Lëkura jonë flet… Qoftë i lavdëruar Allahu
Në këtë hulumtim do të tregojmë disa zbulime mjekësore për të treguar që fjalët e Zotit për lëkurën e cila do të flasë në Ditën e ringjalljes janë të vërteta … Në një prej verseteve madhështore që dëshmon që fjalët e Zotit janë të vërteta, Allahu i Madhërishëm thotë: “… E kush mund të jetë më i saktë në fjalë se Allahu?” (En – Nisaë, 122)
Për çdo ditë, dijetarët bëjnë përpjekje të pareshtura të vijnë deri te zbulime të ndryshme shkencore, ndërkohë që ne, vazhdojmë të gjejmë shumë argumente në Kuran lidhur me këto zbulime, të cilat duhet marrë si indikator se Kurani është Shpallje nga Zoti i Madhërishëm. Njëri prej këtyre verseteve flet për ndodhinë në ditën e Gjykimit kur mohuesit dhe skeptikët ndaj Zotit do t’i ekspozohen zjarrit, i cili do të dëshmojë kundër të gjithë atyre që kanë qenë gënjeshtarë në këtë botë. Allahu i Madhërishëm për këta thotë: “E ditën kur armiqtë e Allahut tubohen për në zjarr dhe ata janë të rrethuar. E derisa i afrohen atij, kundër tyre dëshmojnë: të dëgjuarit, të parit dhe lëkurat e tyre, për çdo gjë që ata kanë punuar. Ata lëkurave të tyre u thonë: “Përse dëshmuat kundër nesh?” Ato thonë: “Allahu që çdo sendi ia ka dhënë të folurit na dha edhe neve, e Ai është që ju krijoi juve herën e parë dhe vetëm te Ai ktheheni.” (Fussilet, 19-21)
Në lidhje me këtë versët kuranor, pashmangshëm duhen shtruar disa pyetje: A thua si ka mundësi që, të dëgjuarit, të parët dhe lëkura të flasin e bisedojnë? Dhe përse Allahu i Madhërishëm i ka përmendur në librin e Tij fisnik? Pikërisht, për këto arsye, duhet studiuar këtë verset edhe nga aspekti shkencor, në mënyrë që të rrisim besimin dhe bindjen në ekzistimin e Krijuesit Suprem: “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre.” (El – Enfalë, 2)
Mrekullia në lëkurë
Lëkura është mbulesë e jashtme e trupit. Te njerëzit, ky është organi më i madh që mbulon tërë (integumentum commune) dhe përbëhet nga shumë shtresa. Ajo mbron muskujt, eshtrat, ligamentet dhe organet e brendshme që ndodhen nën të. Lëkura e njeriut është e mbrojtur me qime. Meqë bie në kontakt me mjedisin, lëkura luan rolin kryesor në mbrojtjen e trupit nga bakteret patogjene dhe humbjes së tepërt të ujit. Funksionet tjera të saj janë: izolimi, rregullimi i temperaturës, identifikimi senzorik dhe sinteza e vitaminës D. Te njerëzit, pigmenti i lëkurës tregon variacione nga njëri popull tek tjetri, ndërsa tipi lëviz nga e thara deri te e yndyrshmja. Lëkura është në lëvizje të përhershme, mesatarisht çdo minutë ndryshojnë afër 40.000 qeliza të lëkurës, ndërsa çdo muaj të gjitha qelizat e lëkurës ndërrohen, kështu që lëkura jonë ndryshohet çdo muaj, ndërsa ne nuk e vërejmë. Rreth 95% e qelizave të lëkurës e kanë një mision, e ky është ripërtëritja qelizore, ndërsa 5% e qelizave, e ngjyros lëkurën duke prodhuar melaninën, i cili i jep ngjyrë lëkurës.
Memorizimi i lëkurës
Vite me radhë shkencëtarët janë përpjekur të zbulojnë fshehtësitë e memorizimit, duke studiuar lëkurën për të zbuluar për vendin ku ajo memorizon informatat. Ata e dinë që ekziston memorizimi gjenetik në ADN-në e njeriut, andaj do të përpiqemi të sjellim këtu disa nga hulumtimet më të reja shkencore në lidhje me këtë memorizim?
