Shoqata ndihmoni te Varferit

Zbulimet shkencore nën thjerrëzën kur’anore

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:

“Ai është që krijoi shtatë qiej palë mbi palë. Në krijimin e Mëshiruesit nuk mund të shohësh ndonjë kontrast, andaj drejto shikimin se a sheh ndonjë çarje?
Mandej, herë pas here drejto shikimin, e shikimi do të kthehet te ti i përulur dhe i molisur.”
(El – Mulk, 3-4)
Kurani famëmadh është mrekulli e përhershme në duart tona deri në ditën e Kijametit. Shkencëtarët e shekullit tonë në Kuran gjejnë dituri hyjnore nga të gjitha lëmitë e shkencës.
Njerëzimi, në shkallë të ndryshme të zhvillimit të tij nëpër etapa, ka arritur të pasurojë fondin e vet me dije të ndryshme, andaj edhe zbulimet janë bërë nëpër etapa, shkallë-shkallë. Shumëçka është zbuluar, por edhe më tej mbetet i gjerë diapazoni i asaj që nuk është zbuluar.
Gjithësia e paskajshme e fshehtësive ekzistuese sikur rritet dhe bymehet përherë e më shumë pas çdo zbulimi të ri shkencor. Para gjeniut shkencor, ato fshehtësi të shumta mbajnë shenjën e një infiniti të pakufizuar dhe dehen në vrapin e tij hulumtues, duke mbetur gjithmonë të mahnitur dhe duke u përulur para Krijuesit të gjithëdijshëm.
Kurani fisnik zbriti në formën më të zhvilluar dhe më të lartë artistike. Kurani deri më sot ka ruajtur origjinalitetin dhe në të nuk është bërë asnjë devijim dhe asnjë ndryshim.
Gjatë leximit të Kuranit fisnik përjetohet një ritëm i veçantë përplot muzikalitet, një ritëm magjik, i butë, i ëmbël, dhe i thellë i cili trondit tërë qenien njerëzore.
Gjatë këtyre 14 shekujve asnjë libër nuk është lexuar, nuk është komentuar dhe nuk e ka formësuar mendimin njerëzorë siç e ka bërë Kurani. Kurani fisnik ka efekt të fuqishëm. Gjuha e tij ëshë e përshkruar nga fuqia e fjalës Hyjnore, andaj edhe mesazhi i tij është madhështor:
“Dhe thuaj: “Falënderoj All-llahun, e Ai do t’ua tregojë argumentet e veta dhe do t’i kuptoni ato atëherë (kur nuk u bën dobi). Zoti yt nuk është indiferent ndaj asaj që veproni ju.” (En – Neml, 93)
Nëse çdo gjë në këtë ekzistencë multiunivers është krijim i Allahut të madhërishëm atëherë edhe ligjet që mbretërojnë në të janë krijim i Tij.
Këto ligje dhe rregulla në këtë gjithësi i vuri Allahu i madhërishëm. Edhe shkaset për të cilat janë vendosur këto rregulla janë poashtu prej Madhërisë së Tij. As dielli, as hëna, as yjet, e as toka nuk u nënshtrohen rregullave njerëzore, por u nënshtrohen ligjeve dhe rregullave të Krijuesit të tyre, i Cili i krijoi dhe secilës prej tyre ia caktoi rolin dhe funksionin në Gjithësi, të cilin duhet ta kryejë patjetër, siç aludon verseti i Kuranit fisnik:
“Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin!
I cili krijoi dhe përsosi,
Dhe i cili përcaktoi e orientoi.” (El – A’ëla, 1-3)
Andaj, kur flasim për mrekullitë shkencore të Kuranit fisnik, atëherë fjala është për Kuranin si prijatar të shkencës (i shpallur 14 shekuj më parë) me shumë fakte dhe argumente shkencore në kohën kur njerëzit nuk kanë ditur fare për ato fakte dhe argumente që i përmban ai.
Mesazhi i Kuranit fisnik është veçanërisht i pasur me argumente shkencore të cilat njerëzit e asaj kohe nuk kanë mundur t’i ëndërrojnë.
Pasi Kurani është kaq i saktë në çështjet e shkencës, të cilën saktësi tani mund ta shohim dhe ta vërtetojmë përmes arritjeve të mëdha shkencore, a nuk i mjafton intelektit njerëzor të bindet që ky libër rrjedh nga Burimi Hyjnor, i cili Burim posedon dituri të paarritshme dhe të paimagjinueshme nga ajo që ne posedojmë?
A nuk i mjafton intelektit njerëzor argumenti i pakundërshtueshëm që ky Burim Hyjnor flet me saktësi jashtëzakonisht të lartë për fenomenet e të padukshmes, për shpirtin njerëzor dhe ahiretin, të cilët nuk mund t’i argumentojë asnjë njeri?
Prandaj, saktësia dhe vërtetësia e Kuranit famëmadh është garantuar nga Allahu i gjithëdijshëm për çdo vend, kohë, epokë, dhe brez:
“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53)
