Merjem Lumi, të jesh grua teologe në thirrjen islame online
Merjem Lumi ka lindur në Korçë dhe është rritur në Durrës. Në moshën trembëdhjetë vjeçare zgjedh të konvertohet në islam nga ortodokse praktikante dhe vendosë hixhabin. Menjëherë, vendosi të udhëtojë drejt Damaskut, ku ka kryer studimet e mesme dhe të larta.
Merjemi, është gjithashtu themeluesja e qendrës sociale Dyrrah Center dhe si pjesë e aktivizmit të saj është edhe thirrja islame-daveti online përmes platformave të ndryshme të rrjeteve sociale si youtube, instagram, tiktok dhe facebook ku numëron me mijëra ndjekës.
Për pesë vite ka punuar në radio, në një emision social – kulturor, ku ka qenë dhe kontakti i parë me punën në media dhe ka arritur të aftësojë të folurën në publik.
Në një botë mediatike e dominuar nga ligjërues meshkuj, edhe thirrja (daveti) gjithashtu, të paktën në treva tona, është e përfaqësuar nga një shumicë meshkuj teologë e hoxhallarë.
E pyetur për këtë fenomen Merjemi na tregon se ekzistojnë disa arsye përse ndodh kjo.
“Ka plot teologe të nderuara që e bëjnë punën e tyre me përkushtim dhe devotshmëri të madhe. Përpiqen që të japin kontributin e tyre në thirrjen islame përmes ligjëratave, këshillave dhe mësimeve të ndryshme nëpër xhamia, shoqata dhe forme. Pra më tepër në ambiente me të ngushta dhe me një publik më të kufizuar. Kjo, si zgjedhje e tyre personale për shkak se ekspozimi sjell përgjegjësi të mëdha. Ekspozimi, jo vetëm që kërkon motivim, përkushtim por edhe vetëbesim të lartë, fjalë për fjalë “të ekspozon” para një audience të gjërë e cila ose do të dojë ose do të gjykojnë dhe sulmojnë. Dhe sulme të tilla kam hasur dhe has vazhdimisht të cilët pretendojnë se “ti je një grua me shami, përse ekspozohesh” ose “lërja këtë punë hoxhallarëve” etj. Të gjithë këtyre paragjykimeve iu përgjigjem me faktin se ? e fesë islame ka ardhur nga një grua: Aishja r.a, gruaja e Profetit a.s. Të gjitha ata që kanë pretendime të tilla, i kanë sepse nuk e kanë studiuar mirë fenë islame ose e kanë keqinterpretuar atë, dhe shumica e paragjykimeve dihet që vijnë nga mosnjohja.”
Si karakterizohet marrdhënia jote me ndjekëset e tua?
“Thuajse secila prej ndjekësve të mia më ka shkruar, qoftë në privat ose publikisht nëpër komente apo transmetime live. Dhe secila prej tyre ka një marrdhënie shumë intime me mua, jemi aq të afërta dhe janë shumë të hapura me mua, shumë të drejta dhe të sinqerta e të çiltra. Duke qenë se prej ndjekësve të mia kam grupmosha të ndryshme, ato më të voglat më thërrasin teze, moshataret e mia “motër” ndërsa moshat tek 50-70 vjeçare më thërrasin “bijë” dhe kjo më bën të ndjehem sikur të jem pjesë e familjes tyre.”
Cili është target-grupi yt në videot që bën dhe si vendos për temat që do të trajtosh duke marrë parasysh llojin e audiencës që ke?
“Target grupi im që prej fillimit kanë qenë vajzat dhe gratë muslimane ose jo muslimane që dëshirojnë të dijnë dhe të mësojnë më shumë për fenë islame. Ndjekëset e mia janë nga grupmosha të ndryshme duke filluar nga më të voglat fare rreth 10-12 vjeçare deri tek moshataret e mia si dhe zonja të moshuara rreth të shtatëdhjetave.
Përpiqem që t’i harmonizoj dhe balancojë temat të cilat unë mendoj se i duhen audiencës, të cilat janë themelore dhe bazike për të kuptuar fenë siç janë përshembull legjislacioni islam (fikhu) parime dhe morali islam (ahlak) por edhe tematika që kanë të bëjnë më gjendjen shpirtërore, me shëndetin mendor të kumintetit tonë. Një përqindje të mirë të videove përpiqem t’ua dedikoj tematikave që më vijnë si shqetësime dhe formë brengash nga ndjekëset e mia përmes mesazheve apo komenteve. Pa anashkaluar këtu edhe këshilla dhe mesazhe motivuese ditore të shkurtra.”
