Albanian Arabic Bulgarian Croatian English French German Greek Italian Japanese Macedonian Norwegian Portuguese Serbian Slovenian Swedish Turkish

Komentimi i kaptinës – “El-Maun”

1. A e njeh atë që përgënjeshtron (mohon) Llogarinë (e Ditës së Gjykimit)?
2. E pra (dije se) ai është, që (me vrazhdësi) e dëbon jetimin
3. dhe nuk nxit (të tjerët) për ta ushqyer të varfrin.
4. Pra, mjerë për ata falës,
5. të cilët janë të shkujdesur (harrestar), për namazin e tyre,
6. e që shtiren (sa për sy e faqe para botës),
7. dhe nuk japin ndihmë rasti (apo hua as gjërat më të nevojshme jetësore)!”
(El-Maun, 1-7)

Kaptina “El-Maun” është kaptinë mekase-medinase, ka gjithsej 7 ajete, 25 fjalw dhe 125 shkronja . Ka zbritur para sures “El-Kafirune” dhe pas sures “Et-Tekathur”. Nw radhitjen e Mus’afit mban numrin 107, kurse nw radhitjen e zbritjes, sipas atyre qw e konsiderojnë sure mekase wshtw e 17-ta.
Kjo kaptinë konsiderohet mekase sipas mendimit të Ataut, Xhabirit, dhe Ibn Abasit, nga i cili transmeton Ibn Merduvije të ketë thënë se kaptina “E re-ejte ledhi jukedh-dhibu bi-d-din” , ka zbritur në Mekë. Të njëjtin transmetim Ibn Merduvije e transmeton edhe nga Ibn Zubejri, kurse Katadeja dhe të tjerët janë të mendimit se kjo kaptinë ka zbritur në Medinë
Mirëpo, sa i përket faktit nëse kjo sure është mekase a medinase, Hibetullahu dhe Sejjid Kutbi konsiderojnë se tri ajetet e para të kësaj kaptine kanë zbritur në Mekë, kurse katër të fundit në Medinë, dhe ky është mendimi më i saktë, do të thotë kaptina si tërësi konsiderohet kaptinë mekaso-medinase. Të njëjtin mendim e shpreh edhe mufessiri bashkëkohor, Ebu Bekr el Xhezairij. , mendimin e të cilëve e përkrahim edhe ne.

Emërtimi i kësaj kaptine

Kjo kaptinë në mesin e komentatorëve të Kur’anit njihet me disa emra: “El Maun”, “Ed-Din” dhe “El-Jetim”.
Është quajtur “El-Maun”, sepse në fund të kësaj kaptine, Allahu xh.sh. kërcënon ata që nuk japin madje as si hua gjësendin më të vogël për fqinjin e vet nevojtar. Kjo nga dijetarët konsiderohet si huazim i disa gjërave elementare, si kripa, mielli, pastaj kova për nxjerrjen e ujit, mjetet për mbjelljen dhe lëvrimin e tokës, huazimi i sëpatës, i gjilpërës, i penjve etj.
Ndërsa është quajtur me emrin “Ed-Din”, për arsye se qysh në ajetin e parë flitet për atë që mohon dhe përgënjeshtron llogarinë në Ahiret-shpërblimin ose ndëshkimin.
Kurse me emrin “El-Jetim” është quajtur, sepse në ajetin e dytë flitet për sjelljen e vrazhdët dhe plot arrogancë të mekasve ndaj jetimëve në përgjithësi.

Shkaku i zbritjes së kësaj kaptine

Sipas Ibn Abbasit, ajeti i parë i kësaj kaptine ka zbritur për As bin Vail es-Sehmiun. Es-Suddiu mendon se ky ajet ka zbritur për Velid bin Mugiren, kurse Ibn Xhurejxhi pohon se kjo kaptinë ka zbritur për Ebu Sufjan bin Harbiun .
Në anën tjetër, është cekur se tri ajetet e para të kaptinës që konsiderohen ajete mekase, kanë zbritur për As bin Vail es-Sehmiun, kurse katër ajetet e fundit, që konsiderohen ajete medinase , kanë zbritur për hipokritin Abdullah ibn Ebi Selul.

Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “Kurejsh”

Në mes kaptinës “El-Maun” dhe asaj paraprake “Kurejsh”, ekziston një lidhmëri e fortë në mes ajeteve.
Ndër të tjera, Imam Sujutiu përmend lidhmërinë kuptimore në mes ajetit të 4-t të kaptinës “Kurejsh”: “El-Ledhi at’amehum min xhu’in…”-“i Cili i ushqeu kur ishin në skamje-uri…”, me ajetin e 3-të të kaptinës “El-Maun”: “Ve la jehuddu ala ta-amil miskin”-“ dhe nuk nxit (të tjerët) për ta ushqyer të varfrin”, kurse një lidhmëri po ashtu shumë e logjikshme, sipas tij, është ndërmjet ajetit të 3-të të kaptinës “Kurejsh”: “Fel-ja’buduu rabbe hadhel bejt”-“ atëherë pra, le ta adhurojnë (vetëm) Zotin e kësaj Shtëpie (Qabesë),” me ajetin e 5-të të kaptinës “El-Maun” :“El ledhine hum an salatihim sahun”-“ të cilët janë të shkujdesur (harrestar), për namazin e tyre”, në të cilin ajet u tërhiqet vërejtja atyre që nuk e falin namazin në kohën e vet të caktuar , dhe e vonojnë atë pa ndonjë arsye, po edhe që, kur e falin namazin, nuk e falin për Zotin, por vetëm shtiren sa për sy e faqe. Ky grup njerëzish janë vetë hipokritët, vendi i të cilëve do të jetë shkalla më e ulët në Xhehenem.

Koment:
أَرَأَيْتَ الَّذِي يُكَذِّبُ بِالدِّين ِ
1. A e njeh atë që përgënjeshtron (mohon) Llogarinë (e Ditës së Gjykimit)?
Kjo kaptinë përmban disa elemente edukuese, lidhur me sjelljet ndërnjerëzore.
Nuk është aspak e rastit që Allahu xh.sh. në fillim të kësaj kaptine i drejtohet Muhamedit a.s. me këto fjalë: “A e njeh atë që përgënjeshtron (mohon) Llogarinë (e Ditës së Gjykimit)?”, sepse i Plotfuqishmi dëshiron të vërë në dijeni të dërguarin e Tij për cilësitë e pabesimtarëve po edhe të hipokritëve-dyfytyrëshave, të atyre që nuk besojnë në Ditën e Llogarisë (të shpërblimit a të ndëshkimit), të cilët nuk besojnë fare as në ringjalljen dhe ballafaqimin me veprat e tyre të shëmtuara.
Fjala “E re-ejte” ka kuptimin: a e dite, a e njohte, a e vërejte ose a u informove për realitetin e shëmtuar të atij që përgënjeshtron çështjen e Llogarisë?
Kurse fjala ”Din” në Kur’an ka ardhur me disa kuptime. P.sh. ka ardhur me kuptimin për fenë si p.sh. “La ikrahe fi-d-din”-“Në fe nuk ka dhunë”, (El-Bekare, 256), kurse me kuptim të drejtpërdrejtë për Islamin ka ardhur në ajetin 33 të kaptinës “Et-Tevbe”: “huve ledhi ersele resulehu bil huda ve dinil hakki…”-“Ai (Allahu) është që dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë dhe fe të vërtetë…”, ose në kaptinën “Er-Rrum”, 30: “dhalike-d-dinul kajjimu”-“Kjo është feja e drejtë.”
Ndërsa fjala “Din” në ajetin e parë të kësaj kaptine nënkupton shpërblimin apo ndëshkimin në Ahiret për veprat e bëra në këtë botë. Shembull të tillë kur fjala “din” përmban kuptimin e shpërblimit apo të ndëshkimit, kemi në suren “Edh-Dharijat”, 5-6: Inne ma tuadune lesadik ve inne-d-diine levaki’w”-“S’ka dyshim se ajo që u premtohet, është e vërtetë e sigurt, dhe se ndëshkimi (gjykimi për vepra) do të ndodhë patjetër”. Në këtë ajet shohim kërcënimin e hapur të Allahut xh.sh. ndaj idhujtarëve duke thënë se ajo që po mohoni në lidhje me shpërblimin apo ndëshkimin në Ahiret, është realitet që gjithsesi do të ndodhë.
Shembull tjetër ku fjala “din” ka ardhur po ashtu me kuptimin e shpërblimit a ndëshkimit në Ahiret, kemi edhe ajetin e 9-të në kaptinën “El Infitar”: “kel-la bel tukedh-dhibune bi-d-din”-“Jo, nuk është ashtu. Ju përgënjeshtroni ditën e përgjegjësisë”.
Është e pakontestueshme se besimtari i vërtetë që beson me bindje në njëshmërinë e Allahut xh.sh., në melaiket e Allahut, në librat e shenjtë dhe në pejgamberët e Zotit, po ashtu bindshëm beson edhe në shpërblimin a ndëshkimin e Ditës së Gjykimit. Madje, në lidhje me këtë, mund të themi se Allahu xh.sh. në shumë vende në Kur’an ka bashkuar besimin në Allahun dhe besimin në Ditën e Gjykimit (të Llogarisë) do të thotë të shpërblimit a të ndëshkimit, si p.sh. në kaptinën El Bekare, 232: “Me këtë këshillohet ai që prej jush e beson Allahun dhe botën tjetër, kjo është më e dobishme për ju dhe më e pastër…”
S’ka dyshim që besimi në Ditën e Gjykimit luan një rol të madh në edukimin e njeriut, sepse e shtyn të besojë në diçka sekrete, të fshehtë, dhe e afron tek Allahu xh.sh., meqenëse është i bindur se një ditë do të dalë para Tij për ta marrë shpërblimin apo ndëshkimin e merituar. Dhe, meqenëse dalja para Allahut është e pashmangshme, atëherë secili duhet të përpiqet të dalë faqebardhë para Tij, e t’i shmanget ndëshkimit të ashpër të zjarrit të Xhehennemit.
Gjatë shpjegimit të shkakut të zbritjes së tri ajeteve të para, thamë se ato kanë zbritur për As bin Vail es-Sehmiun ose për Velid bin Mugiren, dhe sipas një versioni tjetër, për Ebu Sufjan el Harbiun, të cilët që të tre ishin prej mushrikëve më të ashpër dhe më të vrazhdtë në sjelljet e tyre ndaj jetimëve dhe shtresës së varfër. Po a thua cilat janë veprat e shëmtuara të atij që përgënjeshtron Ditën e Gjykimit?!
Allahu xh.sh. na e jep përgjigjen më të mirë kur në ajetin e dytë të kësaj sureje thotë:

