Shoqata ndihmoni te Varferit

Arsimi

Shtëpia botuese e librave amerikane Scholastic ka tërhequr librin “Aventurat e Ook dhe Gluk” pas shfaqjes së racizmit të fshehtë thuhet në deklaratën e botuesit.

Botuesi i librave tha në një deklaratë se vendimi u mor me 22 mars se bashku me autorin, Dav Pilkey, i cili njihet për serinë jashtëzakonisht të suksesshme të librave për fëmijë “Captain Underpants.”
Në deklaratën e tij Pilkey tha se libri kishte për qëllim “shfaqjen e diverzitetin, barazinë dhe zgjidhjet jo të dhunshme të konflikteve.”
“Por këtë javë mu tërhoq vëmendja se libri gjithashtu përmban stereotipe të dëmshme racore dhe imazhe të fshehta raciste,” tha më tej autori. “Doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të kërkuar falje publike për këtë. Ishte edhe e gabuar edhe e dëmshme për lexuesit, miqtë, familjen time aziatike dhe për të gjithë njerëzit aziatikë.”
Libri flet për miqtë që “shpëtojnë botën” duke përdorur kung-funë dhe parimet nga filozofia kineze, tha ai.
Vendimi i Scholastic pasoi vendimin e ngjashëm nga kompania Dr. Seuss e cila në fillim të këtij muaji tha se do të ndërpriste botimin e gjashtë titujve nga seria e tyre për arsye të ngjashme racizmi. /Mesazhi.com

Gjuha turke lëndë me zgjedhje në shkollat shqiptare, në Turqi do të mësohet shqip

Gjuha turke është vendosur si lëndë me zgjedhje në shkollat shqiptare.

Ky vendim është bërë i ditur nga marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Turqisë.

Ndërsa në Fletoren Zyrtare është publikuar marrëveshja mes dy vendeve e cila parashikon edhe futjen e gjuhës turke në shkollat shqipe si lëndë e një gjuhe të huaj me zgjedhje të lirë, me qëllim një programi pilot në gjuhën turke.

Referuar marrëveshjes, dy vendet do të bashkëpunojë në shkëmbimin e nxënësve e studentëve, duke ofruar bursa reciproke; për student shqiptarë në Turqi dhe për student turq në Shqipëri. E njëjta praktikë do të ndiqet edhe me personelin mësimor. Po ashtu, marrëveshja parashikon se palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.

Në nenin 3. pika 2, sanksionon edhe futjen e gjuhës turke në shkolla. Në këtë pikë thuhet qartë se palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor, njofton ABC News.

Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare

Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.

Pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke.

Pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.

Universiteti i Tiranës nxjerr rregullat/ Si do të zhvillohen provimet online

Universiteti i Tiranës ka hartuar një propozim për zhvillimin e sezonit të provimeve online të cilin pritet t’ia dorëzojë Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Ata kanë hartuar një rregullore për zhvillimin e provimeve në mënyrë që të evitojnë grumbullimet e studentëve nëpër auditore për të shmangur shtim të intektimeve nga koronavirusi. Në rregullore është parashikuar që provimet të bëhen online me gojë dhe të regjistrohen.

Njoftimi:

RREGULLORE E POSAÇME PËR PROCEDURËN E ZHVILLIMIT TË PROVIMEVE ONLINE NË UNIVERSITETIN E TIRANËS PËR SESIONIN E DIMRIT TË VITIT AKADEMIK 2020-2021

Kjo rregullore është hartuar duke u bazuar nënenin 3 të Ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, nenin 34 të Statutit të UT-së si edhe pas vendimit të fundit të Komitetit Teknik tëEkspertëve për situatën e pandemisë Covid-19.

Në kontekstin e zhvillimit të mësimit në distancë, Universieti i Tiranës ka marrë masat që të zhvillojë provimet në distancë, elektronikisht, online dhe studentët të mund të përfundojnë sezonin e provimeve të dimrit brenda afatit të parashikuar.