Cilat janë pyetjet më të shpeshta që merr, dhe si ja bën për t’u kthyer përgjigje?
“Pyetjet më të shpeshta që marr kanë të bëjnë më shumë me gjendjet shpirtërore dhe me shëndetin mendor. Shumica prej tyre shprehen se nuk ndihen mirë, kanë shtrëngim në kraharor, nuk janë rehat, kanë shqëtësime nga më të ndryshmet dhe karakterizohen nga ndjenja boshllëku apo ankthi. Dhe normalisht këshillat e mia drejtuar këtyre mesazheve është thirrja për t’u kthyer tek Zoti, sepse e kam provuar vetë mungesën e Zotit në jetën time. Burimi i shumicës së këtyre shqetësimeve është pikërisht mungesa e prezencës së Zotit në jetët tona. Përpiqem që t’u kthej përgjigje shumicës së mesazheve, dhe nëse janë pyëtje të përbashkëta i grumbulloj të gjitha dhe më pas përgjigjet përpiqem t’i jap përmes një video të re, apo duke përpiluar një ligjëratë pikërisht mbi tematikën që është më shumë e kërkuar përmes këtyre mesazheve. Gjithashtu me takimet periodike përmes lidhjeve live përpiqem gjithashtu që t’u jap mundësinë të më pyesin drejtpërdrejtë dhe të jap një përgjigje të përmbledhur aty për aty.”
Cila është pjesa më sfiduese e të ligjëruarit online dhe e të qenurit ligjëruese dhe youtuber në të njëjtën kohë?
“Në çdo video të regjistruar ose live, mundohem që ta përjetoj atë çfarë them. Përçimi i emocionit përmes ekranit/kamerës, nuk është gjë e lehtë. Jo të gjithë e kanë aftësinë për ta bërë këtë, sepse disa kanë emocione, disa druhen sepse nuk ndjejnë motivimin e duhur nëse nuk përballen me disa palë sy dhe kjo i bën të ndihen sikur flasin me veten dhe si rrjedhojë iu bie motivimi dhe entuziazmi për të regjistruar veten. Por, bazuar dhe nga feedback-et që kam marr nga ndjekëset e mia të cilat shprehen se iu duket sikur po iu drejtohem atyre personalisht dhe po ju flas secilës prej tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Sepse përmes një video janë përçuar ndjenja, andaj dhe disa youtuber mund të quhen edhe “influencer” ndikues sepse vërtet fjalët e tyre kanë ndikuar tek ndjekësit e tyre. Megjithatë, dihet se takimet ballë për ballë kanë një tjetër efekt dhe ndikim të pakrahasueshëm përsa i përket thirrjes offline në raport me atë online.”
Çfarë këshille do t’u jepje vajzave apo grave që janë në fushën e teologjisë apo të vetëzhvillimit islam, të cilat duan të japin kontributin e tyre në thirrjen islame (davetin) qoftë atë online ose offline?
“E para, që është dhe më e rëndësishmja, të mësojnë dhe të lexojnë sa më shumë rreth fesë islame, ta njohin fenë sa më mirë, sepse siç thash dhe më përpara: ekspozimi vjen me përgjegjësi. Ashtu sikurse dhe thirrja islame vjen me përgjegjësi, mirëpo përgjegjësia shtohet akoma më shumë kur shtohet numri i ndjekësve dhe ekspozimi nuk bëhet më në një rreth të ngushtë me disa pjesmarrëse në një ligjëratë në një tubim, apo seminar por ekspozohesh para qindra mijëra personazh që të ndjekin online.
E dyta, përpiquni të merrni shembullin e Aishes r.a dhe ta keni si rol model. Aishja r.a nuk ishte vetëm e ditur në shkencat islame, por edhe në lëmi të tjera si mjekësia dhe diplomacia. Pra njohuritë e tjera në fusha të ndryshme janë tepër të rëndëishme gjatë procesit të thirrjes/davetit. “
Nada Dosti