فَذَلِكَ الَّذِي يَدُعُّ الْيَتِيم َ
2. E pra (dije se) ai është, që (me vrazhdësi) e dëbon jetimin,
Do të thotë, nëse o Muhammed, dëshiron vërtet, të dish se cili është ai njeri i lig i cili përgënjeshtron Ditën e Llogarisë e të përgjegjësisë, pra dije se ai njeri është ai që e dëbon ashpër jetimin. Është një faqezi, siç shprehet dijetari i madh shqiptar Hfz. Ali Korça, i cili, kur e përkthen dhe komenton këtë ajet, thotë: “Asht ajy faqezi qi jetimin e ngratë e çpor, i çfryn dhe e dëbon?!”
Islami i kushtoi kujdes të veçantë një shtrese të përbuzur e të nënçmuar nga shumica e njerëzve në kohën e zbritjes së Kur’anit. Sidomos, me theksim të veçantë, dalloi dy kategori: jetimin dhe të varfrin. Çrrënjosja e këtyre dukurive negative nga popullata mekase, ishte një ndër prioritetet e para, natyrisht, pas besimit në Allahun xh.sh..
Nëse do t’i vështronim gjërat nga një kënd human, do të pyesnim: A thua ç’faj kishte jetimi i shkretë që të përbuzej e të nënçmohej nga idhujtarët injorantë mekas?! Ç’faj mund të kishte një fëmijë i shkretë që nuk e ndjeu ngrohtësinë e gjirit familjar e që nuk u rrit me përkëdhelje prindërore?! Vallë, si mund të ketë zemra kaq të ashpra që të mos ndiejnë aspak dhembshuri ndaj jetimit, ndaj kësaj krijese të dëlirë e të pafajshme për të cilën Vetë Allahu xh.sh. e urdhëron të Dërguarin e Tij, e nëpërmjet tij edhe tërë ymetin që të mos sillemi me ashpërsi, kur thotë: “Pra, mos e përçmo (poshtëro) jetimin!” (Ed-Duha;9).
Kur’ani famëlartë në shumë vende thërret për përkujdesje të vazhdueshme ndaj jetimit, për edukimin e tij dhe furnizimin e tij derisa të arrijë moshën e pjekurisë dhe të jetë i gatshëm të ballafaqohet me jetën dhe vështirësitë e saj.
Nëse hyjmë në kopshtin e fjalëve të Resulullahut s.a.v.s., do të gjejmë shumë hadithe të cilat rekomandojnë të sillemi butë e me mëshirë ndaj jetimit, të mos jemi zemërgurë e të vrazhdë ndaj tij. Ja se ç’fjalë të Muhamedit a.s. kanë regjistruar koleksionet e mëdha të Hadithit:
“Kur qan jetimi (nga ndonjë padrejtësi që i është bërë), nga vaji i tij (i përmallshëm) dridhet Arshi i Mëshiruesit, dhe në atë moment Allahu i Gjithëmëshirshëm i pyet melaiket: Kush është ai që e ka bërë të qajë këtë jetim, babanë e të cilit e ka mbuluar dheu? Melaiket thonë: O Zoti ynë, vetëm Ti e di këtë gjë, dhe atëherë Allahu xh.sh. u drejtohet prapë melaikeve: Dëshmoni, o ju engjëjt e Mi, se ai që e ndal dhe qetëson vajin e këtij jetimi dhe e bën të gëzueshëm, Unë atë njeri do ta kënaq në Ditën e Kiametit (Llogarisë)”.
Ka edhe shumë hadithe të tjera që flasin për përkujdesjen ndaj jetimit dhe për shpërblimin tek Allahu për një gjest të tillë human e njerëzor si: -“Shtëpia më e dashur tek Allahu është ajo shtëpi në gjirin e së cilës jetimi është i respektuar e i fisnikëruar…”, pastaj,
-“Ai që afron pranë një jetim dhe përkujdeset për furnizimin e tij, kjo do të jetë perde shpëtimtare nga zjarri në Ditën e Gjykimit, dhe atij që i lëmon flokët jetimit nga dhembshuria për të, për çdo fije flokut të prekur prej tij, do t’i shënohet nga një mirësi”.
Kurse, sa i përket atij që e keqpërdor pasurinë e jetimit, atë Allahu xh.sh. e ka kërcënuar me ndëshkim të rreptë në zjarrin e Xhehennemit, kur në Kur’an thotë: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në skëterrën e Xhehennemit” (En- Nisa’ë, 10)
Ndoshta dikush mund të pyesë, përse Allahu xh.sh.dhe i Dërguari i Tij i dhanë kaq rëndësi çështjes së jetimit? E vetmja përgjigje do të ishte se përkujdesi dhe dhembsuria ndaj jetimit në zemrat e njerëzve do të duhej të zgjonte ndjenjën e mëshirës dhe të butësisë, virtyte këto që duhet ta stolisin çdo besimtar të devotshëm.
Në anën tjetër, ishte urtësia e madhe e Allahut xh.sh., i Cili përcaktoi që revelatën e fundit hyjnore t’ia besonte një jetimi që madje as nuk e takoi fare babanë dhe shumë shkurt e ndjeu ngrohtësinë e kraharorit të nënës- Muhamedit a.s., emrin dhe namin e të cilit e ngriti mbi tërë njerëzimin.