Kjo Rregullore është përgatitur për provimet që do të zhvillohen elektronikisht, online dhe synon të paraqesë informacion dhe rregulla mbështetëse për studentët, pedagogët dhe administratën për të zhvilluar provimet; për të garantuar mundësi provimi për të gjithë studentët dhe për të garantuar cilësi të të gjithë procesit të provimeve.

Kjo Rregullore vepron vetëm për periudhën e provimeve që zhvillohen elektronikisht, online.

RREGULLA TË PËRGJITHSHME

Kalendari i provimeve përgatitet në përputhje me vendimet e strukturës kademike të Njësive kryesore.

Për çdo provim online caktohen dy data të njëpasnjëshme, për t’i krijuar mundësi provimi studentëve që mund të kenë probleme shëndeti, familjare, të qasjes në internet ose të funksionimit të pajisjeve eklektronike.

Për të gjitha provimet online do të zbatohen rregullat e ndershmërisë akademike dhe të gjitha format e pandërshmërisë akademike do të ndëshkohen sipas Kodit të Etikës.

Provimet online kryhen nëpërmjet platformës Microsoft Teams.

Provimet që zhvillohen me gojë online regjistrohen.

Të gjitha punimet elektronike të studentëve për qëllime vlerësimi regjistrohen nga pedagogët në CD dhe ruhen në departamente për qëllime të trajtimit të ankesave të studentëve dhe si dokumente për akreditimin.

Nëse lënda mësimore është zhvilluar nga një pedagog, vlerësimi i arritjeve akademike të studentit nëpërmjet provimit do të kryeht nga pedagogu që ka zhvilluar lëndën.

Nëse lënda mësimore është zhvilluar nga dy ose më shumë pedagogë, vlerësimi i arritjeve akademike të studentit nëpërmjet provimit do të kryhet nga të gjithë pedagogët që kanë zhvilluar lëndën.

Të gjitha rezultatet e provimeve i dërgohen Sekretarisë mësimore.

10.Për provimin e diplomimit në sezonin e dimrit, Njësitë bazë përgatisin programin për provimin e diplomimit dhe e venë në dispozicion të studentëve 10 ditë para përfundimit të mësimit në distancë.

11.Komisionet e provimeve të diplomës organizohen sipas rregulloores së UT.

Shërbimi i IT të Njësive kryesore dhe i Rektoratit janë përgjegjës për administrimin dhe asistencën teknike për platformën Microsoft Teams si dhe jep çdo mbështetje teknike për provimet, asistencë ndajstudentëve dhe pedagogëve për përdorimin e platformave për provimet dhe mbështetjen në rast të problematikave teknike gjatë provimit.

RREGULLA TË VEÇANTA PËR PEDAGOGËT

Pedagogu/ komisioni i vlerësimit respekton formën e miratuar të provimit për lëndët mësimore.

Pedagogu informon studentët për procedurën e provimit elektronik, online 10 ditë para përfundimit të mësimit në distancë.

Pedagogu informon studentët për standardet e formatit të punimit që do të paraqitet elektronikisht për qëllime të provimit dhe paraqet kriteret e vlerësimit për provimin me gojë; për pyetjet e tipit subjektiv; për detyrën e provimit që do të kryhet nga shtëpia; për punimet e dosjes elektronike; për punimet e dosjes profesionale, 10 ditë para përfundimit të mësimit në distancë.

Pedagogu i familjarizon studentët me format e provimit elektronik, online dhe bën me studentët një provë të formës së provimit online deri në javën e fundit të mësimit në distancë.

5.Pedagogu përgatit pyetjet e provimit me gojë online; testin me shkrim online; formatin dhe kërkesat e detyrës për provimin e kryer nga shtëpia dhe provimin me dosje elektronike dhe ia dërgon elektronikisht drejtuesit të departamentit në format PDF ditën e zhvillimit të provimit.

Pedagogu përgatit kriteret për vlerësim: për provimin me gojë; për pyetjet e tipit subjektiv; për detyrën e provimit që do të kryhet nga shtëpia; për punimet e dosjes elektronike; për punimet e dosjes profesionale; çelësin e përgjigjeve për testin me pyetje të tipit objektiv dhe ia dërgon elektronikisht drejtuesit të departamentit në format PDF ditën e zhvillimit të provimit.