Ne ndodhemi para një mrekullie që ka krijuar Allahu i madhërishëm mbi Tokë dhe ajo e meriton të quhet dhe të konsiderohet një mrekulli e një lloji të veçantë.
Përkujtojmë versetin kuranor:
“A nuk i shikojnë devet se si janë krijuar?” (El – Gashije, 17)
Dhe qëllimi është: A nuk e studiojnë njerëzit dhe a nuk thellohen në krijimin e deveve?!
Shtrohet pyetja: Si shfaqen mrekullitë e Zotit në këtë krijesë? Mrekullitë e Zotit tek kjo krijesë shfaqen në tri forma: E para është paraqitja e saj fizike, e dyta ana shpirtërore dhe e treta elementet përbërës.
Një ndër karakteristikat specifike të devesë është struktura e saj trupore, në të cilën strukturë nuk ndikojnë as kushtet më të ashpra klimatike të jetës.
Sytë e devesë përbëhen nga tre qepalla dhe jo me dy siç kemi ne. Qepalla e tretë është si një perde e tejdukshme, të cilën e përdorin gjatë udhëtimeve në shkretëtira gje gjatë erërave të forta. Kjo qepallë luan rolin e xhamit të makinës.
Lëkura e devesë përbëhet nga qime të trasha dhe të dendura, të cilat jo vetëm që e mbrojnë trupin e kafshës nga ngrirja apo djegia, por eliminojnë gjithashtu tepricën e ujit nga trupi. Me këto qime të dendura devetë e Azisë mund t’i përballojnë temperaturat deri në 150grade celcius në periudhën verore, dhe -50grade celcius në periudhën dimërore.
Deveja mund të jetojë tetë ditë pa ushqim dhe pa ujë në temperaturë prej 50grade celcius. Në këtë periudhë ajo humb 22% të peshës trupore. Shkaku tjetër i qëndrueshmërisë së saj në vapë është mekanizmi i cili ia mundëson asaj ngritjen e temperaturës së brendshme në 41grade celcius. Në saj të kësaj veçorie deveja e ruan humbjen e ujit në shkallë minimale, në kushte të vapës së skajshme të shkretëtirës. Ajo mund ta ul gjithashtu temperaturën e brendshme trupore deri në 30grade celcius në netët e ftohta të shkretëtirës.
Devetë e shkretëtirës janë rezistente bile edhe deri në +70 grade celcius, ndërsa deveja me dy gunga mund të mbijetojë në temperaturë të ulëta deri në -50 grade celcius. Ky lloj i devesë mund të mbijetojë edhe në lartësi deri në 4000 m.
Deveja ka dy sisteme qarkullimi të gjakut, në një trup të vetëm. Koka, qafa, dhe trupi i devesë kanë një sistem të caktuar qarkullimi, kurse këmbët kanë sistem tjetër.
Mbresëlënëse tek deveja është edhe procesi i urinimit. Të gjithë kafshët ripërtypëse nëse nuk urinojnë, këto ujëra shkaktojnë helmimin e kafshës dhe rrjedhimisht ngordhin. Kjo ndodh tek të gjitha kafshët ripërtypëse, përveç devesë.
Ajo merr urinën e saj dhe e dërgon në mëlçi e cila nga ana e vet e filtron dhe merr lëndët azotike që gjinden në urinën e saj dhe i shndërron në ushqim. Lëndët azotike, deveja i merr dhe i riciklon duke i shndërruar përsëri në proteinë dhe lëndë ushqyese. Përveç proteinës që përfiton, ajo përfiton edhe diçka tjetër jetësore nga ky proces, ujin. Kështu, ajo vret dy zogj me një gur. Një proces të tillë kaq të ndërlikuar nuk e gjejmë tek asnjë kafshë tjetër përveç devesë.
Kur flasim për anën shpirtërore të devesë është diçka e bukur. Ajo ka ndjenja, është besnike, dëshpërohet dhe qan. Devetë kanë karakteristike qetësinë, bindjen dhe nënshtrimin ndaj njeriut. Devenë mund ta tërheq dhe ta çojë nga të dojë edhe një djalë i vogël. Ajo e dallon zërin e pronarit të saj nëpërmes erës dhe zërit, madje dallon edhe tendat e familjes ku banon. Deveja ka edhe një karakteristikë tjetër pozitive, ajo e do dhe lidhet shumë me pronarin e saj. Nëse e humb atë dhe nuk e sheh për një kohë të gjatë, mërzitet, madje mund edhe të sëmuret. Deveja mërzitet, madje mund të qajë edhe t’i rrjedhin lotë. Një e metë e devesë është se është hakmarrëse dhe nuk e harron keqtrajtimin. Nëse ajo zemërohet dhe inatoset, e ruan të fshehtë derisa të vijë momenti i përshtatshëm për t’u hakmarrë. Dhe hakmarrja e saj është me pasoja të rënda!
Meqë është krijuar me veti të këtilla superior fizike, i është dhënë njeriut që ta përdorë atë për nevoja të përditshme.