وَلَا يَحُضُّ عَلَى طَعَامِ الْمِسْكِين
3. dhe nuk nxit (të tjerët) për ta ushqyer të varfrin.
Ajeti i tretë i kësaj kaptine fillon me fjalët për trajtimin e keq edhe të të mjerit-të ngratit nga ana e idhujtarëve.
Me termin “miskin” në gjuhën arabe nënkuptohet njeriu i cili nuk posedon as më të voglën gjë, madje konsiderohet një gradë më i ulët se “fekiri”-“i varfri”.
Porosia kuranore në këtë ajet është nxitja për t’i dalë në ndihmë atij që nuk ka, atij që ka nevojë për ta ngjallur shpirtin me një kafshatë buke, sepse ai që refuzon të bëjë një gjë të tillë, ai vërtet së pari nuk ka iman më zemër. I tilli është mohues, në këtë rast jo vetëm i Zotit, por mohues dhe mosmirënjohës ndaj të mirave të shumta që Allahu ia dha në posedim atij.
Mu duke u nisur nga këto parime të larta e fisnike Allahu xh.sh. e porosit dhe e urdhëron të Dërguarin e Tij: “As lypësin mos e përzër!”, (Ed-Duha, 10), sepse kujdesi ndaj të varfërve simbolizon tërësinë e moralit njerëzor, moral me të cilin Allahu xh.sh. e pajisi Muhamedin a.s., që të ishte shembull dhe ideal për mbarë njerëzimin.
Pasuria që posedon njeriu në këtë botë, është thjesht një mundësi që Allahu ia ka dhënë atij dhe një amanet afatshkurtër. Madje i Lartmadhërishmi e ka mësuar njeriun-besimtarin se si dhe ku duhet ta shpenzojë këtë pasuri. A nuk thotë Allahu xh.sh. “Dhe jepnu (atyre që kanë nevojë) nga pasuria që ju ka dhënë Allahu juve” (En-Nur, 33).
Mu për këtë arsye Allahu xh.sh. e ka bërë obligim zekatin, i cili është detyrim bazë në Islam, madje edhe prej vetë kushteve të Islamit, sepse nga përqindja e zekatit, përfitojnë të gjithë; të varfrit, të mjerët, udhëtarët, të zënët rob, dhe shteti islam për të mirën e përgjithshme.
Ja se si i përshkruan Allahu xh.sh. besimtarët e devotshëm me fjalët: “Të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre, dhe ata që nga pasuria e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp” (El-Mearixh, 23-25)
Besimtari i vërtetë duhet të dijë të çmojë vlerën e dhuntive të Allahut, dhe ta falënderojë Atë pa ndërprerë, sepse nëse jemi mirënjohës, Allahu edhe më do të na i shtojë të mirat e Tij. A nuk thotë i Lartmadhërishmi: “Nëse jeni falënderues, do t’jua shtoj edhe më të mirat” (Ibrahim; 7) Por, që të arrihet në këtë shkallë të devotshmërisë, na mëson më së miri ky ajet kuranor: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në Xhenet), derisa të mos jepni më të dashurën e pasurisë suaj”. (Ali Imran, 92)
Përkundrazi, nëse ne bëhemi dorështrënguar, të ashpër dhe dëbojmë çdo nevojtar, që vërtet e ka gjendjen të vështirë, atëherë kemi merituar ndëshkimin e Allahut në botën tjetër.
Ja se çfarë dënimi i pret njerëzit e tillë në Ahiret, do të thotë ata që nuk ushqejnë të varfrit:
“(U thuhet kujdestarëve të Xhehenemit): Kapeni atë, vërini prangat!, pastaj atë futeni në Xhehenem, mandej lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë, sepse ai nuk ishte prej atyre që besuan Allahun e Madhëruar, dhe nuk nxiste për t’i ushqyer të varfrit”. (El Hakkah, 30-34)