Pedagogu përgatit pyetje, kërkesa dhe detyra të tilla për provim, që të garantojnë vlefshmërinë e vlerësimit, pra që të jenë të përshtatshme për të matur njohuritë dhe aftësitë e parashikuara në rezultatet e të nxënit.

8.Pedagogu përgatit pyetje, kërkesa dhe detyra të tilla për provim, që të garantojnë besueshmërinë e vlerësimit, pra që të pasqyrojnë konsistencën, objektivitetin dhe që të shmangin kopjimin, plagjiaturën e të tjera dukuri të pandershmërisë akademike.

Pedagogu përcakton kohën e zgjatjes së provimit duke mbajtur parasysh formën e provimit; llojin e detyrës për provimin nga shtëpia dhe për provimin me dosje elektronike; numrin dhe llojin e pyetjeve të testit me shkrim. Si rregull kohëzgjatja e provimit me gojë do të jetë 10-15 minuta, për testin me shkrim online 1-2 orë, për provimin e kryer nga shtëpia 2-3 orë.

Pedagogu merr listën e studentëve për provim nga Sekretaria mësimore tri ditë përpara datë së provimit dhe vendos kontaktin me studentët.

Pedagogu u dërgon studentëve dy ditë para provimit orën e fillimit dhe të mbarimit të provimit dhe udhëzimet e hollësishme për procedurën e provimit online.

Pedagogu kërkon kartën e identitetit të studentit nëpërmjet e-mailit dy ditë para provimit dhe i kërkon studentit ta paraqesë në momentin e zhvillimit të provimit online.

Pedagogu nuk pranon punime të dërguara jashtë datës dhe orarit të përcaktuar të provimit.

Pedagogu që zhvillon provim me gojë online regjistron procedurën e provimit për çdo student në CD dhe e depoziton në departament pas përfundimit të provimit.

Pedagogu regjistron në CD të gjithë dokumentacionin elektronik të provimeve, pyetjet, kërkesat, kriteret, detyrat e studentëve dhe e mban në dosjen e vet personale.

Pedagogu idërgon Sekretarisë mësimore rezultatet e vlerësimit të studentëve në provime brenda 5 ditëve nga zhvillimi i provimit.

III. RREGULLA TË VEÇANTA PËR STUDENTËT

Studentët informohen 10 ditë para përfundimit të mësimit për llojin e testit me shkrim, formatet e punimeve, për kriteret e vlerësimit. për orën e fillimit të provimit dhe kohëzgjatjen e tij.

Studentët nuk bëjnë regjistrim individual për provim. Të gjithë studentët që kanë ndjekur mësimin online, që kanë riprovime dhe provime të mbartura do të regjistrohen në procesverbalet e provimeve nga Sekretaria mësimore.

Studenti merr pjesë në provim vetëm në njërën nga dy datat e publikuara për provimin.

Studenti bën gati lidhjen me platformën digjitale 30 minuta para fillimit të provimit dhe hyn në platformë 15 minuta para fillimit të provimit.

Pas përfundimit të testit me shkrim ose të provimit të kryer nga shtëpia, studenti i ruan të gjitha përgjigjet dhe punimin dhe më pas i paraqet menjëherë online, i dërgon në platformë ose me e-mail në adresën e pedagogut, por brenda orarit të parashikuar.

Nëse ndonjë student do të ketë ndonjë problem teknik për lidhjen online me platformën e caktuar, duhet të njoftojë menjëherë pedagogun me e- mail. Gjithësesi, nëse ndërprerja ndodh gjatë përgjigjeve të testit me shkrim online, përgjigjet e dhëna ruhen automatikisht dhe studenti vepron sipas udhëzimeve teknike të dhëna paraprakisht nga asistenti teknik i IT.

Nëse arsyeja e moslidhjes online është e justifikuar, studentit do t’i mundësohet shtyrja e kohës së provimit, ose do t’i mundësohet shtyrja e provimit në datën tjetër.

