Përkujdesja e Islamit ndaj ndjenjave të femrës (1)
Kurani, Fjala e Allahut të Madhërishëm dhe Syneti-thëniet, veprimet, pëlqimet e Muhamedit a.s. janë dy thesare të pashtershme, të cilat në mënyrë eksplicite zbërthejnë çdo çështje që është në interes të njerëzimit, pa dallim race a gjinie.
Akuza të shumta ishin ngritur në tërë globin para dhe gjatë kohës së Shpalljes mbi padrejtësitë që ngarkoheshin mbi kurrizin e femrës. Asnjë shoqëri deri në atë kohë nuk deshi të mbulonte femrën me petkun e mëshirës e respektit, derisa erdhi Islami, i cili i dha femrës statusin e barabartë të jetës sikurse edhe partnerit të saj mashkullit, duke e trajtuar atë si një qenie njerëzore me të drejta të barabarta. Me një vëmendje të veçantë iu përkushtua ndjenjave të saj, për se deri në atë kohë as që debatohej diku në botë, e jo më të merrej dikush me të. Allahu i Lartësuar pohon se, kur mori vendim për ta krijuar mëkëmbësin e Tij në Tokë, “(Rikujto, Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve:Unë po krijoj (po përcaktoj) në Tokë një zëvendës”! (El Bekare, 30), nuk e bëri këtë vetëm përmes një gjinie-mashkullit, po përkrah tij krijoi edhe gjininë femërore, siç thotë: “Dhe Ai është që krijoi llojet mashkullin dhe femrën” (En-Nexhm, 45), secilit prej tyre i dha detyra të veçanta, që i përshtaten natyrës së krijimit të tyre, me qëllim që t’i bartin përgjegjësitë me të cilat do të ngarkohen, në mënyrë dinjitoze e të drejtë, duke ditur gjithnjë që ky precizitet i krijimit dhe i përgjegjësive u përcaktuan nga Krijuesi i Urtë, që nuk imagjinohet dot të ketë dobësi, mangësi a padrejtësi në mes tyre. Kur flasim mbi përkujdesjen ndaj ndjenjave të femrës si krijesë, duam të specifikojmë shkurtimisht disa karakteristika psikologjike të grave, jo sepse këto karakteristika nuk shfaqen tek meshkujt, po për shkak se tek femrat janë më të theksuara. Këto karakteristika, duke marrë parasysh implikimet e tyre, ndahen në pozitive dhe negative.
1. Karakteristikat dhe virtytet pozitive janë:
Qëndrueshmëria-rezistenca: Me këtë virtyt aludojmë forcën që i është dhënë gruas për të përballuar vështirësitë dhe sfidat fizike e psikologjike gjatë jetës së saj. Shumë studiues muslimanë të kësaj fushe, pohojnë se s’ka të krahasuar me gruan për sa i përket rezistencës ndaj sfidave me të cilat përballet ajo në jetë të përditshme, sikur janë: dhimbjet gjatë ciklit mujor, të cilat I shfaqen për çdo muaj dhe asnjëherë nuk e stopojnë në kryerjen e obligimeve të saj brenda shtëpisë dhe jashtë saj; Dhimbjet e vazhdueshme gjatë shtatzënësisë që nga muajt e parë e deri në lindje, e më pastaj gjatë lehonisë, janë çaste që nuk mund t’i përshkruajë njeriu dot, e Kurani ato vështirësi i përshkruan kështu: “Ne e urdhëruam njeriun t’i bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet e barti me mundim dhe e lindi me vështirësi…”. (El Ahkaf, 15).
Nga citati nxjerrim mësime të shumta, nga të cilat themi se Allahu xh.sh., përmes këtij fakti, mbivlerësoi gruan, duke e specifikuar nënën në shenjë vlerësimi për dhimbjet e mundin e saj, sepse urdhëroi të respektohen të dyja.(1)
Gjithashtu punët shtëpiake që kryen gruaja nga mëngjesi deri në mbrëmje, angazhimi i saj maksimal për të fituar kënaqësinë e burrit etj.. Pa dyshim, ky virtyt është nga karakteristikat pozitive të gruas, për se ajo duhet të jetë e kujdesshme për funksionalizimin e tij, me qëllim që ajo të forcohet edhe më, në mënyrë që dobia t’i kthehej familjes dhe shoqërisë së saj, që të zhvillohen në formën më të mirë. E jo siç po ndodh në ditët e sotme, kur një pjesë e madhe e tyre këtë dhunti e shfrytëzojnë në vende e për veprime jo të duhura. I tërë ky proces i saj është progresiv, ngase me vete bart ndjenjën e bamirësisë ndaj të tjerëve, prandaj është vërtetuar se, në suaza të kësaj sakrifice, në përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe familjes së saj në përgjithësi, reflektohen ndjenjat e saj të dhembshurisë dhe përkujdesjes prindërore më shumë sesa burrat.(2)
Intuita natyrore
Përmes këtij virtyti nënkuptojmë njohjen e gjërave dhe kuptimin e tyre pavarësisht nëse janë statike apo të animuara, e tërë kjo përmes intuitës dhe jo përmes logjikës e imitimeve, si dhe përmes pjesëmarrjes së saj me prani. Prandaj them se ndjeshmëria e gruas për të tjerët pa rezerva, shoqëron, instinktivisht dhe natyrshëm, shqetësimet e tyre, ndjenjat e tyre, aspiratat e tyre. Pra, gratë janë në gjendje t’i njohin e t’u japin përgjigje më mirë se sa burrat, të cilët mund të jenë më të përgatitur, më inteligjentë dhe më të aftë. Shembullin më të mirë lidhur me këtë, e sjell Kurani, ku Allahu Fuqiplotë na rrëfen për mbretëreshën e Sebeit Belkisen, kur i erdhi mesazhi nga Sulejmani a.s. dhe ajo kërkoi sugjerimin e parisë së saj, dhe, pasi nuk u nda e kënaqur me propozimin e tyre, aktivizoi intuitën e saj për ta kuptuar Sulejmanin dhe për ta testuar njëkohësisht përmes dërgimit për të të një dhurate të çmueshme. Nëse do ta pranonte ai dhuratën, konfirmohej dobësia e tij dhe do t’ia dilte ta pushtonte atë, ose, në të kundërtën, dorëzimi është alternativa më e mirë, siç dhe ndodhi./Shih Kur’an 32-35/. Filozofi britanik George Bernard Shaw (Shou) thotë: “Femrat janë më të zgjuara sesa meshkujt, dhe më mendjemprehta, më të kujdesshme për vetveten se ata – burrat. Ky virtyt i mësoi ato si të kujdesen për shtëpinë e vet dhe si të mbrojnë burrat e vet.(3) S’ka dyshim se edhe ky virtyt ndikon pozitivisht tek femra, përmes përkujdesjes së saj ndaj të tjerëve, duke i shoqëruar ata në ndjenjat e tyre, aspiratat e tyre etj., si dhe përmes mendimeve pozitive ndaj të tjerëve, e dobia u kthehet gjithnjë atyre.
Turpi
Me këtë nocion nënkuptojmë adaptimin e vetvetes për t’iu shmangur gjërave të shëmtuara. Ky virtyt inkurajon vazhdimisht për punë të mira dhe ndalon nga mangësitë karshi të tjerëve. Me këtë karakter janë të stolisur si gratë ashtu edhe burrat, mirëpo ky virtyt është më i mishëruar me gratë duke mbajtur parasysh feminitetin e tyre dhe natyrshmërinë e tyre të pastër. Aq më shumë theksohet kjo kur femra jeton në një ambient të rrethuar me virtyte fisnike. Edhe pse varion ky virtyt nga një njeri tek tjetri, po ashtu edhe në gjini, kështu që një mashkull mund të ketë turp më shumë se një femër, dhe anasjelltas. Siç e përshkruan Pejgamberi a.s. turpin e Othmanit r.a., apo siç e përcjell Ebu Seid El-Huderi r.a. turpin e Pejgamberit a.s. duke thënë: “Pejgamberi a.s. ishte më i turpshëm sesa beqarja në shtëpinë e saj”. (Buhariu/6119).
Themi që turpi e frenon femrën të jetë e mangët në zbatimin e urdhëresave hyjnore që rrjedhin nga Allahu i Madhërishëm, dhe për shkak të turpit ajo s që u qaset veprimeve amorale të ndaluara. Ashtu siç ndikon turpi në inkurajimin për zbatimin e normave fetare, që i urdhëron Allahu xh.sh. – përkujdesja ndaj fëmijëve të saj si dhe respektimi i bashkëshortit. S’ka mëdyshje që virtyti i turpit, me të cilin duhet të stoliset femra, është i lidhur ngushtë me karakterin dhe ndjenjat e saj. Femra e turpshme posedon ndjenja me vlerë, përmes të cilave forcon pastërtinë e natyrshmërisë, plotëson feminitetin, përmirëson bashkëpunimin me të tjerët etj.. Turpi i mundëson femrës t’i shohë mirësitë e Zotit në veten e saj, i mbjell frikërespektin, i cili i mundëson pamjen e së vërtetës. Ashtu siç i ndihmon në parallogaritje karshi obligimeve të Zotit si dhe karshi të drejtave të shoqërisë.
Amësia
Me anë të këtij virtyti, aludojmë instinktin e lindur, i cili buron nga nëna për t’u përkujdesur për fëmijët e saj që nga koha sa janë ende embrion, për të vazhduar nga foshnjëria e deri në moshën e pjekurisë, duke u përpjekur që, në një anë, t’u sigurojë fëmijëve rehatinë e të lutet për ta, kurse, në anën tjetër, t’i përballojë sfidat që i shfaqen që nga martesa e fëmijëve e gjer në pleqëri, nga mosrespektimi i ndonjërit prej tyre që mund të ndodhë karshi saj. Për sa kohë që nga ky virtyt identifikohet gruaja, këto lidhje të forta në mes saj dhe foshnjës, burojnë që nga formimi në embrion, për t’u shndërruar më pastaj në njësi të anëtarësimit biologjik e fiziologjik gjatë tërë asaj kohe. Kjo përzierje është njëkohësisht bazë mbi të cilën ndërtohet dashuria e nënës, si një proces i lindur. Kurani fisnik sjell shembujt më të mirë lidhur me ndjenjat e nënës në raste kur ndodh të humbë fëmijën e saj. Thotë Allahu xh.sh: “E zemra e nënës së Musait agoi e zbrazët (kur kuptoi se ka rënë në duar të faraonit)”. (El Kasas, 10).
Dr.Beshir err-Rrushejdi thotë: “Vërtet emocionet tek gratë kanë arritur në atë masë, sa dallojnë dukshëm veprimet dhe ndjenjat e saja nga të partnerit të saj burrit. Kjo është dhuratë nga Allahu, i Cili përcakton çdo gjë dhe e zbukuron atë, ngase detyra parësore e gruas është edukimi i fëmijëve dhe përgatitja e gjeneratave, një proces që kërkon investim të madh nga mirësia e dhembshuria, që meshkujt nuk mund ta arrijnë dot”.[4]
Të gjitha këto pasione ndikojnë tek femra në mënyra të ndryshme, ndër to: mbjellja e butësisë dhe mirësisë në kodin e mirësjelljes me fëmijët e saj; Qetësimi shpirtëror me rastin e ngopjes së gruas me këtë instinkt të lindur; Mirësjellja me fëmijët e huaj kur të tjerët u bëjnë të padrejta; Preokupimi i vazhdueshëm i saj për pozitën e fëmijëve dhe gjendjen e tyre kulturore, shoqërore, ekonomike e psikologjike. [5]
Përkujdesja për lavdërim
Karakteri në fjalë bën të kuptojmë përkujdesjen e gruas që të marrë lëvdata e mirënjohje nga të tjerët. Natyrisht që femra angazhohet në vazhdimësi në forma dhe me mekanizma të ndryshëm që ta arrijë këtë. Edhe pse në fakt, sa i përket kësaj cilësie janë të barabartë si meshkujt ashtu edhe femrat, të vegjël e të rritur, megjithëkëtë femra është ma e dalluar në bazë të angazhimit të saj. Në bazë të studimeve që janë bërë në këtë fushë, [6] studiues të ndryshëm përfundojnë se femrat janë më emocionale, siç janë më të kujdesshme për lavdërim, falënderim,
qortim, dënim, etj.. Këtë e vërtetojmë më së miri gjatë daljes së tyre në ambiente të hapura gjithnjë të zbukuruare, sidomos në tubime vetëm me femra, dhe kjo me
të vetmin pretekst, që të duken mirë në prani të të tjerave. Gjithashtu angazhimi i saj për t’i përkryer punët shtëpiake me qëllim që të arrijë kënaqësinë e burrit, dhe mirënjohje prej tij, – është një tjetër cilësi e saj. Duke e ditur që feja islame i ka dhënë rëndësi të veçantë harmonizimit të raporteve bashkëshortore, në këtë kontekst ka lejuar që, në shenjë respekti, në mënyrë metaforike[7] t’i lejojë burrit edhe gënjeshtrën ndaj gruas për ta lavdëruar. Kjo, krahas të tjerash, vërteton në mënyrë eksplicite pasionin e gruas për ta lavdëruar dhe falënderuar. Thotë Ibn Shihabi: “Nuk kam dëgjuar ndonjëherë të jetë lejuar gënjeshtra për atë që flasin njerëzit përveç në tri raste: në luftë, në pajtim të njerëzve dhe në biseda të burrit me gruan e tij, si dhe në biseda të gruas me burrin e saj”, (Muslimi/2605).
Thotë imam Neveviu gjatë komentimit të sipërm: “Nuk bëhet fjalë për gënjeshtrën e kulluar, po për një shprehje shumëkuptimëshe, që i bëjnë bashkëbiseduesit të kuptojë diçka që e relakson, si p.sh,: t’i premtojë gruas se do ta respektojë, do t’i blejë diçka, sa kohë që ai vendos – e bën nijet nëse e ka caktuar Allahu ta kryej atë”. [8]
Nga tërë kjo që u tha, mund të përfundojmë se cilësia ‘përkujdesja për lavdërim’ ndikon te gruaja në aspekte shumëdimensionale, pozitive dhe negative. Nga reflektimet pozitive mund të jenë: përkryerja e punëve që kalojnë nëpër duart e saj; përpjekja për t’i imituar të tjerët për të arritur në nivele të larta ose më lart se ata etj.. Kurse nga aspektet negative konsiderohen: vetadmirimi si rezultat i falënderimeve nga të tjerët, e nëse kjo i tejkalon kufijtë, shndërrohet në kotësi a në mendjemadhësi, prandaj kjo dukuri duhet të shërohet… Këto janë, në pika të shkurtra, disa nga karakteristikat dhe virtytet pozitive të gruas. Për virtytet negative do të diskutojmë në numrin vijues, me ndihmën e Allahut xh.sh..
_______________
1. Koment imi.
2. Meha Jusuf Xharullah, Inajetul Kur’ani ve es-suneti bimeshairi elmer’ti, bot I, 1429h/2008, f.19.Dar Ibn Hazm.
3. Basma Kemal, Sikulugjijetu elfetat.Muesesetu izu Din, Bejrut, bot I, 1414h 1993, f.246.
4. Prof.Dr.Beshir err-Rrushejdi, El Umumetu es-Salihatu musahemetun Hadarijetun hakikijetun lil mer’ti.Punim seminari në Kuvajt-Prill 1998, f.13.
5. Inajet el-Kur’ani ve es-suneti bi meshari el mer’ti, f.26.
6. Ismetuddin Kirkut, El mer’etu min hilal el ajat elKur’anije, esh-Sherike et-Tunesije li-tevzia-Tunezi, f.17.
7. Ekzistojnë divergjenca në mes të dijetarëve islam, se a lejohet gënjeshtra në ndonjë rast –siç është fjala edhe me tri rastet e sipërtheksuara, apo këto nuk konsiderohen gënjeshtra po tevrije -tërthorazi në formë shakaje, siç thonë Taberiu e të tjerë. Shih: Sahihul muslim bi sherh en-Nevevi 16/158. [8] Po aty.
Dr. Sadat Rrustemi
DituriaIslame -281