فَوَيْلٌ لِلْمُصَلِّين َ(4) الَّذِينَ هُمْ عَنْ صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ (5) الَّذِينَ هُمْ يُرَاءُونَ
4. Pra, mjerë për ata falës,
5. të cilët janë të shkujdesur (harrestar), për namazin e tyre,
6. e që shtiren (sa për sy e faqe para botës),
Tash jemi në pjesën e dytë të kaptinës “El-Maun”, e cila është zbritje medinase, ashtu siç theksuam në fillim, sepse në këto ajete shtrohet çështja e munafikëve, dyfytyrëshave, të cilët nuk ishin të njohur dhe as që ekzistonin në periudhën mekase.
Pas shpërnguljes së Muhamedit a.s., nuk ishin të gjithë nga medinasit që e mirëpritën ardhjen e tij në Medinë, por, meqenëse shumica ishin që vërtet e dëshiruan ardhjen e Resulullahut, edhe kjo pakicë u detyrua, të paktën formalisht, sa për sy e faqe, t’i bashkohej shumicës. Këta në të vërtetë ishin pabesimtarë, të cilët në zemrat e tyre fshihnin kufrin, kurse me gojët e tyre shprehnin Imanin. Kjo punë e tyre natyrisht që nuk mund të kalonte pa u vërejtur nga Resulullahu, të cilin e lajmëronte Allahu xh.sh. për lëvizjet dhe fjalët e tyre. Madje, për ta ka zbritur edhe një kaptinë e tërë, e quajtur “El Munafikun”, në të cilën janë denoncuar të gjitha veprimet e tyre të shëmtuara. Në krye të tyre ishte kush tjetër pos munafikut Abdullah ibn Selul, i cili për asnjë moment nuk pushoi së agjituari fshehtas kundër Resulullahut s.a.v.s.. Ai me disa nga bashkëmendimtarët e tij u tërhoq nga lufta e Uhudit, pastaj nga lufta e Tebukut dhe gjithnjë bënte intriga e komplote në bashkëpunim me hebrenjtë e Medinës.
Sipas dijetarëve mendjendritur islamë, munafikët janë shumë më të rrezikshëm e më të dëmshëm se pabesimtarët, sepse me pabesimtarët të paktën e di se me kë ke punë, kurse munafikët mund të jenë pjesëtarë të Islamit formalisht e fshehurazi të bëjnë intriga e komplote kundër interesave të shoqërisë islame. Dhe mu për këtë arsye, Allahu xh. sh. të tillët i ka kërcënuar me ndëshkim të përhershëm në zjarrin e Xhehenemit, kur thotë: “S’ka dyshim, munafikët (hipokritët) do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit”. (En-Nisaë, 145). Do të thotë, hipokritët do të jenë në shkallë më të ulët se pabesimtarët në skëterrat e Xhehenemit, për shkak të hipokrizisë së tyre.
Ajeti në fjalë : “Pra, mjerë për ata falës”, në dëfton për gjendjen e munafikëve, të cilët kur falen, shtiren dhe falen vetëm formalisht. Këtë e bëjnë vetëm për të mos u dalluar dhe diktuar nga të tjerët. Këta janë të pavëmendshëm dhe të shkujdesur për namazet e tyre; kur janë vetëm nuk e falin atë, ndërsa, kur janë në shoqëri të muslimanëve, u bashkohen atyre, ani pse pa dëshirë dhe duke u tërhequr zvarrë nga përtesa.