Në dritën e informatave të cekura, shtrohet pyetja: A i përshtati deveja veë kushtet për jetë në shkretëtirë? A e krijoi vetë strukturën e syve dhe të hundës për t’u mbrojtur nga erërat dhe stuhitë e shkretëtirës, apo ndoshta e krijoi vetë një strukturë të tillë qelizore që të mos e humbasë asnjë pikë ujë pa nevojë?
Po vallë mos e zgjodhi vetë tipin e qimeve të cilat ia mbulojnë trupin e saj për t’u ruajtur aq mirë nga temperaturat e larta? Mos ndoshta ajo veten e krijoi si një anije të shkretëtirës?
Verseti i Kuranit famëmadh shpjegon krijimin në mënyrën më të bukur të kësaj kafshe të jashtëzakonshme.
Për këtë begati rikujtojmë versetin e Kuranit fisnik:
”A nuk e dini ju se All-llahu nënshtroi për të mirën tuaj ç’ka në qiej e ç’ka në tokë dhe plotësoi ndaj jush të mirat e Tij të dukshme e të fshehta, e megjithatë prej njerëzve ka që polemizojnë çështjen e All-llahut duke mos pasur as dituri, duke mos qenë i udhëzuar dhe duke mos pasur libër të ndritshëm.” (Llukman, 20)
Mrekullia e Kuranit fisnik vërehet edhe në mjetet e transportit.
Allahu i madhërishëm thotë:
“Dhe Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) dhe ju mundësoi të udhëtoni hipur në anije ose në kafshë.
Të uleni mbi to dhe atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to, ta përkujtoni të mirën që ua dha Zoti juaj e të thoni: “Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.” (Ez – Zuhrufë, 12-13)
Ky verset tregon se ne nuk do të mund t’i shfrytëzonim këto mjete nëse Allahu nuk do t’i nënshtronte për ne.
Ky verset i shenjtë përmend për ne lloje të ndryshme mjetesh transporti. Le të meditojmë formën e kafshëve grabitqare si p.sh. tigrit apo luanit, që shkencëtarët dolën në konkluzionin se këto janë të papërshtatshme nga natyra që të vendosen në shërbim të njeriut. Njeriu është përpjekur me mijëra vjet që të zbusë lloje të ndryshme kafshësh, por ka patur sukses vetëm me një numër të kufizuar kafshësh.
Kjo tregon se Allahu është Ai i Cili ka nënshtruar ato për ne, a të mos e falënderojmë Allahun për këtë mirësi?
Tufën e deleve e drejton një bari i vetëm, dhe mund të jetë edhe një fëmijë i vogël. Kush ia dha aftësinë e një fëmije për të drejtuar këtë tufë, nëse Allahu nuk do t’i krijontë dhentë ashtu siç janë tani, si do të ishte e mundur që njeriu të përfitonte prej tyre?
Allahu i madhërishëm thotë:
“A nuk e shohin ata se nga ajo që Ne vetë e shpikëm, u krijuam atyre kafshët që ata i kanë.
Dhe ua bëmë ato që t’u binden atyre, e disave prej tyre u hipin, ndërsa prej disave ushqehen.” (Ja Sin, 71-72)
Nga mëshira e Allahut është se Ai nënshtroi detin, erërat, dallgët, dhe e bëri ujin më të rëndë sesa druri dhe materialet tjera me të cilat ndërtohen anijet që të qëndrojnë mbi ujë e të mos fundosen, sipas ligjit të Arkimedit.
Allahu i madhërishëm thotë:
“Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i mbani (i vishni), e i sheh anijet si çajnë (lundrojnë) në të (me ushtimë e çajnë ujin në det). Ua nënshtroi që të shfrytëzoni nga begatitë e Tij dhe ashtu të falënderoni (Zotin).” (En – Nahl, 14)
Anijet konsiderohen nga mjetet më të vjetra të transportit të njohura gjatë historisë deri në ditët tona, dhe transporti detar konsiderohet nga më të lirat.
Allahu i madhërishëm thotë:
“All-llahu është Ai, që për ju e nënshtroi detin që me lejen e Tij të lundrojnë anijet nëpër të, që të kërkoni begatitë e tij; ndaj, falënderone.
Dhe për ju nënshtroi gjithë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë, njëmend për njerëzit që mendojnë thellë, në to ekzistojnë argumente.” (El – Xhathije, 12-13)
Aeroplani ndryshoi fytyrën e botës dhe kjo u arrit kur dy vëllezërit Rait fluturuan për herë të parë në histori me avionin e tyre. Tashmë filloi një epokë e re e fluturimeve ajrore dhe kozmike.
Allahu i madhërishëm thotë:
“. . . E Ai krijon (për hipje) çka ju (tash) nuk dini.” (En – Nahl, 8)
– është paralajmërues për këto mjete të reja transporti, si dhe tjerat që ende nuk janë zbuluar.
Sa herë të udhëtoni duhet të thoni lutjen e udhëtimit:
“Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.” (Ez – Zuhrufë, 13)
Sa herë që ne të nisemi për ndonjë udhëtim, le të kujtojmë udhëtimin e ahiretit, që fundi ynë është për në botën tjetër, çdo hap, çdo frymë na afron me vdekjen nga e cila nuk ka shpëtim. Kjo njëherit na mëson një mësim të fshehtë që është e domosdoshme të mos nxitojmë, sepse nëse njerëzit do ta praktikojnë këtë e të kujtojnë udhëtimin për në botën tjetër, do të pakësoheshin aksidentet rrugore në një masë të madhe.
Askush nuk e kuptonte sekretin e thënies se Allahut të madhërishëm të shpallur në Kuran në atë kohë:
“. . . E Ai krijon (për hipje) çka ju (tash) nuk dini.” (En – Nahl, 8)

