Albanian Arabic Bulgarian Croatian English French German Greek Italian Japanese Macedonian Norwegian Portuguese Serbian Slovenian Swedish Turkish

Gruaja, model në familje dhe në shoqëri

Diamanti! Sa gur i çmuar.

Gruaja nuk është gjë tjetër veçse një gur i çmuar dhe pjesë e denjë e një shoqërie bashkëkohore. Si një margaritar me elegancën, brishtësinë, hijeshinë dhe bukurinë e saj, që e karakterizon, ajo i jep këtij vargu të pambarimtë rrezatimesh dritën e vërtetë. Atë dritë për të cilën gjithkush ka nevojë dhe pa të cilën askush s’do të mund të ecte përpara.

Është ajo pra, nëna e dashur, që me butësinë, përkëdheljet dhe përkujdesjen e saj na ndihmon të ecim vetë përpara.
Është motra e dhimbsur, që me zgjuarsi dhe shkathtësi na qëndron në krah në çdo rast.
Është mësuesja e palodhur që me durim na “fut” nëpër rrugicat e ngushta të jetës, që të njohim detaje, e na “nxjerr” në rrugën e madhe të saj plot dritë.

Është pra, shoqja besnike e jetës, që me virtyte të larta të kultivuara nëpër dekada e të trashëguara brez pas brezi na jep dorën tek e cila mund të mbështetemi, të gjejmë forcë dhe besim, nga ku presim të përfitojë jo vetëm familja e ngushtë, por edhe gjithë shoqëria dhe komuniteti.
Pra, gruaja është ura lidhëse e të gjitha shoqërive dhe çelësi i sekretit të mbarëvajtjes së tyre.
Si çdo pjesë e shoqërisë edhe ajo ka të drejta të merituara e të dhëna nga Krijuesi i saj. Ato nuk janë bamirësi apo mëshirë të dhuruara nga ndokush, por janë të drejta të barabarta për të gjithë: pa dallim race apo ngjyre, shoqërie të pasur apo të varfër, një gruaje që jeton në kasolle apo një tjetre që jeton në ndërtesë shumëkatëshe. Ato janë po aq thelbësore e të rëndësishme, sikundër është e drejta e pamohueshme për të jetuar, e cila “udhëton” në të njëjtin vagon me këto të drejta të tjera legjitime të ngritura mbi parimet dhe ligjet e jetës njerëzore, të cilat asnjë individ nuk guxon t’i ndryshojë apo shfuqizojë.
Funksioni i nënës me të gjitha specifikat, vlerat dhe peripecitë e saj është thelbi i misionit të gruas. Dhe kjo e bën atë që të ketë ndryshim nga burri.
Megjithatë, kjo kurrsesi nuk duhet të ngatërrohet me civilizimet e vjetra, të cilët e patën shkelur prestigjin e gruas, e patën ulur vlerën e saj, e patën konsideruar atë ”mall” pa vlerë, madje akoma më keq emancipimi i tyre “i ndryshkur”, i cili i konsideronte vajzat kur lindnin, si mjerim dhe i varrosnin ato të gjalla.
Por, Stop! Jemi realisht shumë larg asaj kohe dhe atij mentaliteti. Në fakt, fillimi i nderimit të njeriut është pikënisja e vërtetë dhe reale drejt ndërtimit të një civilizimi të drejtë dhe permanent njerëzor. Është thënë: “Shkollat e femrave janë bebëzat e syve të mi.”
Nuk ka se si të mos komentohet e të mos përkthehet ndryshe kjo shprehje kuptimplote, që pasqyron se sa ndikim ka gruaja në realitetin e gjerë shoqëror si formuese e brezave.
Në suazën e nevojës së shoqërisë, gruaja ka mundësi t’i kryejë të gjitha punët që nuk e kundërshtojnë rolin e saj, përkundrazi, janë në harmoni të plotë me natyrën e saj dhe ajo ka mundësi t’i kryejë të gjitha këto duke mbrojtur vlerën, nderin dhe prestigjin e saj, duke u identifikuar si njeri me personalitet dhe virtyte të larta njerëzore.
Gruaja, falë aftësive dhe cilësive që Zoti i ka falur, merr përsipër, sikundër edhe burri, përgjegjësi të mëdha e fisnike për mbarëvajtjen e familjes e të shoqërisë. Ajo nuk i mohon vetes së saj të drejtën e arsimimit dhe punësimit qoftë edhe në fusha të rëndësishme e delikate, dhe pjesëmarrjen e saj në aktivitete politike e shoqërore për të kontribuar dhe për të realizuar qëllimin e saj fisnik si rregullatore e shoqërisë, për t’i dhënë vitalitet dhe domethënie jetës.