الَّذِينَ هُمْ عَنْ صَلَاتِهِمْ سَاهُونَ
5. të cilët janë të shkujdesur (harrestar), për namazin e tyre”
Nw lidhje me kwtw ajet transmetojnë Ibn Xheriri dhe Ebu Ja’la nga Sa’d ibn Ebi Vekasi të ketë thënë: E pyeta Resulullahun s.a.v.s. për ajetin:
“Të cilët janë të shkujdesur (të harrueshëm), për namazin e tyre” (El-Maun, 5)
e ai më tha: “Këta janë ata që e vonojnë namazin nga koha e tyre.”
Për këtë ajet, Ibn Abbasi kanë thënë: Falënderimi i qoftë Allahut i Cili ka thënë “janë të shkujdesur (harrestar), për namazin e tyre” e nuk ka thënë “…në namazin e tyre”, sepse habitja, apo tretja në mendime gjatë namazit është diçka e pashmangshme për çdo njeri, por këtu fjala është për namazin e munafikut, të cilin ai nuk e fal me kohë, dhe madje e lë krejt nëse nuk e ka dikë pranë që ta shohë, e kjo shfaqet sheshazi në ajetin vijues:

الَّذِينَ هُمْ يُرَاءُونَ
6. e që shtiren (sa për sy e faqe para botës),”
Këtu Allahu xh.sh. na bën me dije se të tillët, edhe kur falen, këtë e bëjnë vetëm në sytë e botës, ndërsa në brendi nuk e përjetojnë një gjë të tillë.
Ibn Abasi citohet të ketë thënë: “Këta falës që nuk u kushtojnë kujdes namazeve të tyre që t’i falin me kohë, duke harruar, janë munafikët që e lënë namazin kur janë vetëm, ndërsa e falin kur janë në shoqëri të ndonjë muslimani. Ata, edhe nëse e falin atë namaz, nuk shpresojnë ndonjë shpërblim për atë namaz, kurse nëse e lënë, nuk mërziten aspak nëse do të dënohen”.
Këta përpiqen të mashtrojnë me këtë veprim Allahun xh.sh. dhe njerëzit përreth, por Allahu ua zbulon dredhitë dhe qëllimet e tyre të vërteta, kur për ta thotë:
“Munafikët përpiqen të mashtrojnë Allahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por Allahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm shtiren para syve të njerëzve dhe fare pak e përmendin Allahun” (En-Nisa’ë, 142)
Shtirja – “Rri’aja”, është të vepruarit e një veprimi sa për sy e faqe para njerëzve, kurse Allahu e do vetëm atë veprim me të cilin synohet kënaqësia e Tij në atë që ka urdhëruar e jo në atë që ka ndaluar.
S’ka dyshim që një prej rrugëve të përfitimit të kënaqësisë së Krijuesit është të dalurit në ndihmë jetimëve, të varfërve dhe përmbushja e ndonjë prej nevojave të tyre elementare. Për këtë arsye ai që urren dhe përçmon jetimin e të varfrin dhe është dorështrënguar, Allahu xh.sh. atë e ka radhitur në radhët e përgënjeshtëruesve të llogarisë së Ahiretit. Ata me këtë gjest të tyre të ulët, vërtet merituan hidhërimin e Krijuesit. Të tillët u falën apo nuk u falën, namazi i tyre nuk u bën kurrfarë dobie, dhe përfundimisht nuk i nxjerr dot nga radhët e mohuesve të llogarisë së Ahiretit. Këta njerëz dyfytyrësh, po të besonin sinqerisht llogarinë, do ta kuptonin se namazi i tyre është përulje ndaj Atij që i krijoi, të Cilit nuk lejohet t’i përshkruhet shok-rival në madhërinë e Tij, dhe i Cili përcaktoi që të pasurit dhe të fuqishmit duhet të jenë të mëshirshëm dhe të drejtë ndaj të dobëtëve e të pafuqishmëve. Pra, ai, që namazi i tij nuk ia përkujton këto parime sublime të kodeksit njerëzor, konsiderohet gënjeshtar, mohues dhe munafik, prandaj edhe pason kërcënimi hyjnor ndaj këtyre hipokritëve të shëmtuar: “Pra, mjerë për ata falës, të cilët janë të shkujdesur (harrestar), për namazin e tyre, e që shtiren (sa për sy e faqe para botës)”.
Dhe në fund, Allahu xh.sh. në Kur’an i krahason për nga ndëshkimi munafikët me pabesimtarët, kur thotë: “Allahu do t’i tubojë hipokritët dhe pabesimtarët që të gjithë në Xhehennem” (En-Nisa’ë, 140).