Studenti e merr njoftimin për vlerësimin e provimit brenda një afati prej 5 ditësh nga data e provimit nga pedagogu i lëndës.

Studenti që ka riprovime dhe provime të mbartura mund të japë vetëm ato provime që janë parashikuar në sesionin e dimrit.

Studenti ka të drejtë të ankohet për procedurën dhe rezultatin e provimit sipas rregullit në fuqi. Procedura do të kryhet online në adresën e-mailit të caktuar nga drejtuesi i departamentit.

Studenti këshillohet të vizitojë çdo ditë faqen zyrtare të internetit të Fakuletit përkatës për të qenë i informuar lidhur me njoftimet për provimet.

Studenti këshillohet të kontrollojë çdo ditë postën elektronike dhe platformën digjitale sipas lëndëve që ka provim, për t’u informuar për postime nga pedagogët lidhur me provimet.

13.Studenti merr masa që të krijojë kushtet e nevojshme në shtëpi për të kryer provimin; duke qëndruar vetëm në dhomë gjatë kohës së kryerjes së provimit.

Studenti merr të gjitha masat që të ketë kompjuterin dhe celularin në dispozicion dhe në gjendje pune gjatë kohës së provimit.

Studenti ka detyrim t’i paraqesë pedagogut/komisionit të provimit kartën e identitetit nëpërmjet e-mailit dy ditë para provimit dhe e parqet atë edhe në momentin kur pedagogu e kërkon gjatë provimit online.

RREGULLA TË VEÇANTA PËR SEKRETARINË MËSIMORE

Sekretaria mësimore përgatit procesverbalet e provimeve duke i regjistruar për provim në një procesverbal të gjithë studentët që ndjekin programin rregullisht dhe ata që kanë riprovim ose provim të mbartur.

Sekreatria mësimore ia përcjell procesverbalet e provimeve laboranetve të Departamenteve , të cilët ia përcjellin me e-mail pedagogëve përkatës, tre ditë para datës së provimit.

Sekretaria mësimore përgatit vetëm një procesverbal i cili do të përdoret për provimet që do të zhvillohen në dy data të njëpasnjëshme, pasi kjo periudhë përbën një sesion, i cili ndahet në dy periudha kohore. Në prcesverbal shënohen datat kur kryhet provimi.

Për provimin e diplomës përgatitet procesverbal i veçantë.

Sekretaria mësimore mbledh të gjitha procesverbalet origjinale deri 5 ditë nga kryerja e provimit të fundit.

Medresistja Erjonë Bresa fituese e garës ndërkombëtare të matematikës “Math Kangaroo Kosovo”

Erjonë Bresa, nxënëse e klasës 11/6 e medresesë Alauddin, Paralelja e ndarë fizike në Prizren, është fituese e garës ndërkombëtare të matematikës “Math Kangaroo Kosovo”.

Ajo ka arritur rezultate të larta në këtë test. Qëllimi i testit ishte t’i motivojë sa më shumë nxënësit për të studiuar matematikën.

Koordinatori i paralelës së Prizrenit, Almedin Ejupi, ka përgëzuar nxënësen për suksesin e arritur dhe i dëshiroi suksese të tjera në të ardhmen.
Në anën tjetër, koordinatori falënderoi z. Abdullah Sylejmanin, koordinatorin rajonal dhe komunal të Institutit ATOMI për organizimin e kësaj gare dhe për bashkëpunim.

Organizimi i testit “Kangaroo” është përgjegjësi e Institutit ATOMI, me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit dhe me autorizimin e Asociacionit Kangourou Sans Frontieres (AKSF).

Kangaroo është gara më e popullarizuar në botë për matematikë, që ka për qëllim promovimin dhe popullarizimin e matematikës, si dhe përkrahjen e talenteve të fushës së matematikës.

E konfirmon ministri i Arsimit: Mësimi nis më 14 shtator, ndahet në dy faza

Ashtu siç edhe ishte planifikuar, mësimi në Kosovë do të fillojë të hënën më 14 shtator.