E ku nuk e gjen sot gruan e së bashku me të dhe rolin e çmuar e të pazëvendësueshëm që ajo posedon. E gjen në arsim, për të përgatitur brezat e rinj të së ardhmes. E gjen në drejtësi, për të vlerësuar drejt dhe për t’i dhënë kësaj fushe peshën që i takon. E gjen në politikë, duke hartuar programe që çrrënjosin dhe shkulin nga themelet mentalitetet e mykura e të ndryshkura të kohërave, për të dhënë vlera të veçanta e të pashoqe në jetën politike e shoqërore, duke kultivuar kështu ide të reja për një shoqëri bashkëkohore. Atë e gjen në mjekësi, duke kontribuar me ndihmën e saj jo vetëm fizike, por edhe shkencore në këtë fushë, për t’u përkujdesur për atë pjesë të shoqërisë që në momente të caktuara është e paaftë për një mijë e një arsye, e për ta rimëkëmbur e fuqizuar që të bëhet e aftë për një të nesërme më të mirë. E gjen në hapësirë si një astronaute e zonja dhe guximtare, që nuk stepet e as nuk thyhet para çdo të panjohure, sado e largët qoftë ajo.
Shikoni pra, sa simbol gjithëpërfshirës është gruaja.
Ajo është e kudondodhur në çdo skaj të globit e në të gjitha sferat e jetës, në çdo hapësirë e në çdo skaj kohor, pa mbi të gjitha të mirën që mbizotëron tek ajo.
Gruaja është ngritur në majat më të larta të përkushtimit e devocionit që nga zanafilla e jetës, sepse pikërisht Zoti ia ka besuar kësaj qenieje madhështinë e jetës që në etapat e para, ia ka obliguar që në trupin e saj ndërtimin e qelizës bazë të familjes, fetusin, i cili kur formësohet në trajtën e tij të plotë e kur del në dritë bëhet nyja lidhëse për një familje të plotësuar.
Përpos kësaj, Zoti e ka ngritur lart inteligjencën, durimin dhe botëkuptimin e saj kur i caktoi rolin e edukatores së brezit të ri, që do të bëjë “projekte” të mëdha për mirëmbajtjen e “tullave” të shoqërisë.
Pra gruaja që në bërthamën e shoqërisë, që është familja, ka detyra sa të vështira aq edhe fisnike, sa delikate aq edhe largpamëse, sepse të inspirosh një brez të ri nuk do të thotë pak, por marrja në dorë e “frenave” të emancipimit, civilizimit, modernizimit dhe kulturës e dijes së një populli.
Sa shumë funksione në një dorë të vetme, sa shumë detyra në një mendje të vetme, sa shumë obligime në një qenie të vetme. E kjo do të thotë që kjo qenie ka aftësi, mundësi dhe probabilitet.
Gruaja arriti në piedestalet më të larta denjësisht, e kjo nuk qe rastësi e as puhizë e lehtë kaluese, por rezultat i barazisë së saj me burrin në përkatësinë njerëzore, role e detyra.
E megjithatë, ajo nuk ka vetëm detyra e obligime. Ajo ka pasione, dëshira dhe ëndrra, e mbi të gjitha ka një personalitet mbi të cilin “skaliten” bukur, drejtë dhe natyrshëm të gjitha pjesët përbërëse të saj.
A mos vallë është mëkat ta quash gruan model?
Kurrsesi, jo.
Mëkat mbase do të quhej sikur ta vendosje atë në korniza të vjetra, në një qoshe të kësaj galerie të madhe arti, kryevepra e së cilës është njeriu, e aty të mbytej prej pluhurit të harresës e mosmirënjohjes. Mëkat mbase do të kishte emrin ai vlerësim që nuk e konsideron gruan si pasqyrë të së tashmes e model frymëzues plot ngjyra e fantazi të së ardhmes.
Zoti e krijoi njeriun si mëkëmbësin e Vet në Tokë e gruan si vendprehje e qetësie të bashkëshortit të saj e, rrjedhimisht si simbolin e paqes për familjen e mbarë njerëzimin.
Kjo nuk është një hiperbolë e tepruar dhe e pabazë, por një krenari e merituar që mbështillet anekënd nga dëliri i madhështisë. Nuk është sakrificë të ruash pozitën që të është dhënë, por sakrificë është ta rigjesh atë pasi e ke humbur. Prandaj sot është e nevojshme që atë të mos e humbasim e mbi të gjitha të mos e përbuzim, por t’i japim vendin që meriton.



Valmira Demaj

Read 1338 times
Published in Gruaja ne Islam
Rate this item
(0 votes)
Login to post comments

Reklama e juaj