وَيَمْنَعُونَ الْمَاعُون
7. dhe nuk japin ndihmë rasti (apo hua, as gjërat më të nevojshme jetësore)!”
Cilësitë e ndyta të hipokritëve, që janë padyshim kategoria më e ndyrë dhe më e urrejtur e njerëzve, Allahu xh.sh. në këtë kaptinë i përmbledh me fjalët: “dhe nuk japin ndihmë rasti (apo hua, as gjërat më të nevojshme jetësore)!”
Kjo do të thotë se në zemrat e tyre nuk zë vend Imani, se në zemrat e tyre nuk ka vend as për mëshirë, as ndihmë për të varfrin e as për jetimin, madje as për fqinjin më të afërt, i cili mbase ndonjëherë mund të ketë nevojë për të huazuar ndonjë prej gjërave elementare.
Fjala “El Maun” në fund të kësaj kaptine, sipas Ebu Bekrit, Aliut, Ibn Abbasit, Ibn Umerit, Hasanit, Seid bin Xhubejrit, Ikrimes, Dahhakut dhe Katades, nënkupton zekatin, sepse Allahu xh.sh. e ka përmendur atë pas përmendjes së namazit të munafikëve.
Kurse sipas shumicës dërrmuese të komentatorëve, kjo fjalë ka për qëllim ndihmesën, çdo zgjatje dore së ndihmës për atë që kërkon diçka nga ti. Këto gjëra elementare mund të jenë siç kemi theksuar: sita për miell, gjilpëra, penjtë, mjete të lëvrimit, sëpata, shati apo dhënia e ujit, kripa ose zjarri. Për këto tri elemente të fundit kemi edhe një hadith nga Resulullahu s.a.v.s, të cilin e transmeton Aisheja r.a., e cila thotë: “E pyeta të Dërguarin e Allahut: Çka nuk bën të mos japim nëse dikush prej fqinjëve kërkon ndihmë? Ai m’u përgjigj: Oj Aishe. Ai që i jep dikujt zjarrin, është sikur të kishte dhënë sadaka tërë atë që është zier (pjekur) me atë zjarr, kush i jep kripën, është njësoj sikur të kishte dhënë sadaka tërë atë që është kriposur me të, dhe kush i jep ujin nëse ndihet mungesa e tij, është sikur të kishte ngjallur (shpëtuar) një njeri e kush ngjall (shpëton) një njeri, është sikur të kishte ngjallur (shpëtuar) tërë njerëzimin”
Ja pra se çfarë ka porositur i Dërguari i Allahut në lidhje me ndihmën reciproke, në mënyrë që zemrat e njerëzve të mos vdesin nga koprracia, sepse çdo kujt, në ndonjë moment të caktuar gjatë jetës, do t’i nevojitet ndihma e tjetrit, pa marrë parasysh dallimet dhe divergjencat klasore.
Transmeton Nesaiu dhe të tjerë nga Abdullah ibn Mes’udi të ketë thënë: “Çdo mirësi e bërë konsiderohet sadaka, kurse në kohën e Resulullahut s.a.v.s. me “fjalën “el-maun” nënkuptonim huazimin e kovës për nxjerrjen e ujit.”
Ajeti: “dhe nuk japin ndihmë rasti (apo hua as gjërat më të nevojshme jetësore)!”
flet qartë për koprracinë e munafikëve, të cilët nuk janë në gjendje t’u ofrojnë njerëzve as shërbimet më të vogla. Këtë e bëjnë, sepse në zemrat e tyre ka humbur arsyeja dhe ata nuk dinë se ç’është kënaqësia e besimit, i cili i afron njerëzit dhe zemrat e tyre. Në lidhje me këtë Muhamedi a.s. thotë: “Asnjëherë nuk mund të bashkohen në trupin e njeriut pluhuri i ngritur nga luftimi në rrugën e Allahut me tymin e zjarrit të Xhehenemit, ashtu siç nuk mund të bashkohen kurrë në një zemër koprracia dhe Imani”.