Këtë e ka konfirmuar sot ministri i Arsimit, Ramë Likaj në një takim që pati me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe komunave, shkruan lajmi.net.

Ai tha se mësimi do të ndahet në dy faza, faza e parë më 14 shtator ku mësimin nisin institucionet parashkollore, klasat 1,2,3,6 dhe klasat 10 në shkolla.

“Sot Kryesia e Kolegjiumit të DKA-ve na ka thirrur në takim dhe e komunikuam vendimin e Qeverisë për fillimin e vitit shkollor në dy faza. Faza e parë që është 14 shtator fillon me institucionet parashkollore, klasat 1,2 3 6 edhe klasat 10 në shkolla. Edhe klasa 4-5 do të fillojë sipas skenarit A, mësim të kombinuar ose prezencë në shkollë”, tha ministri Likaj.

E më 21 shtator do të fillojnë mësimin klasat 7,8,9,11 dhe 12.

Ndryshe, paraprakisht Likaj sot ka pasur edhe një takim tjetër me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ky i fundit kërkoi që mësimi të nis sipas planifikimit dhe të kryhen të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e tij.

Për herë të parë një musliman emërohet drejtor i revistës më prestigjioze juridike në SHBA

Për herë të parë, një musliman është emëruar në krye të Law Review, revistës më prestigjioze juridike të vendit, të botuar nga Shkolla e Drejtësisë në Harvard, një nga universitetet kryesore në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Studenti 26-vjeçar musliman Hassan Shahawy u emërua drejtor i revistës 134-vjeçare.

Shahawy, i cili ka lindur në Kaliforni nga një familje me origjinë egjiptiane, deklaroi se detyra e tij e re është e rëndësishme për të treguar rëndësinë që shkolla juridike i jep diversitetit dhe respektin ndaj traditave të tjera juridike.

Shahawy u diplomua në Harvard në vitin 2016 në historisë dhe studimet e Lindjes së Mesme dhe përfundoi një doktoratë për të Drejtën e Lindjes dhe atë Islame në Universitetin e Oksfordit.

Shahawy aktualisht merret me punime mbi popullatën e refugjatëve dhe reformën e ligjit penal në SHBA.

Ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama kishte shërbyer si drejtori i parë me ngjyrë i revistës në fjalë në vitin 1990.

Ushtarët turq dhurojnë çanta dhe mjete shkollore për 500 fëmijë kosovarë

Kryesia e delegacionit turk që vepron në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse të Kosovës (KFOR), ka vendosur të dhurojë çanta dhe mjete shkollore për 500 fëmijë nevojtarë shqiptarë, turq dhe bosnjakë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sot u bë shpërndarja e pajisjeve shkollore për 20 nxënës boshnjakë që jetojnë në qytetin e Prizrenit, me pjesëmarrjen e kryetarit të Koalicionit VAKAT dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës Rasim Demiri, si dhe shefit të KFOR-it turk, kolonel Savaş Yanar.

Deputeti Demiri, në prononcimin e tij për gazetarët, deklaroi se ushtarët turq në Kosovë edhe këtë vit nuk e harruan komunitetin boshnjak.

“Ne falënderojmë ushtarët turq të cilët vazhdojnë të ndihmojnë përkundër pandemisë së koronavirusit”, tha Demiri.

Me projektin për të ndihmuar nevojtarët në mbarë Kosovën me pajisje shkollore që filloi nga 19 gushti, kryesia e delegacionit turk synon të arrijë deri te 500 fëmijë shqiptarë, turq dhe boshnjakë.

Fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë, i cili planifikohej të niste më 1 shtator, është shtyrë për më 14 shtator për shkak të koronavirusit.

Sa i dobishëm ishte ky post?

Klikoni mbi një yll për ta vlerësuar!

Vleresim mesatar 0 / 5. Numri i votave: 0

Asnjë votim deri më tani! Bëhu i pari që vlerëson këtë postim.

LINQET E RRJETEVE SOCIALE