuranore flasin rreth vlerës së diturisë, inkurajojnë kërkimin e saj, tregojnë pozitën e dijetarëve; disa versete akuzojnë ata-ato që nuk shfrytëzojnë logjiken e tyre për t’u pajisur me dije e meditim rreth asaj që është në shërbim të njeriut etj.. E veçanta e këtyre citateve është se në to përdorët terminologjia në shumës, duke mos bërë dallime në mes mashkullit dhe femrës. (2)
Mjafton të rikujtojmë që mesazhi i parë hyjnor në Librin e fundit ishte pikërisht urdhër për t’u pajisur me dije, siç thotë i Madhërishmi:"Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)"(El Alak 1). E më pas, duke inkurajuar Pejgamberin e Tij a.s., që të kërkonte nga Zoti shtimin e diturisë: „Zoti im, më shto dituri" (Ta Ha, 114), e sikur të kishte diçka më të rëndësishme sesa dituria, do ta kërkonte i dërguari i Tij a.s. shtimin e saj. Kurse për dijetarë të sinqertë Allahu ka përgatitur shpërblime ekskluzive duke i privilegjuar me pozita të larta tek Ai, (shih: Muxhadele 11), mjafton që i ka bërë pjesëtarë me ata që luftojnë në rrugën e Allahut (shih: Et-Tevbe 122) si dhe trashëgimtarë të pejgambëreve. Po ashtu kërkimit të diturisë për të dy gjinitë i kane dhënë jehone të madhe edhe thëniet e Muhamedit a. s., ndër to edhe kjo thënie: ''Kërkimi i diturisë është i domosdoshëm për çdo mysliman" (Ebu Davudi-224/hadith i sakte). Koncepti mysliman në hadith përmbledh si meshkujt ashtu edhe femrat, me pëlqimin e të gjithë dijetarëve, gjithashtu vërteton obligimin e të kërkuarit të diturisë dhe kërkimi i diturisë është sinjal që Allahu atij-asaj ia do të mirën.
Që nga koha kur pjesa dërrmuese e botës përballeshin me errësirën e injorancës, feja islame bëri zgjidhje edhe për femrën në këtë drejtim duke i dhënë të drejtën e barabartë për t'u pajisur me dije si dhe mashkullit, në sfera të ndryshme fetare shkencore, sociale, kulturore etj.. Nëse i bëjmë një studim historiografik periudhës profetike dhe të bashkëkohësve të Muhamedit a. s., gjejmë se edhe femrat ishin pjesëtarë në nxënien e dijes dhe shpërndarjen e saj. Për shkak të interesimit të madh të femrave myslimane për t'u pajisur me dituri, kërkuan nga Pejgamberi a.s. që enkas për to të caktonte një ditë për t'i mësuar (sidomos çështje që kanë të bëjnë me femrat dhe intimitetin e tyre) (Shih: Fef'hul bari hadith). Femra myslimane kishte te drejtën për te pyetur Pejgamberin a.s. rreth çështjeve që i interesonin asaj; jo rrallë zbrisnin edhe citate kuranore sipas kërkesave dhe ankesave të saj. (Shih: El Muxhadele 1).

