Albanian Arabic Bulgarian Croatian English French German Greek Italian Japanese Macedonian Norwegian Portuguese Serbian Slovenian Swedish Turkish

Kurani - shkrimi, gjuha dhe përkthimet e para

Shkrimi arab është zhvilluar nga shkrimi nabatej. Nën ndikimin e shkrimit sinajian është formuar shkrimi kursiv, ku shumica e shkronjave lidhen njëra me tjetrën. Dy lloj tipash të shkrimit arab janë si kryesorë: shkrimi kufian dhe ai nes’h. Shkrimi kufian, emëruar sipas qytetit Kufe, i cili gjendet në Irakun Jugor, është shkrim monumental dhe këndor.


Me këtë shkrim janë shkruar Mus’hafet për plotë katër shekuj me radhë. Në periudhën abaside u degëzua në më shumë se pesëdhjetë variante, në mesin e të cilave më të njohurit janë: shkrimi mukarrer, mushexh-xher, murebbe’a, mudevver dhe muteddehil. Ky shkrim vazhdoi të përdorej deri në shek. 10 H. / 16 M., pas të cilit u zhduk tërësisht. Në kohën e re, ky shkrim ka filluar të ringjallet dhe të përdoret në arkitekturë.
Shkrimi nes’h, në dallim nga ai kufian, është më kursiv dhe më i rrumbullakët. U zhvillua në Egjipt dhe, duke qenë larg ndikimit të gjuhës siriane, paraqitet si i vetmi trashëgimtar i shkrimit nabatejan. Është përdorur, gjithashtu, për shkrimin e mus’hafeve, dokumenteve zyrtare si dhe në monedha. Me kombinimin e këtyre dy tipave kryesorë të shkrimit arab, Kutbe Ibn El-Mularrir, aty nga fundi i dinastisë Emevite shpiku një formë të re të shkrimit të quajtur “xhelil”. Diversiteti i këtij shkrimi mund të vërehet edhe në shembuj të shumtë të realizuar në mure të xhamive, shkollave dhe objekteve të tjera në qytetin e Kajros. Pas shkrimit xhelil, po i njëjti kaligraf, krijoi edhe shkrimin “tumar”, i cili, për nga forma, është më i imët se shkrimi xhelil, dhe me anë të tij janë shkruar emrat e sulltanëve në fermanë dhe dekrete.
Në periudhën abaside, Ibrahim Esh-Shexher, zbuloi shkrimin “sulus” - varianti i ri i shkrimit tumar, kurse vëllai i tij zbuloi shkrimin “tevki” – njëri nga variantet e shkrimit xhelil. Pas këtyre, Ebu Ali Muhamed in Mukle, kaligrafisti më i madh në historinë e kaligrafisë arabe, shkrimit nes’h, xhelil dhe varianteve të tjera, u dha formën përfundimtare gjeometrike. Dhe kështu, në këtë trajtë e formë, që të dy shkrimet, arritën edhe në viset perëndimore arabe (Magreb). Në Persi dhe Azi është përdorur shkrimi i quajtur “farisi”, ndërsa në Turqi shkrimet rik’a, divani, ixhaz dhe tugra. Ishte
pikërisht kaligrafisti më i njohur turk, Osman Ibn Ali, ai që disa sulltanëve turq ua mësonte kaligrafinë e shkrimit arab. Arabët perëndimorë dhe në Andaluzi, kryesisht iu përmbajtën shkrimit nes’h, me disa ndryshime dhe plotësime të vogla, dhe kjo ka vazhduar, që nga paraqitja e deri në ditët e sotme.

