Bullgaria publikon kushtet që RMV duhet të plotësojë për të hequr veton
Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka publikuar të premten listën e detyrimeve që sipas tyre i ka ndërmarrë qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë vizitës në Sofje më 17 ЈУНИ.
Gjatë takimeve të kryeministrit Zoran Zaev me kryeministrin bullgar, Stefan Janev dhe presidentin Rumen Radev, por edhe në takimin mes dy ministrave të Jashtëm, Bujar Osmani dhe Svetlan Stoev, thuhet se Shkupi është pajtuar që të kryejë këto detyrime:
Të specifikojë në OKB se emri i shtetit vlen vetëm për shtetin si subjekt politik dhe jo për rajonin gjeografik Maqedonia e Veriut;
Shkupi sa më shpejtë ta konfirmojë në OKB, bazuar në nenin 11, paragrafi 3 të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë se emri i gjatë dhe shkurtesa e shtetit vlen vetëm për subjektin politik “Republika e Maqedonisë së Veriut”, dhe jo për rajonin gjeografik “Maqedonia e Veriut”, pjesë e së cilës gjendet në kuadër të kufijve sovran të Bullgarisë. Pas dërgimit të këtij konfirmimi, Bullgaria menjëherë do të ndërpresë këmbënguljen që shteti fqinj të përdorë vetëm emrin e gjatë “Republika e Maqedonisë së Veriut” në BE dhe organizatat ndërkombëtare.
Të tërhiqet nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari;
Republika e Maqedonisë së Veriut duhet përfundimisht të tërhiqet nga pretendimet për pakicë në Bullgari, duke konfirmuar se nuk ekzistojnë baza historike, etnike dhe të tjera që të kërkohet pakicë për cilindo grup qytetarësh që nuk janë shtetas të saj në territorin e Republikës së Bullgarisë. Kjo do të ishte në harmoni me klauzolën për mos përzierje në punët e brendshme të Bullgarisë, e rregulluar me nenin 11, paragrafi 5 në Marrëveshjen e vitit 2017.
Të fillojë rehabilitimin e viktimave të komunizmit jugosllav në territorin e Maqedonisë së Veriut;
Republika e Maqedonisë së Veriut të fillojë procesin e rehabilitimit të viktimave të komunizmit Jugosllav, të shtypur në territorin e saj për shkak të vetëdijes së tyre bullgare. Ky gjest historik nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut në praktikë do ta shprehte zgjedhjen tone të përbashkët civilizuese evropiane.
Të rishikojë përmbajtjet mësimore në marrëveshje me historianët bullgarë;
Republika e Maqedonisë së Veriut ta harmonizojë përmbajtjen e programeve mësimore me Republikën e Bullgarisë, me qëllim që objektivisht të reflektojë historinë tonë të përbashkët, e vendosur si element qendror në Preambulën dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, si dhe me qëllim të eliminimit të përmbajtjeve mësimore që ndjellin urrejtje ndaj Bullgarisë.
Të eliminojë shenjat dhe mbishkrimet me gjuhë të urrejtjes ndaj bullgarëve në territor të Maqedonisë së Veriut.
Bashkë me Bullgarinë të identifikojë dhe të largojë shenjat dhe mbishkrimet në territorin e Maqedonisë së Veriut të cilat shkaktojnë urrejtje ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve.
Në kumtesën e Ministrisë së Jashtme bullgare thuhet se Bullgaria ishte e detyruar të prolongojë përkrahjen për fillimin e bisedimeve mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut në Këshillin për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg më 22 ЈУНИ. Në mbledhje, Bullgaria dha notë pozitive për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave dhe tha “po” për miratimin e kornizës së bisedimeve për Shqipërinë, thuhet në kumtesë.
Ministria e Jashtme Bullgare thekson se sot i ka dërguar letër edhe Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani me të cilën i shprehin atij pritjet bullgare që Maqedonia e Veriut të respektojë detyrimet e marra.
За, detyrimet e pretenduara nga Bullgaria deri tani nuk janë konfirmuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Nga zyra e kryeministrit Zaev nuk ka informatë se çfarë propozimesh ka dorëzuar kryeministri dhe për çfarë detyrimesh është pajtuar. /euronews