Të shumta ishin gratë që u shquan për dituritë e tyre të rralla gjatë shekujve të artë dhe më pastaj, në mesin e të cilave ishin gratë e Pejgamberit a. s. –nënat e besimtareve, si: Ajshja, e bija e Ebu Bekrit r.a., e cila radhitej në mesin e shtatë transmetuesve më të njohur (me 22 hadithe), e njohur për mençurinë dhe mprehtësinë e saj, nga e cila morën dije shumë burra dhe gra mbas vdekjes së Pejgamberit a. s. dhe thoshte për gratë e ensarëve: "Sa gra të mira janë gratë e ensarëve, (edhe pse ishin të turpshme), turpi nuk i ndaloi ato që të pajiseshin me dije"(4).
Ndërkaq, Ebu Musa el-Eshari r. a. thotë: "Sa herë që ne bashkëkohësit e Muhamedit a. s. hasnim në ndonjë paqartësi, për te e pyesnim Ajshen dhe gjithnjë tek ajo gjenim zgjidhjen". (Termidhiu-3838/ hadith i sakte)
Te shquara për dituri ishin edhe gratë tjera të Pejgamberit a. s., si Umu Seleme etj.. Kishte të tilla që luanin rolin e këshilltareve, ku përfillej mendimi i tyre edhe në praninë e Pejgamberit a. s., siç është fjala për Umul Fadl, derisa ata që ishin me Muhamedin a. s. në Arafat polemizonin rreth agjërimit të tij, nëse ishte agjërueshëm apo jo. Umul Fadl, për ta vërtetuar këtë i ofroi Pejgamberit a. s. një gotë qumësht, që e piu Muhamedi a. s. Dhe konfirmoi se nuk ishte agjërueshëm. Ky rast tregon për mprehtësinë e saj r.a., si dhe përfilljen e mendimit të saj nga ana e Muhamedit a. s.. Disa prej tyre u shquan për arsimimin e femrave, u mësonin atyre shkrim e leximin, si Shifa b-Abdullah, por kishte të tilla që posedonin edhe dije shkencore, si në mjekësi, sikurse ishte rasti i Fatimes. r.a., bijës së Muhamedit a. s., kur u plagos Muhamedi a. s. në betejën e Uhudit, iu thyen dhëmballët dhe kishte gjakrrjedhje, Fatimja i beri ekzaminim nga hasra me djegie dhe i pushoi gjakrrjedhja. (Shih: Buhariu 5722). Sipas kësaj praktike veproi më pastaj edhe mjekësia.
Myslimanët, që nga e kaluara e hershme, ishin të vëmendshëm në arsimimin e femrave, për faktin se ato janë edukatore në familje dhe shoqëri. Edhe në gjenerata të mëvonshme kërkimi i diturisë nga femrat myslimane ishte parim jetësor për t'u aftësuar dhe për të ngritur vetëdijen e tyre e të shoqërisë, kështu që, për hir të etjes se madhe për t'u pajisur me dije, pati prej tyre që kërkuan për dhuratë martese - mehër që burri i saj ta pajiste me dije nga ajo që dispononte ai, siç ishte rasti edhe me fekihen Fatime, bijën e dijetarit të mirënjohur të shkollës juridike hanefite – Alaudin es-Samerkandi, autori i librit "Tuhfetelfukaha", të cilin e memorizoi e bija e tij, kurse Alaudin el Kasaniu përpiloi librin "Kitabul bedai'a", qe ishte koment i tuhfes, e për ta shpërblyer mundin e tij, atë ia beri dhurate martese me vajzën e tij, e te tjerët, lidhur me këtë, thane: "E komentoi librin e tij-tuhfen dhe ia dha të bijën"(5).
Historia islame është e shndritur me dijetare të njohura nga femrat gjatë shekujve, të cilat lanë gjurmë të pashlyera në shoqërinë myslimane, ndër të cilat mund të theksojmë edhe: Umer b-Amburrahman b-Sad b-Zurare, që ishte nga nxënëset e Ajshes. r.a., e shquar në fusha të ndryshme; për të Omer b- Abdulazizi tha: "Nuk ka mbetur askush më e ditur se Umre në hadithet e Ajshes".(6)
Po ashtu ishte dijetare e njohur në kohën e tabiineve edhe Hafsa b-Sirin um el-Hudhejl, e shume juriste islame, hadithologe, tefsirologe, pedagoge, mjeke e të tjera, që nuk na premton hapësirë për të përmendur emrat e tyre, nga të cilat dolën dijetare të famshme.
Po ashtu edhe Imam Buhariu në koleksionin e tij të saktë (që konsiderohet libri më i saktë pas Kur'anit) përpiloi kapituj të veçante për arsimimin e femrës - "Kapitullin mbi këshillën e Imamit- udhëheqësit drejtuar femrave dhe arsimimi i tyre", që aludon për përkujdesjen e Islamit për shkollimin e femrave (7).
Nga kjo themi se prej veçorive të ligjeve islame konsiderohet edhe sigurimi i rendit në shoqëri dhe mbrojtja e të drejtave të barabarta për të gjithë njerëzit pa dallim race, gjinie apo konfesioni fetar, duke mbështetur në mënyrë të veçantë aspektin intelektual. Ish-sistemi monist në vendin tonë, me theks të veçantë gjatë viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, ka luajtur një rol destruktiv në këtë drejtim, duke drejtuar akuza ndaj Islamit dhe predikuesve të tij në trojet shqiptare, me pretekstin se feja islame nuk lejon shkollimin e femrës. Ky ishte nga spekulimet dhe shpifjet e shumta të atij sistemi karshi Islamit, por edhe ndaj vetë shqiptarëve, pasi që janë me shumicë absolute pjesëtarë të kësaj feje, sa kohë që akuzën ndaj asaj shpifjeje e mohon tërë ajo që thamë më lartë.
E tërë kjo që u theksua më sipër, vë në pah përkushtimin e fesë islame për t'i arsimuar femrat tek të gjitha grupmoshat, për faktin se edhe femrat si dhe meshkujt në Islam janë të obliguara qe t'i kryejnë ritet fetare. Thotë Ibn Hazmi: "Është obligim për çdo mysliman mendërisht i shëndoshë, i moshës madhore, mashkull apo femër, t'i dijë obligimet e namazit të tij, agjërimit, pastërtisë, të dijes çfarë i lejohet e çfarë i ndalohet, çështje që nuk bën t'i injorojë askush nga njerëzit. Për udhëheqësin është detyrë që të bëjë presion te burrat dhe zotërinjtë, që t'i arsimojnë ata vetë gratë e tyre, ose t’i dërgojnë qe t'i mësojnë të tjerët. Ky është obligim për udhëheqësin që të veproje kësisoj me njerëzit." (8).
Përkushtimi i fesë islame për t'i arsimuar femrat që para katërmbëdhjetë shekujsh, është edhe një nga segmentet e barazisë në mes meshkujve dhe femrave në Islam, duke ecur me rregullin që ka promovuar vula e pejgambereve - Muhamedi a. s.: "Gratë janë motra të burrave".
Për segmente të tjera të barazisë gjinore, do të flasim në shkrime në vijim, me lejen e Allahut.