Kjo ka disa kuptime:

1. Kjo nënkupton mjetet e reja të transportit që njerëzit i kanë shpikur dhe ato që do t’i shpikin.
2. Të gjitha mjetet e transportit qofshin tokësore, detare apo ajrore, Krijuesi i tyre i vërtet dhe Frymëzuesi i tyre te njeriu është Allahu i madhërishëm.
3. Lënda me të cilën i ndërton njeriu këto mjete është i krijuar prej Allahut të madhërishëm. Ne e dimë se elementi që e karakterizon civilizimin e kohëve moderne është hekuri i cili është zbritur nga qielli. Allahu i madhërishëm thotë:
“Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës. Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz, e edhe për t’u ditur tek All-llahu se kush ndihmon Atë (rrugën e Tij) dhe të dërguarit e Tij duke i besuar të fshehtës. S’ka dyshim se All-llahu është i fuqishëm, mbizotërues.” (El – Hadid, 25)
4. Kurani është libër që na flet për mjetet e transportit nëpërmjet versetit: “Dhe krijon atë që nuk e dini.” Ky verset është argument për mrekullinë e Kuranit në këtë fushë.
Allahu i madhërishëm vendos në këtë univers dhe çka në të prej krijesave një ligj të vetëm, një sistem të ekuilibruar që gjykon mbi gjithçka. Ky ligj i ekuilibruar dhe i drejtë nuk ka të meta dhe mangësi në të, kurse në lidhje me njeriun ky ligj është akoma i paqartë, i panjohur për shkak të kuptuarit të kufizuar.
Le të meditojmë për këtë verset të shenjtë në Kuran:
“Ai e ngriti edhe qiellin dhe Ai vuri drejtësinë.
Që të mos kaloni kufirin në drejtësi.” (Er – Rrahman, 7-8)
Madhështia e çdo fjale që gjejmë në të është se balanca me të cilën Allahu e ngriti qiellin është një mirësi e madhe nga Zoti ynë që meriton meditim në të. Kjo është një mrekulli ku shkencëtarët nuk kanë mundur t’i zbulojnë sekretet e saj përveç në fund të shekullit njëzet, gjë e cila dëshmon për mrekullinë e Kuranit famëlartë.
Çfarë lidhje ka ngritja e qiellit dhe balancimi?
Kurani famëlartë flet me një saktësi dhe preçizon rreth ngritjes së qiellit dhe ndërtimit të tij. Qiell do të thotë gjithçka që është sipër nesh, ai është në vend të tavanit për banorët e tokës, ku mijëra kilometra sipër tokës është mbështjellësi – atmosfera e tokës e cila rrethon tokën. Ajo ndahet në disa shtresa sipas veçorive të temperaturës dhe përbërsve kimik të gazrave që përfshin.
Nëse përmendim vetëm shtresën e jonosferës e cila është shumë e rëndësishme në rolin që luan për kthimin prapa të valëve në lidhje me radion për shkak të dendësisë së elektroneve në këtë shtresë.