Sidoqoftë, Allahu xh.sh. më së miri e di qëllimin e këtij ajeti

Porosia e kësaj sureje:
- Dita e Gjykimit dhe e Llogarisë është e pashmangshme, dhe një realitet që do të ndodhë, sepse është një prej kushteve bazë të Imanit-besimit.
- Ai që nuk beson në ndodhinë e kësaj dite, është pabesimtar – i dalë nga feja islame
- Kërcënim i hapur hyjnor ndaj atyre që përbuzin jetimin dhe të varfrin, sepse Islami shumë qartë përcaktoi të drejtat e tyre në Sheriatin e pastër . Duke u nisur nga këto premisa mund të konkludojmë se: Islami ishte dhe mbeti sistem i përkryer i jetës praktike të njeriut në të gjitha aspektet, sistem i cili ofron bindshëm koncept të pazëvendësueshëm mbarënjerëzor.
- Islami në qenësinë e tij është aq autentik dhe aq thellë i rrënjosur në shpirtin njerëzor, saqë të gjitha tentimet për zhvleftësimin e tij janë të gjykuara të dështojnë. I vetmi Islami është në gjendje që njerëzimit t’i ofrojë sistemin e përkryer që të harmonizojë dhe të rregullojë veprimet e tij drejt progresit material dhe pretendimeve të tij shpirtërore.
- Njëra ndër porositë më domethënëse të kësaj sureje është se nëpërmjet ajeteve të saj thirren të gjithë njerëzit për mirësi, për vlera të përgjithshme të moralit dhe për luftë kundër çdo të keqeje e deviijimi. Qëllimi final i kësaj porosie është çrrënjosja e veseve të këqija nga një shoqëri dhe edukimi i shpirtit me vlera të larta të moralit. Ata që i përgjigjen kësaj thirrjeje, janë të shpëtuar, kurse ata që refuzojnë, do të jenë të mjerë dhe të larguar nga mëshira e Allahut xh.sh..
- Kërcënim i hapët për dyfytyrëshit, të cilët nuk u kushtojnë vëmendje namazeve të tyre për t’i falur në kohën e caktuar, të cilët edhe nëse falen, ata vetëm shtiren se janë duke u falur,
- Mosdhënia qoftë edhe si hua apo ndihmë rasti e disa gjërave më të nevojshme kur dikush i kërkon prej dikujt, është cilësi e hipokritit. Ne kur analizojmë fjalët e Resulullahut s.a.v.s. se: “Ai që nuk interesohet për çështjet e muslimanëve (por qëndron indiferent), nuk është nga radhët e muslimanëve”, shohim se mosdalja në ndihmë dikujt që të kërkon diçka, është edhe më e rëndë se mosinteresimi për çështjet e muslimanëve, kudo qofshin ata.
- Feja Islame nuk njeh as nuk pranon besim formal, i cili nuk shoqërohet edhe me vepra konkrete e të sinqerta , dhe mu për këtë arsye, munafikët do të jenë përgjithmonë në zjarr të Xhehenemit.
- Pabesimtarët janë cilësuar në këtë sure me këto cilësi:
1. Nuk besojnë në ringjalljen dhe në shpërblimin a ndëshkimin e botës tjetër
2. Janë të vrazhdë në sjellje ndaj jetimit
3. Janë koprracë dhe të pamëshirshëm ndaj lypësit-të varfrit,
kurse munafikët janë cilësuar me këto cilësi:
1. E lënë namazin dhe janë të pavëmendshëm që atë ta falin në kohën e caktuar
2. Kur falen, vetëm shtiren dhe me namazin e tyre nuk synojnë kënaqësinë e Allahut
3. Nuk japin zekatin e as që ofrojnë ndonjë ndihmë, qoftë edhe si hua, kur dikush kërkon diçka prej tyre.
Që të dy grupet e lartpërmendura, janë kërcënuar nga Allahu me dënim të ashpër dhe shkatërrim në botën tjetër.

Read 748 times
Published in Kuran
Rate this item
(0 votes)
Login to post comments

Reklama e juaj