Shoqata ndihmoni te Varferit

DËSHMITARËT E JEHOVAIT

Kush janë ata?

Dëshmitarët e Jehovait (DJ) janë një organizatë fetare dhe politike botërore që veprojnë fshehtas në aspekt të organizimit dhe haptas në predikim.

Ky sekt është themeluar nga Charles Taze Russell (1852-1916) në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Pennsylvania të Sh.B.A-ve, mirëpo nuk ishin të njohur në fillim me këtë emër (Dëshmitarët e Jehovait), por ata u emërtuan kështu në vitin 1931 me qëllim që të dallohen nga të krishterët tjerë. Jehova është Zoti në gjuhën hebreje.

Mësimet intensive të anëtarëve të parë të këtij sekti, bënën që shumica e tyre t’i refuzojnë mësimet tradicionale krishtere. Më vonë ata u njohën edhe me emrin Watch Tower (Kulla e Rojës). Momentalisht ata pretendojnë se kanë mbi 8.2 milion anëtar në më shumë se 200 shtete nëpër botë.

 

Besimet e tyre:

Dëshmitarët e Jehovait (DJ) janë një sektë krishtere me shumë besime që nuk janë në pajtim me besimet e zakonshme krishtere. Ata janë të njohur me preokupimin e tyre me Fundin e ditëve dhe interpretimin e tyre unik të Biblës, të quajtur Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re[1].

Ata besojnë se Isa (alejhi es-selam) nuk është Zot, qëndrim i cili i zemëron shumicën e të krishterëve, gjë e cila ka bërë  që shumica e tyrë të thonë se Dëshmitarët e Jehovait janë pseudokrishterë.

Muslimanët, siç e dimë, kategorikisht besojnë se Isa-Jezusi nuk është Zot, andaj ai i cili e lexon këtë qëndrim të tyre (DJ) mund të thotë, “Kjo fe qenka si Feja jonë”. Mirëpo kjo nuk është rasti me këtë sekt të devijuar, përkundrazi, ai i cili i njeh qëndrimet e DJ rreth Isait (alejhi es-selam) e din se tek ata ky pejgamber i Allahut ka krejtësisht rol tjetër nga ajo që besojnë muslimanët për të.

Ata e mohojnë trinitetin dhe e llogarisin si idhujtari pagane, rrjedhimisht, mohojnë edhe hyjninë e Isait-Jezusit, në mënyrën të cilën krishterët në përgjithësi e besojnë. Megjithatë, ata besojnë se Isai i biri i Merjemes, është krijesa e parë dhe më madhështore e Zotit të Lartësuar, se ai (Isai) është i biri i Zotit dhe se ai (Isai) është i cili i krijoj krijesat. Sipas tyre Jehovai (Zoti) dhe biri i Tij i parëlindur ishin në shoqërinë e ngushtë të njëri-tjetrit për miliarda vjet, shumë kohë para se të krijoheshin qiejt plot yje dhe toka. Ky bir i dashur i ngjante atit të tij në çdo gjë.[2]

Qëndrime këto të cilat janë në kundështim të plotë me mësimet e Librit të Allahut, Kur’anit, ku qartë thuhet se Allahu nuk ka lindur dikë dhe as që është i lindur.[3]

Ata besojnë se Isai jeton në qiell si Engjëjt, me emrin Mikail -kryetari i melaikeve-.

Bibla thotë: «Në qiell shpërtheu lufta: Mikaeli [një emër tjetër i Jezusit] dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit [Satana Djallit]. Edhe dragoi bashkë me engjëjt e tij luftoi.»

 

Prej besimeve më karakteristike të tyre është besimi në ditët e fundit.

Studimi i ditëve të fundit, është në qendër të besimit të DJ. Duket se origjina e këtij besimi tek ata rrjedh nga besimet përqafuara nga Nelson Horatio Barbour, një shkrimtar dhe publicist adventist[4] me ndikim, i njohur për lidhjen e tij në fillim me Charles T. Russell, edhe pse kjo lidhje më vonë kaloi në kundërshtim të njëri-tjetrit.

Adventistët e dytë, të lidhur me Nelson H. Barbour, pritën një kthim të dukshëm dhe dramatik të Krishtit në vitin 1873, dhe më vonë në vitin 1874. Ata dhe grupe të tjera Adventiste erdhën në pajtim se koha e fundit (gjithashtu e quajtur “ditët e fundit”) kishte filluar në 1799. Menjëherë pas zhgënjimit të 1874, Barbour pranoi idenë se Krishti ishte kthyer në tokë në vitin 1874, por në formë të padukshme. 1874 u konsiderua si fund i 6000 viteve të historisë njerëzore dhe fillimi i gjykimit nga Krishti. Charles Taze Russell dhe grupi që më vonë ishte i njohur si Studentët e Biblës i pranuan këto pikëpamje nga Barbour.”[5]

Nga viti 1925-1933, DJ i ndryshuan rrënjësisht besimet e tyre pas dështimit të pritjeve për Ditën e Fundit, në vitin 1914, 1915, 1918, 1920, dhe 1925. Në vitin 1925, Kulla shpjegoi një ndryshim të madh, kinse nga viti 1914 Krishti kishte qenë në fron si Mbret në qiell, në vend të 1878. Deri në vitin 1933, mësohej qartë se Krishti ishte kthyer i padukshëm në vitin 1914 dhe ditët e fundit, kishin filluar atëherë.

Gënjeshtrat dhe manipulimet e profecisë së tyre janë zbuluar shumë qartë, edhe atë disa herë kur ata kanë pretenduar fundin e botës dhe të njerzimit, gjë që nxiti shumë grupe t’i braktisin dhe më pas të hiqnin dorë nga mendimet e tyre.

Këto pikëpamje dallojnë krejtësisht nga ajo që DJ përqafojnë sot dhe për çudi ata duket se nuk kanë asnjë problem me ndryshimet e mëdha dhe të rëndësishme në sistemin e tyre të besimit.[6] Viti 1914 është ndoshta data më e rëndësishme e DJ që ka të bëj me këtë besim. Kjo ishte data e parë kurë Russell parashikoi[7] ndodhjen e Ditës së Fundit, por kur kjo nuk ndodhi, atëherë ata thanë se “njerëzit të gjallë në vitin 1914, do të jetë ende gjallë në kohën e Armagedonit”.

Kështu ndodhi edhe në vitin 1975 kur ata bazuar në besimin e tyre se do të ndodhte Dita e Fundit, shitën shtëpitë e tyre, harxhuan paratë e kursyera, i lanë punët e tyre, mirëpo kaloi ky vit dhe nuk ndodhi gjë. Kjo u bë shkak që një numër i madh i pasuesve të këtij sekti ta braktisin atë dhe numri i lënësve të sektit vazhdoi të ritet deri në vitin 1979, ku sipas të dhënave numri i DJ u stabilizua dhe shënoi një ritje të vogël.

Dëshmitarët sot pretendojnë se viti 1914 është një vit i rëndësishëm, duke shënuar fillimin e ditëve të fundit, por ata nuk caktojnë ndonjë afat kohor për përfundimin e ditëve të fundit, ngase përvoja e tyre e hidhur ka dëshmuar se përcaktimi i këtyre datave është e dëmshme për ata si organizatë. Sot, kthimi i Jezusit, apo Dita e Fundit është kuptuar se ka të bëjë me shkatërrimin e të gjitha qeverisjeve tokësore nga ana e Zotit, dhe pas kësaj, Zoti do të shtrij mbretërinë e tij qiellore edhe në tokë.

Nga ky historik i këtij besimi të tyre e shohim qartë se ata këtë parim të besimit të tyre nuk e kanë për asgjë tjetër, vetëmse për të manipuluar me ithtarët e tyre dhe me njerëzit në përgjithësi.

Poashtu ata besojnë në shpërblesën, sipas tyre shpërblesa është mjeti që përdor Jehovai për të shpëtuar njerëzimin nga mëkati dhe vdekja.[8] Poashtu ata besojnë se shpërblesa lidhet kryesisht me dy gjëra. Së pari, shpërblesa është një çmim që paguhet për të çliruar ose për të blerë përsëri diçka. Së dyti, shpërblesa është çmimi që paguhet për të mbuluar ose për të shlyer koston e diçkaje.

 

Misioni i tyre:

Që të gjithë anëtarët e tyre aktiv, qofshin nga gjinia mashkullore apo nga ajo femrore, të rinj apo të moshuar, janë të involvuar në thirrje në sektin e tyre, duke shkuar derë më derë apo duke ua prezentuar kalimtarëve të rastit qëndrimet dhe pikpamjet e tyre rreth Zotit dhe Ditës së Fundit. Ndoshta i keni vërrejtur edhe në rrethin ku ju jetoni, grupe të vogla familjare, në përgjithësi të veshur në mënyrë modeste dhe të thjeshtë, e shpërndajnë literaturën e tyre e cila në shumicën e rasteve është në format të shtypur.

Në vitin 2012 Dëshmitarët e Jehovait kanë kaluar diku 1.7 miliard orë në kësilloj aktivitetesh duke shpërndarë mbi 700 milion broshura, fletushka dhe libra.[9]

Në vitin 2012, shtypshkronjat e Dëshmitarëve të Jehovait shtypën më tepër se 1,3 miliard revista dhe 80 milionë libra e Bibla.

Sipas të dhënave zyrtare të tyre, ata që nga viti 2013, botojnë literaturë biblike në rreth 700 gjuhë dhe e shpërndajnë në 239 vende.[10]

 

Gjykimi i tyre në aspekt fetar:

Sa i përket gjykimit të tyre si jobesimtarë, themi se nuk ka dallim mes tyre dhe të krishterëve të tjerë, sepse realisht të gjitha grupacionet e krishtera kanë në përbërje të besimit të tyre idhujtarinë.

Edhe pse jokrishterët i llogaritin ata si grupacion i krishterë, vetë krishterët nuk pajtohen me këtë, madje, ky është shkaku i persekutimit të tyre nëpër disa vende krishtere. Sidoqoftë, ajo çka neve na intereson është se ata e llogarisin veten si një grupacion  krishter dhe besojnë në Bibël si libër kryesor të tyre, edhe pse besimi i tyre, siç thamë, dallon nga shumë prej besimeve të grupacioneve më të mëdha krishtere.

Përgatiti: Ali Ashani

[1] http://www.jw.org/sq

[2] Ibid.

[3] Sureja el-Ihlas

[4] Adventist – pjesëtar i ndonjë sekti krishter të cilët besojnë në kthim të Isait-Jezusit në tokë

[5] http://www.watchtowerinformationservice.org/doctrine-changes/jehovahs-witnesses/#8p1

[6] http://www.islamreligion.com/articles/5094/viewall/who-are-jehovah-s-witnesses/#_ftnref19007

[7] The final battle between good and evil advocated by most Christian denominations

[8] http://www.jw.org/sq

[9] http://www.religioustolerance.org/witness.htm

[10] http://www.jw.org/sq

Sa i dobishëm ishte ky post?

Klikoni mbi një yll për ta vlerësuar!

Vleresim mesatar 0 / 5. Numri i votave: 0

Asnjë votim deri më tani! Bëhu i pari që vlerëson këtë postim.

LINQET E RRJETEVE SOCIALE - Facebook Ndihmoni Të Varferit