Nëse do të meditojmë rreth këtij universi të gjerë, do të gjejmë se ai përbëhet nga pjesëza shumë të vogla që quhen atome, dhe nga bashkimi i atomeve formohen elementet dhe këto elemente janë të renditura sipas një sistemi të balancuar që kontrollohet e udhëhiqet nga forca.
Allahu i madhërishëm thotë:
“Ne i dërguam të dërguarit Tanë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës. Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz, e edhe për t’u ditur tek All-llahu se kush ndihmon Atë (rrugën e Tij) dhe të dërguarit e Tij duke i besuar të fshehtës. S’ka dyshim se All-llahu është i fuqishëm, mbizotërues. “ (El – Hadid, 25)
Forcat të cilat ndikojnë tek trupat qiellor janë:
1. Forca e gravitetit është forca më e dobët që gjendet në natyrë, pavarësisht nga kjo, ajo është forca e vetme në natyrë e cila ndikon në distanca të largëta në këtë univers. Ajo lidh midis planeteve dhe diellit dhe ndalon trupat që të mos fluturojnë e të mos shkëputen nga sistemi.
2. Forca më e dobët është ajo që buron nga shpërbërja e neutronit brenda bërthamës, e cila ndodh për shkak të ndikimit të rrezeve dhe ndikimi i kësaj force nuk e kalon kufirin e bërthamës së atomit.
3. Forca elektromagnetike është biliona herë më e fortë se forca e gravitetit. Qëllimi i saj është të lidh atomet dhe elementet dhe i bën një trup të lidhur. Ndikimi i kësaj force arrin në distanca të largëta dhe ajo ruan rrotullimin e elektroneve rreth bërthamës. Ndryshimi më i vogël në këtë sistem, do të shkaktonte përmbysjen e universit.
4. Forca bërthamore është fuqia më e madhe që ekziston në natyrë e cila është me mijëra herë më e madhe se forca elektromagnetike.
Llogaritë e sakta në këtë nivel të atomit janë ato që e ruajnë balancin në univers, që ia kalojnë përceptimeve tona. Mungesa e një prej këtyre forcave do ta çonte universin drejt shkatërrimit dhe ne nuk na mbetet tjetër përveç se të falënderojmë Allahun për këtë mirësi kaq të madhe që na ka dhuruar.
Allahu i madhërishëm thotë:
“A është më i rëndë krijimi juaj apo ai i qiellit? E Ai e ngriti atë!
Ngriti kupën e tij dhe e përsosi atë.” (En – Naziatë, 27-28)
Meqë Allahu është krijues i të gjitha diturive, mesazhi i Kuranit famëmadh është i vërtet dhe shkencor, ai mund t’i bëjë ballë shkencës në të gjitha kohët.
Shembuj tejet interesant dhe të shkëlqyer për shkencëtarët hasim në kaptinën Ankebut (Merimanga):
“Shembulli i atyre, të cilët veç All-llahut morën mbrojtës (zota idhujsh), është si shembulli i merimangës që thur shtëpi, e sikur ta dinin ata, më e dobëta shtëpi është e shtëpia e merimangës.” (El – Ankebut, 41)
Rrjeta e merimangës është njëri prej argumenteve më mahnitës dhe më të çuditshëm të krijesave të Allahut të madhërishëm. Përbëhet prej fijeve të mëndafshta dhe shumë të ndieshme të cilat formohen nga sekreti i gjëndrrave të merimangës. Kohëve të fundit u zbulua në Afrikë një lloj merimange që formon fije ari. Ekzistojnë shumë lloje të merimangave dhe rrjedhimisht edhe shumë lloje rrjetash që i thurrin ato.
Ekzistojnë rrjeta apo fole në formë gype me një ose dy dyer, banesë vërtet e ngrohtë familjare. Ato rrjeta kanë një pikë qendrore dhe vija në formë rrezesh, të cilat lidhin fijet e tërthorta përreth pikës qendrore apo qendrës. Ky është një instrument gjuetie. E tërë struktura është shembull i ekonomisë në kohë, material dhe në renditjen e fijeve. Menjëherë, posa ndonjë insekt bie në rrjetë, merimanga i ndien vibrimet dhe afrohet për ta mbytur gjahun. Nëse insekti është shumë i madh dhe i fuqishëm, merimanga përdor gjëndrrat e saj helmuese. Në fijet e merimangës ka veçori të