Falënderimi i qoftë Allahut që shtëpia jonë ka derë
Në çatinë e një shtëpie të vjetër ishte një dhomë e vogël, në të cilën jetonte një grua e ve me djalin e saj të vogël. Ata dy jetonin në kushte mjaft të vështira, megjithatë kjo familje e vogël ishte e kënaqur me fatin e saj…
Ajo çfarë e mundonte më së shumti gruan ishin reshjet gjatë stinës së dimrit ngase dhoma e tyre përbëhej vetëm prej mureve dhe një dere prej druri – pa kulm. Për fat të mirë, katër vitet e para, që nga lindja e djalit, në qytetin e tyre nuk kishte shi me përjashtim të disa reshjeve të vogla që nuk zgjatnin shumë.
Por, një ditë, qielli u mbulua nga retë e dendura të cilat premtonin shi. Sapo erdhi natë shiu filloi të bjerë, të gjithë nxituan të strehohen në shtëpitë e tyre. Gruaja dhe djali i saj u strehuan në dhomën e tyre të vogël, por prapëseprapë shiut nuk mund t’i iknin. Ashtu të lagur, djali i habitur e shikoi nënën e tij, dhe u ul në prehrin e saj që të mbrohej nga shiu.
Nëna nxitoi te dera e dhomës së tyre të vogël, e hoqi derën e mbështeti për muri, dhe e futi djalin nën derë për ta mbrojtur nga shiu i cili binte pandërprerë. Djali me gëzim e shikoi nënën e tij dhe ashtu i kënaqur i tha:
“Si mendoni nënë, çfarë bëjnë të varfrit që nuk kanë derë kur bie shi?”
(Djali në këtë moment mendonte se ishte i pasur, sepse ai kishte derë në shtëpinë e tij.)
***
Kënaqësia është tipar i mirë – ajo është burimi i lumturisë dhe qetësisë.
Nga Ebu Saed Al-Hudrij, radijallahu anhu, transmetohet se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “O Ebu Seid, kushdo që është i kënaqur me Allahun si Zot të tijin, me Islamin si fe të tijën dhe me Muhamedin si të dërguar të tijin, xheneti i bëhet i detyrueshëm”. (Muslimi)
Ibn Kajjim ka thënë për kënaqësinë: “Këto janë dyert më të larta tek Allahu, pushim për robërit e sinqertë, dhe Xhenneti u tyre në këtë botë.”
Falënderimi i qoftë Allahut i cili neve dhe familjet tona na ka mbrojtur nga fatkeqësitë me të cilat janë sprovuar njerëzit tjerë dhe na ka dhuruar të mira që i janë mohuar shumë prej krijesave të Tij.