Gjuha

Kurani është shpallur në gjuhën e pastër arabe, sipas dialektit të fisit Kurejsh. Stili i Kuranit është i paarritshëm. Pati shumë prej atyre që u munduan të bënin diçka të ngjashme si Kurani, mirëpo pikërisht këtu e treguan dobësinë e tyre. Disa të tjerë gjurmuan për të gjetur ndonjë proverb apo ndonjë fjalë të urtë arabe dhe atë ta krahasonin me ndonjë citat të Kuranit që sipas tyre do të kishte kuptim të njëjtë me të.Ata gjetën se proverbi arab “El-katlu enfa lil katli - “Mbytja më së tepërmi pengon mbytjen” - ka domethënie të njëjtë me ajetin kuranor: “Fil kisasi hajatin”, pra kuptimi është jeta. Megjithatë, shumë filozofë kanë nënvizuar mbi njëzet pika, ku tregohet superioriteti i ajetit uranor ndaj proverbit, p.sh. Ajeti është më i shkurtër, sepse përbëhet prej tri fjalësh, kurse proverbi prej katër fjalësh;Në ajet theksohet jeta, kurse te proverbi mbytja; dhe te proverbi përsëritet fjala mbytje, kurse tek ajeti kuranor nuk përsëritet asnjë fjalë, etj.. Krahas dialektit kurejshit, në Kuran hasim edhe dialekte të tjera, siç janë: dialektet e fiseve Hudhejl, Ajlan, Xhurhum, Kinan, dhe të fiseve të tjera arabe, që në atë kohë jetonin në hapësirat e Gadishullit Arabik. Zemahsheriu, Sujutiu, dhe komentatorë të tjerë të Kuranit Fisnik përmendin rreth 45 dialekte të ndryshme lokale, të cilat mund hasen në Kuran. Vetëm dialekti Hudhejl në Kuran haset në më shumë se 46 vende.

Përkthimet

Islami, jo shumë gjatë pas shpalljes së Kuranit, me një shpejtësi të madhe u përhap edhe te popujt e tjerë lindorë. Dhe, pasi ata nuk e njihnin gjuhën arabe, lindi nevoja e përkthimit të pjesëve të Kuranit në gjuhën perse dhe në gjuhë të tjera të Lindjes. Gjuha perse është gjuha e parë e huaj në të cilën, qysh herët, u përkthye Kurani.
Imam Ebu Hanife dhe juristë të tjerë të kësaj shkolle konsiderojnë që ka mundësi të bëhet leximi i sureve të përkthyera kuranore në namaz, kurse juristët e shkollës shafite dhe hambelite, një gjë të këtillë e refuzojnë në mënyrë kategorike. Një gjuhë tjetër e Lindjes, në të cilën u përkthye Kurani, është gjuha hebraike. Sipas Enciklopedisë Hebraike, në bibliotekën e Oxfordit Bodelian në Angli, gjenden pjesë të Kuranit të përkthyera në gjuhën hebraike, që datojnë nga viti 1634 i erës sonë. Kurani, si përkthim i plotë në gjuhën hebraike, është përkthyer nga latinishtja. Përkthyes ka qenë Jakub b. Israil Haham Zante. Pas tij kemi përkthimin e Hermann Reekendorfit, botuar më 1857 në Lajpcig.
Krahas përkthimeve në gjuhën persiane, siriane dhe hebraike, Kurani u përkthye edhe në gjuhën urdu. Si përkthimi më i vjetër i Kuranit në këtë gjuhë, konsiderohet të jetë përkthimi i Abdulkadir ibn Shah Velijjullahut. Ky përkthim është botuar më 1790 në Delhi, dhe, së bashku me origjinalin në gjuhën arabe, ka pasur disa ribotime. Përkthyesi tjetër i Fjalës së Allahut në gjuhën urdu, ishte Imadudin Amritsar. Përkthimi i tij i Kuranit u botua më 1315 H., në Allahabad, i titulluar “El-Kur’anu-l-kerim”, me përkthim në gjuhën perse dhe urde. Në gjuhën indoneziane, Kurani u përkthye, së bashku me Komentin e Bejdaviut, më 1913. Përkthyesi veten e konsideronte si një shërbyes të sulltanit turk.
Ndërsa në gjuhën bengale, Kurani u përkthye në tërësi më 1908 nga një përkthyes evropian, i cili quhej Uiliam Glud Sak. Me përkthimin e Kuranit në gjuhën turke takohemi qysh në fillim të shekullit XX. Sulltan Abdylhamidi II ishte kundër përkthimit të Kuranit në gjuhën turke. Përkthim i parë në këtë gjuhë doli pas Revolucionit të Xhonturqve më 1908. Përkthyes qe Ibrahim Hilmi. Pas këtij, përkthimin e Kuranit në gjuhën turke e filloi Selim Sabit, dhe ai botohej në revistën “Islam-mexhmuasi”.
Prof. Dr. Jusuf Ramiç


“Preporod - 30 godina” (izbor testova 1970 – 2000), El-Kalem,
Sarajevë, 1421 H. / 2000.
Përktheu: Mehas Alija

Read 4069 times Last modified on E enjte, 05 Dhetor 2013 23:03
Published in Kuran
Rate this item
(0 votes)
More in this category: Dua Lutjet »
Login to post comments

Reklama e juaj