veçanta që të habisin. Fija e merimangës me diametër më të vogël se e mijëta pjesë e milimetrit, është pesë herë më e fortë se fija e çelikut, më e fortë dhe më elastike se fija e mëndafshit. Çeliku special që prodhohet në fabrika të ndryshme është një prej materialeve më të fuqishme, por merimanga në trupin e saj edhepse në dukje insekt i vocërr, mund të prodhojë fije më të forta se çeliku special. Dhe përderisa njeriu në prodhimin e çelikut përdor një dituri dhe teknologji shekullore, a thua cilën dituri dhe teknologji të përsosur përdor merimanga derisa i bën fijet e veta? Siç vërehet, të gjitha mjetet teknologjike të cilat i ka në dorë njeriu, ngecin pas mundësive të habitshme që ka merimanga. Pra, merimanga ka teknikë më të avancuar në këtë drejtim.
Po, vërse vallë Kurani fisnik thotë: “E sikur ta dinin ata, më e dobëta shtëpi është e shtëpia e merimangës.”?
Këtu fshihet një mister biologjik. Sot u zbulua se merimanga femër (edhe në arabisht por edhe në gjuhën shqipe si emër ka vetëm gjinië femërore) është ndërtuese e shtëpisë së saj. Ajo ndërton rrjetën e saj dhe dominon në rrethin ku jeton. Pas mbarësimit, merimanga e mbyt menjëherë mashkullin dhe ushqehet me të.
Pra, ajo i gjason mjaft “familjes moderne”, në të cilën për çdo gjë vendos femra. Të vegjëlit posa dalin nga vezët e hanë njëri tjetrin.
Fjala tejet e qëlluar arabe “vehnun” do të thotë dobësi, lodhje, rraskapitje deri në maksimum. Pra, të gjithë ata që kërkojnë dhe zgjedhin mbrojtës tjetër, e jo Allahun, d.m.th. të gjitha ideologjitë apo “izmat” që ishin apo do të vijnë pas nesh, që nuk kanë bazë dhe mbështetje tek Allahu i madhërishëm, i përngjajnë merimangës, karakterit të saj grabitës, por edhe shtëpisë së saj, e cila është tepër e dobët, pa mure, transparente dhe zhduket menjëherë posa ta prekësh.
Pra, verseti kuranor mund të kuptohet si parabollë. Fijet e merimangës nga aspekti i saj janë të fuqishme, por nga aspekti i njeriut janë të dobëta dhe fare lehtë i bart era. Kështu është edhe me fuqinë njerëzore kur bazohet në mjetet materiale të cilat sado që në pamje të parë duken të bukura dhe relativisht të sofistikuara nuk paraqesin asgjë kundrruall realitetit të amshuar. Struktura e tejndieshme, ndërtuese e një merimange nuk mund t’i kundërvihet lëvizjes të dorës njerëzore.
Në këtë pyetje të cilën shumica e njerëzve e harrojnë dhe e anashkalojnë qëndron e vërteta. Njerëzit mendojnë se janë të sigurt nëse mbështeten tek pasuria, fuqia, dituria, etj., pra tek forca e jashtme, por në fakt ata e harrojnë njërën, e harrojnë Atë që i ka krijuar të gjitha. Kundrruall fuqisë së Allahut të plotfuqishëm, të gjitha të tjerat janë fuqi të rreme dhe pa vlerë siç është personaliteti, shoqëria, shteti e të ngjajshme, mu sikur rrjeta e merimangës – të dobëta, të thyeshme, të paqëndrueshme, sepse një fshesë i zhduk menjëherë.
Andaj, kur e tregon një të vërtetë shkencore, Kurani famëmadh ka metodën e vet të paraqitjes së gjërave, që dallon nga metodat tjera. Ai nuk e shtjellon sikur do ta shtjellonte një shkencëtar i mirëfilltë, apo siç bën biokimisti apo fizikani që i paraqet gjërat në hollësi.
Kurani fisnik e tregon të vërtetën shkencore me shenja (isharet) simbolikisht me metaforë, parabollë, me shpejtësi rrufeje, me shpejtësinë që e përshkon intelektin me një shkëlqim të rrufeshëm.
Kurani famëmadh herë-herë përdor ndonjë fjalë që bashkëkohasit nuk janë në gjendje ta kuptojnë apo ta shpjegojnë, por Allahu i madhërishëm e di që brezat e ardhshëm do ta shpjegojnë, siç bën aluzion verseti kuranor:
“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53)