1. Grup autoresh, Femra nën Mbrojtjen e islamit Prishtinë 2002, f. 81.
2. Dr. Muhamed Beltagji. Mekanetul mer'ti fil Kurani elkerim ve suneli es-sahih. Dar es-selam, b 1 -1420h 2000, f. 322.
3. Ndërsa në hadithin të cilin transmeton Ebu Hurejre ka thënë' Pejgamberi a.s. "... shtoma diturinë... " Ebu Davudi/251 (Hadith i vërtetë).
4. Fet'hul bri vl, f. 229, darul mearif.
5. Dr. Mustafa Sibai, elmertu bejne elfikhi velkanun, daru es-selam, f. 111,
6. Shemsudin Muhamed bin Ahmed bin Uthman edh-Dhehebi, sijer ealam en-nubela, bl-1401h 1988, mueseset err-rrisale, v4, f. 507.
7. Iben Haxher, Fef'hul bari bisherh sahih elBuhari, v1, f. 192. Darul mearif.
8. Ebu Muhamed Alij bin Ahmed bin Said bin Hazm, El Ihkam fi usul elahkam, v2, f. 116, pa shtëpi botuese.


Mr. Sadat Rrustemi

Read 4888 times Last modified on E diel, 01 Dhetor 2013 18:23
Published in Gruaja ne Islam
Rate this item
(0 votes)

Login to post comments

Reklama e juaj