Kah mesi i vitit 2007 revista “Neuroscience” ka publikuar rezultatet e hulumtimit më të ri shkencor. Në këtë hulumtim shkencëtarët kanë gjetur se qeliza përmban molekula të caktuara të quajtura CaMK II, të cilat janë përgjegjëse për ruajtjen e memories. Kur shkencëtarët i dobësuan këto molekula tek miu, gjatë eksperimenteve, memoria e tij është fshirë menjëherë, ndërsa kur përsëri u përgatit për ushqim, iu kthye aftësia e mendimit. Ky proces është i ngjashëm me atë të diskut të fortë në llogaritës. Kjo memorie padyshim gjendet në qelizat e gjithë organizmave. Shkencëtarët besojnë se ekziston memoria e zemrës dhe e lëkurës. Zbulimi i këtij lloji është i rëndësishëm në shërimin e dhembjes kronike. Qelizat e trurit ruajnë ndjenjat e dhembjes, dhe për këtë shkak, zgjidhja e memories së fshehtë do të mund të ndihmonte në mënjanimin e informatave të dhembjes në këto qeliza. Hulumtimet e reja tregojnë se qelizat e lëkurës mund të mbrojnë nga bakteret dhe është vërtetuar se shfrytëzimi intensiv i celularëve mund të nxisë zhvillimin e baktereve të caktuara në sipërfaqen e lëkurës, por kjo varet edhe nga imuniteti njerëzor. Arsyeja është se lëkura ka rolin kryesor në ruajtjen e informatave dhe ngjarjeve, ndërsa shfrytëzimi i vazhdueshëm i telefonave mobilë në afërsinë e lëkurës sonë shkakton konfuzion te këto qeliza, për shkak të fushës elektromagnetike të këtyre celularëve.
Shërimi me përdorimin e qelizave të lëkurës
Sot shkencëtarët po përpiqen të shfrytëzojnë qelizat e lëkurës të marra nga embrioni (qeliza amë). Këta besojnë se këto qeliza kanë efekt mrekullibërës në shërimin e djegieve. Gjithashtu, shkencëtarët po përpiqen të realizojnë dobinë nga qelizat embrionale në fazat e hershme, pasi që kanë gjetur se ky është burim për trajtim të shumë sëmundjeve. Hulumtuesit përpiqen të modifikojnë ADN-në e qelizave të lëkurës për ta fshirë memorien e tyre duke i përgatitur kështu për implantim, por gjithashtu edhe për t’i ikur karcinomit. Sot shkencëtarët janë duke i klonuar minjtë nga qelizat e lëkurës, pasi që këto qeliza janë në gjendje të mbajnë sasi të madhe të memories afatgjatë. Ata kanë zbuluar se qelizat e lëkurës së femrës mbajnë më shumë informata sesa qelizat e lëkurës së meshkujve. Ndërkohë, shkencëtarët janë duke bërë përpjekje për shfrytëzimin e qelizave të lëkurës për shërimin e fëmijëve të sëmurë nga kanceri, nëpërmes qelizave të lëkurës të modifikuara gjenetikisht, sepse është vërtetuar se këto qeliza kanë efekt të madh në shërimin e kancerit, përmirësojnë imunitetin dhe parandalojnë përparimin e sëmundjes.
Gjuha e lëkurës
Shkencëtarët vërtetojnë që ekziston tingulli i lëkurës, por ne ende nuk e kuptojmë! Kur është shpallur Kurani, nuk ka ekzistuar asnjë informatë në lidhje me këtë zbulim të tanishëm. Në thellësi, brenda qelizave të lëkurës sonë ekzistojnë senzorë në formë imazhesh dhe janë të ngjashëm me fotot kompjuterike, të cilat përmbajnë informata dhe ngjarje që ndodhin rreth lëkurës. Këto senzorë ruajnë dhe regjistrojnë tingujt lidhur me këto ngjarje. Dr Clark Otli i cili ka mbikëqyrë qindra operacione të implantimit të lëkurës, thotë: “Lëkura ka mendmbajtje afatgjatë, ajo nuk harron kurrë.” Dr. Otli ka vërejtur se më shumë se 70% të njerëzve që kanë qenë të nënshtruar operimit të implantimit të lëkurës, janë sëmurë nga kanceri i lëkurës në periudhë të shkurtër pas implantimit. Ky është një problem serioz dhe mjekësia ende nuk ka ilaç për këtë. Shkencëtarët thonë se lëkura e ka ekskluzivitetin e saj, sepse paramendohet si një depo e informatave dhe kur ne bëjmë transplantimin e lëkurës nga një person te tjetri, ne në realitet nuk transplantojmë vetëm lëkurën fizike, por gjithashtu bartim dhe transmetojmë edhe informata e ngjarjet të deponuara. Për shkak të kësaj, ndodh që të vijë deri te një lloj konfuzioni në trup, kështu që ai refuzon lëkurën e re. Mirëpo, ne si myslimanë, duhet dhënë një këshillë, e kjo është që njerëzit para ndërmarrjes së implantimit, do të duhet lexuar versete të caktuara kuranore në lëkurë në mënyrë që ajo të pastrohet dhe riprogramohet.