LITERATURA:

1. Sherif Ahmeti: Kur’ani – përkthim me komentim; Prishtinë, 1988.
2. Tefsir i Ibn Kethir; Sarajevë, 2000.
3. Muhammed Dhehebi: Komentimi shkencor i Kuranit; Dituria Islame, nr.42., Prishtinë, 1992.
4. Sejjid Kutub: U okrilju Kur’ana; Sarajevë, 1996.
5. Harun Jahja: Mrekullitë e Kuranit, Tiranë, 2002.

6. Enes Kariq: Semantika Kur’ana; Sarajevë, 1998.
7. Rasim Bejtullahu: Astronomia; tekst universitar, Prishtinë, 2003.
8. Saimir Bulku: Sekretet e qiellit në Kur’an; Tiranë, 2011.
9. Dr. Ali Iljazi: Kur’ani famëmadh nga këndvështrimi shkencor; Gjakovë, 2002.
10. Dr. Ali Iljazi: Kur’ani prijatar i shkencës; Gjakovë, 2003.
11. The History of Transportation, www.about.com.
12. NASA Finds Direct Proof of Dark Matter, NASA Release, August 21, 2006.
13. Mustafa Ahmed: Scientific sings in the Qur’an Examples from the area of Earth Scienes.
14. Salim T S al-Hassani: 1001 Inventions Muslim Heritager in Our World; Londër, 2005.
15. Bernard O’Kane: Treasures of Islam – Artistic glories of the muslim world; Londër, 2007. /islamgjakova

Sa i dobishëm ishte ky post?

Klikoni mbi një yll për ta vlerësuar!

Vleresim mesatar 0 / 5. Numri i votave: 0

Asnjë votim deri më tani! Bëhu i pari që vlerëson këtë postim.

LINQET E RRJETEVE SOCIALE - Facebook Ndihmoni Të Varferit