Çdo gjë flet
Para pak kohësh shkencëtarët zbuluan se secili send në kozmos ka frekuencat tingëllore që quhet rezonancë natyrore (natural resonance) dhe secili send në kozmos fillon të reagojë dhe lëviz kur i ekspozohet tingullit me frekuencë që është e njëjtë me të. Pra, tingulli ndikon në njerëz, objekte, dhe kafshë. Duke falënderuar shkallës mjaft të lartë të zhvillimit të aparateve për matjen e frekuencës, shkencëtarët kanë konstatuar që secili send në kozmos emiton ndonjë frekuencë tingulli. Gjithashtu edhe kozmosi ka emituar tinguj gjatë krijimit të tij sipas asaj që shkencëtarët e NASA-s kanë zbuluar, por gjithashtu edhe vrimat e zeza transmetojnë frekuenca tingëllore.
Botanikët kanë zbuluar se edhe bimët janë nën ndikimin e tingujve dhe i transmetojnë ata. Po ashtu, të gjitha insektet kanë frekuencat e tyre tingëllore, bile edhe qelizat e zemrës i kanë frekuencat e tyre të veçanta tingëllore. Secili send në kozmos flet…
Në çfarë është mrekullia?
1. Mund të konstatojmë se çdo gjë që shohim në sipërfaqen e lëkurës sonë janë qeliza të vdekura, por Kurani na këshillon që t’i mbajmë aktive qelizat e lëkurës sonë duke lexuar dhe dëgjuar Kuran. Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurët dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” (Ez – Zumer, 23)
2. Qelizat e lëkurës ripërtërihen dhe ndryshojnë në mënyrë kontinuale, Allahu i Madhërishëm u thotë njerëzve të cilët e mohojnë ekzistimin e Tij, se do të ballafaqohen me vuajtje permanente, ngase lëkurat e tyre do të ndryshohen në mënyrë të vazhdueshme. Allahu i Madhërishëm thotë: “Është e vërtetë se ata që mohuan argumentet Tona, do t’i hedhim në zjarr. Sa herë që u digjen lëkurat e tyre, Ne ndërrojmë lëkura të tjera që të shijojnë dënimin. Allahu është i Plotfuqishëm, i drejtë.” (En – Nisaë, 56)
Çdo herë kur lëkurat e tyre digjen, ato shkaktojnë dhimbje të padurueshme, ndërkohë që pas djegies së tyre, Allahu i Madhërishëm ua ndërron lëkurën e tyre të vjetër me të re, për të filluar përsëri vuajtja, përgjithmonë. 3. Shkencëtarët thonë se qelizat e lëkurës janë nën ndikimin e frekuencave tingëllore, kështu që lëkura mund të rrëqethet kur njerëzit marrin lajme të mira ose të këqija. Për këtë, Allahu i Madhërishëm thotë: “…që prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurat dhe zemrat e tyre…” (Ez – Zumer, 23)
Ky verset vërteton se qelizat e lëkurës së besimtarit janë nën ndikimin e tingullit kuranor por tek besimtarët i njëjti tingull nuk vepron. Përse? Për arsye se qelizat e jobesimtarëve janë të shtresuara me ateizëm dhe hipokrizi një kohë të gjatë, kështu që është bërë e pamundur të përgjigjen në tingullin e besimit. 4. Të gjitha qelizat në trupin tonë kanë aftësi të memorizimit, në veçanti dëgjimi dhe të parët, andaj këta të dy do të dëshmojnë kundër nesh! Në Ditën e ringjalljes njeriu do të pyet lëkurën e vet me fjalët: “Përse dëshmoni kundër nesh?” Lëkurat e tyre do të përgjigjen: “Allahu i Cili i ka dhënë aftësi të folurit çdo sendi, na ka pajisur me të folur edhe ne.” Këtu kemi edhe një mrekulli. Fjala është për atë se çdo send do të flasë. 5. Secili send e ka frekuencën tingëllore të veçantë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë),duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (sepse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë.” (El – Israë, 44) Në Ditën e ringjalljes njeriu do të jetë në gjendje t’i dëgjojë të gjithë këta tinguj. Gjithashtu do të dëgjojë lëkurën e tij sesi i tregon Allahut të Madhërishëm për gjitha mëkatet dhe gabimet e bëra. I lutemi Zotit të Madhërishëm që çdo moment të jetës sonë ta kalojmë në bindje ndaj Tij, dhe me vëmendje t’i shqyrtojmë versetet e lartpërmendura duke i ruajtur në zemrat tona.
Abduldaem Kaheel
Përktheu dhe përshtati: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi