Shoqata ndihmoni te Varferit

Historia e profeteve

Historia e Ademit a.s

Të gjithë lavdet dhe falënderimet ia dedikojmë Zotit të gjithësisë, paqja dhe përshëndetjet më të sinqerta ia dedikojmë profetit Muhamed a.s dhe të gjithë atyre që ndjekin rrugën e tij gjer në Ditën e Shpërblimit.

Në rreshtat në vazhdim, ne do të trajtojmë historitë e profetëve të Zotit, histori të cilat përmbajnë shumë mesazhe dhe mësime plot vlera.
Thotë Zoti i madhëruar në Kuranin fisnik:“Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.”(Jusuf, 3)
“Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (Kehf, 13)
“Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.” (Araf, 176)
Këto ajete flasin mbi rëndësinë e tregimeve dhe historive. Ato janë metoda që Zoti i lartësuar ka ndjekur për shpalljen e Kuranit famëlartë. Me histori të tilla, Zoti i jepte zemër dhe kurajë profetit Muhamed a.s që të qëndronte i paepur para sfidave dhe vështirësive. Të njëjtin ndikim ato kanë edhe për brezat pas Profetit a.s. Myslimanët e kanë obligim që t’i studiojnë këto ngjarje, të meditojnë rreth tyre dhe të nxjerrin mësime.
Në Kuran, Zoti ka përmendur histori të shumta rreth profetëve dhe të dërguarve të Tij. Disa prej këtyre historive i gjejmë të detajuara, ndërkohë që disa syresh na paraqiten të përmbledhura.
Profetët e përmendur në Kuran janë njëzet e pesë. Disa nga këta profetë përmenden në ajetin:
“Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë kë të duam në shkallë të lartë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëdijshëm. Ne i dhuruam atij Isakun dhe Jakubin. Që të dy këta i udhëzuam në rrugë të drejtë, ashtu siç patëm udhëzuar më parë Nuhun. Ndër pasardhësit e tij Ne udhëzuam Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë punëmirët. Ne udhëzuam edhe Zekerijan, Jahjain, Isain, Iljazin – të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë. Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin – secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.” (En’am, 83-86)
Mbi shkakun përse historitë e profetëve janë trajtuar imtësisht në Kuran, Zoti thotë:”Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo është këshillë dhe kujtesë për besimtarët.” (Hud, 120)
Pra, ato janë për të forcuar zemrën e Profetit a.s dhe për t’i dhënë atij kurajë. Ato ishin identifikuese të së vërtetës mbi të cilën njerëzit ishin në dilemë, si dhe për të korrigjuar shumë koncepte dhe parime të lëna pas dore me kalimin e viteve dhe shekujve. Historitë e profetëve përmbajnë edhe shumë këshilla dhe porosi për besimtarët.
Thotë Zoti i lartësuar:”Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, prova (mrekulli) të qarta dhe e ndihmuam me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.). Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas të dërguarve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së provave të qarta, por ata u përçanë: disa besuan, kurse të tjerët mohuan. Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë.” (Bekare, 252)
“Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi nisur të dërguar, për disa prej të cilëve të kemi treguar ty e për disa të tjerë nuk të kemi treguar.” (Gafir, 78)
Këto histori që ceken në librin e Allahut, përmbajnë këshilla e porosi dhe janë model për këdo që arsyeton dhe logjikon. Thotë Zoti lidhur me këtë fakt:”Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend. Ky (Kuran) nuk është tregim i trilluar, por ai është vërtetues i atyre (librave) që janë shpallur para tij, është shpjegues i çdo gjëje dhe udhërrëfyes e mëshirë për njerëzit
besimtarë. (Jusuf, 111)
Të tillë ishin profetët dhe të dërguarit e Zotit. Ata ishin fanarë që udhëzonin të humburit drejt rrugës së drejtë dhe shpëtimit. Ata ishin dhe mbeten modelet më të mira për njerëzit.“Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed)ndiq rrugën e tyre.” (En’am, 90)
Që nga krijimi i njeriut të parë mbi tokë, Zoti ka dërguar kohë pas kohe profetë dhe të dërguar, që të udhëzojnë njerëzit në udhën e drejtë. Në një hadith të profetit Muhamed a.s, thuhet se numri i të dërguarve i kalon treqind syresh. Kurse numri i profetëve i kalon njëqind e njëzet e katër mijë. Tek Benu Israilët sa herë që vdiste një profet, dërgohej një profet tjetër që të vazhdojë misionin. Madje ndodhte që në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend, të dërgoheshin dy profetë. Ata dërgoheshin nga Zoti me misionin e fisshëm, të shpëtojnë njerëzinë. Sa herë që njerëzimi pësonte devijime nga rruga e Zotit, dërgoheshin profetë dhe të dërguar që t’i kthejnë sërish në udhë të mbarë.
Gjatë përmbushjes së misionit të tyre, profetët dhe të dërguarit u përballën me shumë sfida dhe probleme. Mundi dhe sakrificat e tyre nuk mund të përshkruhen dhe të gjitha këto për të përmbushur misionin me të cilin i kishte obliguar Zoti. Ekzistenca e tyre është e vërtetë, madje është nevojë e domosdoshmëri për njerëzimin mbarë. Është e paimagjinueshme që Zoti t’i krijojë njerëzit dhe të mos dërgojë nga mesi i tyre profetë që u tërheqin vëmendjen sa herë që gabojnë. Kjo bëhet që njerëzit të mos kenë arsye dhe të mos justifikohen kur të dalin para Zotit.
“Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.” (Araf, 172)
Çdo komb ka pasur profetët e tij, fakt ky që përmendet dhe në Kuran:“…nuk ka pasur asnjë popull që të mos i ketë ardhur paralajmërues.” (Fatir, 24)
Karakteristikat e historive të profetëve
Ajo që i dallon historitë e profetëve nga historitë dhe tregimet e tjera, është se ata janë të vërteta dhe reale. Ato nuk kanë asgjë të përbashkët me historitë që janë pjellë e fantazisë. Historitë e profetëve janë histori të jetuara nga njerëzimi në periudha të ndryshme kohe.
Një karakteristikë tjetër e tyre është se ato përmbajnë mësime dhe dobi të shumta. Ato nuk janë histori që lexohen për të kaluar kohën dhe për t’u argëtuar. Çdo histori prej tyre përçon parime dhe koncepte plot vlera e domethënie. Ato janë udhërrëfyese për çdo njeri, në çdo kohë dhe vend. Ne duhet të veprojmë sipas këshillave dhe porosive të këtyre njerëzve të mençur dhe të distancohemi nga gafat dhe gabimet që bënë popujt e tyre.
Duke studiuar thellë historitë e profetëve, vërejmë se ato përbëjnë boshtin e historisë njerëzore. E gjithë historia njerëzore sillet e vërtitet  rreth profetëve të Zotit. Është e vërtetë që shumë komandantë ushtarakë, shumë mbretër e perandorë kanë pasur rol të konsiderueshëm në përcaktimin e rrjedhës së ngjarjeve në histori. Por ndikimi i profetëve në përcaktimin e rrjedhës së historisë, është shumë herë më i madh dhe i thellë. Historia e njerëzimit është e cunguar dhe e pakuptueshme nëse nuk shoqërohet me historitë e profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Këtë e përforcon vetë fakti që konfliktet e sotme, janë konflikte mes të vërtetës dhe të shtrembrës, mes ithtarëve të profetëve dhe armiqve të tyre.
Karakteristikë tjetër e këtyre historive është se ato e lehtësojnë së tepërmi të kuptuarit e Kuranit. Nëse nuk ke njohuri mbi historitë e profetëve, e ke shumë të vështirë ta kuptosh Kuranin. Shumë ajete flasin mbi histori të profetëve dhe nëse nuk e di historinë të plotë, shumë koncepte nuk i kupton dot. Historia e Ademit a.s, Nuhut a.s, Benu Israilëve  etj… përmendet në një numër të konsiderueshëm ajetesh. Shumë emra suresh, mbajnë emra profetësh. Bazuar mbi këtë, ai që nuk e njeh historinë e profetëve, nuk kupton një pjesë të konsiderueshme të Kuranit.
Duke iu qasur historive të profetëve, ne mësojmë metodologjinë që duhet të ndjekim teksa ftojmë të tjerët në islam. Secili prej nesh ëndërron të jetë ftues në rrugën e Zotit, të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja. Me qëllim që të ndjekim rrugën më pozitive në këtë aspekt, ne kemi nevojë për modele dhe shëmbëlltyra.  Padyshim që modeli ynë më i mirë është profeti Muhamed a.s, gjë të cilën e konfirmon dhe Zoti në Kuran ku thotë:”Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab, 21)
Profetët dhe të dërguarit e tjerë, radhiten direkt pas profetit Muhamed a.s, si modele dhe shembuj praktikë. Sahabët e Profetit a.s dhe njerëzit e ditur, vijnë pas profetëve dhe të dërguarve të tjerë.
Në një hadith të saktë të transmetuar nga Profeti a.s thuhet:”Për Zotin! Pas profetëve, nuk e ka shkelur mbi këtë tokë njeri më i mirë sesa Ebu Bekri.”
Pozita dhe grada e shokëve të Profetit a.s, sado e lartë të jetë, nuk është në të njëjtin nivel me atë të profetëve dhe të dërguarve të Zotit.
Historitë e profetëve përmenden në Kuranin fisnik si dhe në traditën profetike. Këto dy burime ishin frymëzues për shumë dijetarë dhe historianë, të cilët shkruan libra historikë rreth jetës së profetëve. Librat më të njohur mbi historitë e profetëve, është ai i Ibnu Kethirit, i cili mban emrin “Historitë e profetëve”, libri i Taberiut, Ibnu Ethirit etj… Janë pikërisht këto referenca mbi të cilat jam mbështetur gjatë përqasjes time të këtyre historive. E reja e trajtesës time, është se i kam shqyrtuar të gjithë ato që thuhen mbi profetët, duke mos i pranuar rrëfenjat izraelite dhe hadithet e pasaktë, duke u mbështetur kryesisht tek hadithet e sakta si dhe komentet e eruditëve të tefsirit. Komentet më të shpeshta të ajeteve që flasin mbi profetët, janë ato të Abdullah ibnu Abasit, si dhe Ibnu Kethirit e Ibnu Xheririt.
“Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas së vërtetës.” (Kehf, 13)
“Kështu pra, Ne po të të tregojmë ty (o Muhamed) disa histori të së kaluarës. Ky (Kuran) që të kemi dhënë, është një Këshillë nga ana Jonë.” (Taha, 99)
Zanafilla e krijimit
Pas kësaj hyrjeje të shkurtër, le t’i kthehemi historisë para profetëve, para të dërguarve të Zotit, para krijimit të njeriut, madje, para krijimit të universit. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Garantues i çdo gjëje.” (Zumer, 62)
“Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” (Hadid, 4)
“Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë.”(Hud, 7)
Transmeton imam Ahmedi – Zoti e mëshiroftë – se Ebu Ruzejn e pyet profetin Muhamed a.s:”O i dërguar i Zotit! Ku qëndronte Zoti para se të krijojë qiejt dhe tokën?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Ai qëndronte në zbrazëtirë. Sipër Tij ishte hapësirë e pafund dhe poshtë Tij ishte po hapësirë e pafund. Më pas, Ai krijoi Arshin e Tij mbi ujë.”
Në një hadith tjetër, të cilin e transmeton po imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu e shumë të tjerë, Ubade ibnu Samit thotë:”I dërguari i Zotit ka thënë:”Sendi i parë që Zoti ka krijuar ishte pena. Ai e urdhëroi atë:”Shkruaj!” dhe që nga ai çast, pena shkroi gjithçka që do të sillet në ekzistencë gjer në Ditën e Kiametit.”
Pena shkroi gjithçka që i diktoi Zoti nga dijet e Tij, gjë e cila gjendet në Leuhi Mahfudh.
Dijetarët myslimanë kanë mendime të ndryshme mbi sendin e parë të krijuar nga Zoti. Shumica e tyre mendojnë se sendi i parë është ai që transmeton Amr ibnul As, i cili thotë:”Zoti e ka shkruar fatin e të gjithë krijesave, pesëdhjetë mijë vite para se t’i krijojë. Asokohe, Arshi i Tij ndodhej mbi ujë.”
Pra, duket qartë që Zoti fillimisht ka krijuar Arshin e tij dhe më pas ka krijuar penën. Pas tyre janë krijuar qiejt dhe toka. Prandaj, kur thuhet që pena është sendi i parë që ka krijuar Zoti, nënkuptojmë që ajo është e para që ka krijuar nga gjërat e kësaj bote.
Këtë e vërteton dhe hadithi të cilin e transmeton imam Buhariu nga Umran ibnu Husejn i cili thotë:”Delegacioni i Jemenit i thanë të dërguarit të Zotit:”Kemi ardhur që t’i shtojmë dijet tona rreth fesë dhe të pyesim mbi zanafillën e krijimit.” Profeti a.s u përgjigj:”Ekzistonte vetëm Zoti dhe nuk ekzistonte asgjë tjetër para Tij. Arshi i Tij gjendej mbi ujë. Ai shënoi në Dhikr (përkujtues) gjithçka. Më pas Ai krijoi qiejt dhe tokën.”
Pasi Zoti ka krijuar Arshin, ka krijuar penën, të cilën e urdhëroi të shënojë në Leuhi Mahfudh, gjithçka që do të vijë në ekzistencë gjer Ditën e Kiametit.
Krijesa të tjera
Lidhur me krijesat që pasuan Arshin dhe penën, posedojmë një hadith të profetit Muhamed a.s të cilin e transmeton imam Muslimi, se Aisheja ka thënë:”Një ditë i dërguari i Zotit më kapi për dore dhe më tha:”Zoti krijoi dheun ditën e shtunë, krijoi malet ditën e diel, krijoi pemët ditën e hënë, krijoi të ligën ditën e martë, krijoi dritën ditën e mërkurë, krijoi kafshët ditën e enjte dhe krijoi Ademin a.s pasditen e ditës xhuma (premte).”
Krijesa e fundit që u krijua nga Zoti, ishte pikërisht njeriu. Tashmë, qëndrimi i islamit ndaj teorisë së evolucionit është i qartë. Asgjë nuk ka evoluar, por gjithçka është krijuar në formën e tij. Ademi a.s (njeriu) u krijua ditën e fundit të javës dhe orën e fundit të kësaj dite.
Para krijimit të njeriut, Zoti kishte krijuar melekët (engjëjt). Thotë Zoti në Kuran:”
“Qiejt gati sa nuk çahen nga sipër (prej madhështisë së Allahut), ndërkohë që engjëjt lavdërojnë e falënderojnë Zotin e tyre dhe kërkojnë falje për ata që janë në Tokë.” (Shura, 5)
Në një hadith të saktë, Profeti a.s thotë:”Melekët janë krijuar nga drita, xhindet janë krijuar nga zjarri, kurse Ademi është krijuar siç u është përshkruar.”
Për nga radha, krijimi i xhindeve pasoi atë të melekëve. Thotë Zoti në Kuran mbi krijimin e xhindeve:”ndërsa xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit.” (Rahman, 15)
Xhindët janë krijuar nga pjesa e fundit e flakëve të zjarrit, nga majat.
Faktin që xhindët janë krijuar nga zjarri, e pranoi dhe shejtani, i cili i tha Zotit:”Mua më krijove nga zjarri.” (Araf, 12)
“kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.” (Hixhr, 27)
Vetë shejtani (Iblisi) është prej xhindeve, fakt i cili përmendet në një ajet tjetër, ku Zoti thotë:”përveç Iblisit. Ai ishte një nga xhindet.” (Kehf, 50)
Thotë Hasen El-basrij, Zoti e mëshiroftë:”Iblisi nuk ka qenë melek qoftë dhe sa hap e mbyll sytë.”
Toka e cila sot banohet nga njerëzit, asokohe banohej nga xhindet. Ajo që ndodhi është se xhindet bënë shkatërrime në tokë, vranë e prenë njëri-tjetrin dhe derdhën gjak.
Ibnu Umer dhe Ibnu Abasi thonë:”Xhindet ekzistonin dy mijë vite para Ademit. Ata derdhën shumë gjak. Atëherë Zoti dërgoi ushtarë prej melekëve, të cilët i përzunë drejt ishujve në oqeane.”
Deri në ditët e sotme, ishujt që ndodhen në oqeane, janë banesat e xhindeve. Në shumë hadithe përmendet se Iblisi e ka fronin e tij mbi ujë.
Krijimi i njeriut
Thotë Zoti në Kuran:“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 50)
Në këtë ajet, Zoti flet mbi objektivin dhe qëllimin e krijimit të njeriut dhe të xhindeve. Padyshim që Zoti nuk ka nevojë për adhurimin tonë. Ai është i Gjithëpushtetshëm dhe i panevojshëm për asgjë. Ai posedon emrat e bukur dhe cilësitë e larta. Me qëllim që këta emra dhe cilësi të pasqyrohen, Zoti krijoi njeriun dhe xhindet. Me qëllim që mëshira dhe dhembshuria e Tij të pasqyrohet diku, ai krijoi krijesat që t’i mëshirojë. Kjo vlen edhe për dijet e Zotit, urtësinë e Tij, pushtetin dhe fuqinë.
Historia e krijimit të njeriu të parë, Ademit a.s, fillon që para krijimit të tij, me një dialog mes Zotit dhe melekëve.
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, (Bekare, 30)
Sipas këtij ajeti, njeriu është mëkëmbës dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e jetës në tokë. “Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të.” (Hud, 61)
Xhindët nuk i kishin kapacitetet e duhura për ta përmbushur këtë mision. Thonë dijetarët myslimanëve rreth xhindeve:”Më i mençuri prej tyre, ka aftësi mendore sa një fëmijë dhjetë vjeçar nga njerëzit.”
Kurse njeriun Zoti e ka krijuar në formën më të mirë dhe me aftësitë maksimale për përmbushjen e misionit mbi tokë. Ishte Zoti Ai që i dha formë njeriut dhe i fryu shpirtin.
Kur dëgjuan mbi planin e Zotit, melekët u çuditën dhe pyetën:”ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” (Bekare, 30)
Melekët nuk e drejtuan këtë pyetje si shenjë kundërshtimi ndaj krijimit të Ademit a.s. Aspak, melekët janë krijesa të pagabueshme dhe veprojnë gjithçka që i urdhëron Zoti. Këtë pyetje ata e shtruan thjesht për të shuar kureshtjen e tyre.
Pyetja që lind është: Ku e dinin melekët se njeriu do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në tokë?
Këtë e bënë duke u bazuar mbi përvojën që kishin pasur me xhindët, dy mijë vite më parë.
Shkaku i pyetjes së melekëve, ishte edhe diçka tjetër. Ata u frikësuan se mos vallë kishin lënë diçka mangët nga adhurimet ndaj Zotit. Këtë e përmendin qartë me fjalët:” ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!”
Përgjigja e Zotit ishte:“Unë di atë që ju nuk e dini”. (Bekare, 30)
Para një përgjigje të tillë, me njëri-tjetrin melekët thanë:”Le të krijojë Zoti ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e privilegjuar dhe më e ditur se ne.”
Melekët kishin vënë re se nga të gjithë krijesat e krijuara gjer atëherë, qiejt, malet, bimët, kafshët, xhindet etj…, melekët ishin krijesat e vetme që e madhëronin, lartësonin, falënderonin dhe i bindeshin Zotit. Duke parë këtë, melekët menduan se krijesa e radhës, sido që të jetë, nuk do të jetë më e nderuar dhe as më e ditur se ata.
Kur Zoti krijoi Ademin a.s, e krijoi nga dheu i tokës. Në një hadith të transmetuar nga imam Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibnu Hibani, Profeti a.s thotë:”Zoti e krijoi Ademin a.s nga një grusht dheu të cilin e mori nga e gjithë sipërfaqja e tokës. Nisur nga kjo, bijtë e Ademit a.s morën ngjyrat e tokës. Prej tyre kishte të bardhë, të zinj, të kuq dhe të përzier. Ashtu siç kishte zemërbutë, të dashur, të ligë, të vështirë dhe të përzier.”
Sipas hadithit, larmia e ngjyrave të njerëzve e ka origjinën tek larmia e ngjyrave të tokës, nga e cila u krijua njeriu i parë. Kjo vlen edhe për natyrën dhe karakterin e secilit prej tyre.
Dheu që u mor për krijimin e Ademit a.s, u lag me ujë dhe u bë baltë. Pra, fillimisht ishte një grusht dhe, i cili u lag me ujë dhe u bë baltë. Thotë Zoti mbi këtë fakt:”
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte.” (Sad, 71)
Sasisë së dheut iu shtua uji, derisa balta e krijuar u bë e ngjitshme. Thotë Zoti në Kuran:”Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse.” (Safat, 11)
Kur balta u bë e përshtatshme, Zoti e mori dhe i dha formë me dy duart e Tij fisnike. Kjo përmendet në Kuran:“O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia?” (Sad, 75)
Ai nuk i obligoi melekët që t’i jepnin formë njeriut të parë, por këtë e bëri vetë, me duart e Tij. Shtatorja prej balte, u la në atë formë për një periudhë kohe, derisa u tha. Pasi u tha, statuja mori ngjyrën e baltës së zezë, si ngjyra e vorbës.
Në Kuran, herë theksohet se njeriu është krijuar nga balta, herë nga balta e tharë e herë të tjera nga dheu. Në fakt, njeriu është krijuar nga të gjitha këto, por sipas një kronologjie, ku zanafilla ishte dheu, balta, balta e ngjitshme, balta e tharë.
Thotë Zoti në Kuran:”Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë. kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.” (Hixhr, 26)
“Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën.” (Araf, 11)
Siç e cekëm dhe më lart, krijimi i Ademit a.s ndodhi në orën e fundit të ditës së xhuma. Veç kësaj, duam të theksojmë se ditët e përmendura në hadithin e mësipërm, përllogariten krejt ndryshe nga ditët tona.
Lidhur me pamjen dhe përmasat e Ademit a.s, në një hadith të cilin e transmeton imam Buhariu, Profeti a.s thotë:”Zoti e krijoi Ademin a.s gjashtëdhjetë parakrahë të gjatë. Që nga ajo kohë, përmasat e njeriut kanë ardhur në rënie.”
Përveçse ishte njeriu i parë i krijuar, Ademi a.s është edhe njeriu më i gjatë në të gjithë kohërat. Të gjithë banorët e xhenetit, do të kenë gjatësinë e Ademit a.s.
Në një hadith tjetër të transmetuar vetëm nga imam Ahmedi, Profeti a.s thotë se gjatësia e Ademit a.s ishte gjashtëdhjetë parakrahë, kurse gjerësia shtatë parakrahë. Përmasa të tilla tregojnë se Ademi a.s i ngjante më shumë një gjigandi.
Në një hadith të transmetuar nga imam Muslimi, thuhet se kur Zoti i dha formë Ademit a.s, nuk e pajisi me shpirt menjëherë. Ai e la për një kohë të konsiderueshme ashtu si statujë. Thotë Profeti a.s:”Kur Zoti e krijoi Ademin, a la në atë gjendje aq sa deshi. Kur e pa Iblisi, filloi t’i sillej rrotull i habitur. Kur dalloi se nga brenda ishte bosh, Iblisi e kuptoi se ishte një krijesë që nuk vetëpërmbahej.”
Krijesë e papërmbajtur, do të thotë krijesë e pafuqishme. Kjo tregon se xhindet nuk janë bosh nga brenda (stomaku dhe mushkëritë).
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Zoti urdhëroi që t’i çohej dheu i Ademit a.s. Ai e krijoi Ademin a.s nga balta e ngjitshme dhe balta e tharë. Ai i dha formë me duart e Tij dhe e la dyzet ditë në atë gjendje, trup pa shpirt. Iblisi i sillej rrotull dhe e godiste me shqelma. Nga goditjet, statuja e Ademit a.s jehonte. Iblisi i thoshte:”Për diçka je krijuar.” Pastaj hynte nga goja e Ademit a.s dhe dilte nga pjesa e pasme dhe u drejtohej melekëve, të cilët ishin frikësuar kur e kishin parë:”Mos e kini frikë këtë! Nëse Zoti më jep pushtet mbi të, do e shkatërroj. Por nëse Zoti i jep pushtet mbi mua, do e kundërshtoj.”
Që ditët e para të krijimit të njeriut, lindi dhe armiqësia mes tij dhe shejtanit.
Fryrja e shpirtit
Tashmë gjithçka ishte gati që Ademit a.s t’i fryhej shpirti, fakt të cilin Zoti e përmend në shumë ajete të Kuranit famëlartë.
“Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”.  (Hixhr, 29)
“Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.” (Al Imran, 59)
Në një hadith, jepen detaje mbi mënyrën si i është fryrë shpirti Ademit a.s. Kur Ademit a.s i hyri shpirti në kokë, ai teshtiu. Melekët i thanë:”Thuaj:”El-hamdulilah”. Dhe Ademi a.s tha:”El-hamdulilah.” Atëherë Zoti, nga ana e Tij i tha:”Të mëshiroftë Zoti yt!”
Që para se t’i jepet i gjithë shpirti, Ademi a.s fitoi mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit.
Kur shpirti i hyri tek sytë, Ademi a.s filloi të dallojë frutet e xhenetit. Kur shpirti i vajti tek stomaku, atij i lindi oreksi për të ngrënë dhe u nis të kapë nga frutet e xhenetit. Kjo ndodhte ndërkohë që shpirti nuk i kishte arritur tek këmbët. Duket qartë që Ademi a.s kishte një cilësi, e cila nuk do i ndahet gjithë jetës, të nxituarit.
Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:“Njeriu është krijuar i nxituar.” (Enbija, 37)
Pasi shpirti i depërtoi tek çdo pjesë e trupit dhe krijimi i Ademit a.s u plotësua, Zoti e fshiu tek kurrizi, prej ku dolën të gjithë pasardhësit e tij gjer Ditën e Kiametit. Kjo përmendet si në Kuran, ashtu dhe në hadithet e Profetit a.s.
Rrëfen Muslim ibnu Jesar, se Umer ibnul Hattabi është pyetur mbi komentin e ajeteve:“Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur. Ose që të mos thoni: “Me të vërtetë, etërit tanë ishin idhujtarë para nesh, kështu që edhe ne jemi pasardhësit e tyre. A mos vallë do të na shkatërrosh për veprat e atyre që ndoqën mashtrimin?” (Araf, 172-173)
Umeri u përgjigj:”Kam dëgjuar të dërguarin e Zotit a.s duke thënë:”Pasi Zoti krijoi Ademin, e fshiu kurrizin e tij me dorën e djathtë, duke nxjerrë prej andej të gjithë pasardhësit e Ademit. Ai u tha:”I kam krijuar këta për në xhenet dhe vepra të të banorëve të xhenetit do të punojnë. I kam krijuar këta për zjarr dhe vepra të banorëve të zjarrit do të punojnë.”
Një burrë, ndërhyri dhe e pyeti:”O i dërguar i Allahut! Atëherë përse u dashka që të punojmë?!”
Profeti a.s u përgjigj:”Nëse Zoti e ka krijuar dikë që të jetë banor i xhenetit, e shfrytëzon për vepra të xhenetit, derisa të vdesë me këto vepra dhe kështu e çon në xhenet. Nëse Zoti e ka krijuar dikë për zjarr, e shfrytëzon për vepra të zjarrit derisa të vdesë me këto vepra dhe kështu e çon në zjarr. Gjithçka është e lehtësuar në funksion të qëllimit.”
Melekët i përulen Ademit a.s
Duke qenë se Iblisi edhe pse prej xhindeve, kishte qenë i lidhur me Zotin dhe e adhuronte Atë, Zoti e kishte bashkuar me melekët, edhe pse nuk i përkiste atyre. Ai nuk i kishte thyer kurrë urdhrat e Zotit. Për këtë, Zoti e kishte shpërblyer duke e ngritur me melekët në qiell.
Pasi përfundoi krijimin e Ademit a.s, Zoti i urdhëroi të gjithë melekët që t’i përulen atij, si formë nderimi për të. Meqë edhe Iblisi ishte me melekët, ky urdhër ishte i vlefshëm edhe për të.
“Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve:“Përuljuni në sexhde Ademit!” – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën. Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. Allahu i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të  oshtëruarve”. Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!” Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”. Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që
shkojnë pas teje!” (Araf, 11-18)
“Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym. Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë. Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”, Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde, Përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.” Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?” Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”. Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar! Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!Iblisi tha:“Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen. Zoti tha:“Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.” Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.”(Hixhr, 26-43)
“Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata të gjithë iu përulën në sexhde, përveç Iblisit! Ai tha: “Si?! Unë t’i bëj sexhde atij që Ti e ke krijuar nga balta?!” Gjithashtu, tha: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 61-64)
Është sunet që njeriu kur fillon të hajë, të thotë “Bismil-lah”. Kjo me qëllim që shejtani mos hajë nga ushqimi i tij. Kjo vlen edhe gjatë marrëdhënieve seksuale mes bashkëshortëve.
Në të gjithë ajetet e lartpërmendura, trajtohet gjynahu i parë, me të cilin u thye urdhri i Zotit. Nuk kishte bërë vaki më parë që thyhej udhëri i Zotit. Duke qenë se thyesi i urdhrit të Zotit ishte pikërisht Iblisi, një krijesë të cilin Zoti e kishte nderuar, e quajti mosmirënjohës.
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte. Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!”, të gjithë engjëjt së bashku u përulën në sexhde, përveç Iblisit; ai u bë mendjemadh e një nga mohuesit.” (Sad, 71-74)
Bazuar mbi këtë, dijetarët myslimanë thonë:”Origjina e të gjithë gjynaheve është mendjemadhësia dhe vetëmashtrimi.”
Duke pasur parasysh rrezikun e këtij gjynahu, Profeti a.s ka radhitur një sërë hadithesh, me të cila na bën thirrje që të qëndrojmë larg këtij vesi.
Thotë Profeti a.s:”Nuk hyn në xhenet, ai që ka në zemër qoftë sa një atom mendjemadhësi.”
Në shumë hadithe të tjera, Profeti a.s e ndalon zgjatjen e pantallonave nën nyjën e këmbës, nëse bëhet për mendjemadhësi. Thotë Profeti a.s:”Zoti nuk e shikon një njeri që i tërheq rrobat si shenjë mendjemadhësie.”
Kur Profeti a.s i dëgjoi një herë myslimanët duke u mburrur me fiset që i përkisnin, u thirri:”Distancohuni nga kjo gjë, se është diçka e qelbët!”
Fanatizmi fisnor, mendjemadhësia dhe mburrja, janë origjina e të gjithë gjynaheve të tjera. Prandaj mos u trego mendjemadh me punonjësit, shërbëtorët apo çdo kënd tjetër!
Pasi shpirti i depërtoi në të gjithë pjesët e trupit, Zoti i tha Ademit a.s:”Shko tek ai grumbull melekësh dhe u thuaj:”Es-selamu alejkum” (Paqa qoftë mbi ju). Gjuha që fliste Ademi a.s ishte arabishtja. Pra, gjuha e melekëve dhe e banorëve të xhenetit është arabishtja.
Ademi a.s vajti tek melekët dhe u tha:”Es-selamu alejkum” dhe melekët iu përgjigjën:”Ve alejkum selam ve rahmetullah” (edhe mbi ty qoftë paqa dhe mëshira e Zotit).
Zoti i tha:”Kjo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu.”
Ademi a.s u krijua i ditur
Që nga dita e parë që iu dha shpirti, Ademi a.s ishte i ditur. Jo ashtu siç na thuhet sot se njeriu i parë ishte i paditur pastaj filloi të mësojë nga përvoja. Ai mësoi si të ndezë zjarrin, mësoi të folurën etj… Allahu e krijoi njeriun të ditur dhe jo injorant. Madje, ai ishte më i ditur se vetë melekët, gjë e cila përmendet në shumë ajete dhe hadithe.
Që nga dita e parë, Zoti ia mësoi Ademit a.s emrat e çdo sendi. Kjo është kafshë, ky është zog, ky është det, ky është mal etj… Këtë e përmend vetë Abdullah ibnu Abasi. Ademi a.s mësoi gjithçka që ekzistonte në qiell dhe tokë.
Veç kësaj, Zoti i mësoi të gjithë zanatet e nevojshme, ai dinte të ndezë dhe përfitojë prej zjarrit, punonte hekurin dhe drurin.
“Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (Bekare, 31)
Kur Zoti e kishte deklaruar se do të krijojë një krijesë tjetër në tokë, melekët kishin thënë:”Le të krijojë Zoti ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e nderuar dhe më e ditur se ne.”
Zoti u tregoi se Ademi a.s ishte më i nderuar se melekët, pasi i urdhëroi këta të fundit t’i përulen në formë nderi. Përulja në formë nderimi, lejohej më parë, por tani është e ndaluar.
Veç kësaj, u tregoi se Ademi a.s ishte edhe më i ditur, pasi dinte emrat e gjithçkaje, cilësi të cilën nuk e kishin melekët.
“O Adem, – tha Ai – ua trego atyre emrat e gjërave!” (Bekare, 33) Menjëherë Ademi a.s filloi të rendisë emrat e gjithçkaje.
“Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha:“A nuk ju kam thënë se vetëm
Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë tregoni haptazi dhe çfarë fshihni?!” (Bekare, 33)
Ajo që melekët mbajtën të fshehtë është thënia e tyre:”Le të krijojë Zoti ynë ç’të dojë, pasi çfarëdo që të krijojë, nuk do të jetë më e nderuar dhe më e ditur se ne.”
Siç e shihni, sa më shumë të zhytemi në detajet e historive, aq më shumë lehtësohet të kuptuarit e Kuranit famëlartë. Duke shtjelluar shkaqet e shpalljes së ajeteve, na kthjellohen shumë gjëra që i kishim të mjegullta më parë.
Krijimi i gruas, Havasë a.s
Pasi përfundoi plotësisht krijimi i Ademit a.s, Zoti krijoi bashkëshorten e tij Havanë a.s. Havaja nuk u krijua menjëherë pas Ademit a.s. Ademi a.s jetoi një periudhë kohe krejtësisht i vetëm në xhenet, gjë e cila e bëri të ndihej i vetmuar dhe i mërzitur.
Një ditë, ndërkohë që Ademi a.s ishte duke fjetuar, Zoti krijon Havanë, nga një brinjë e krahut të majtë të Ademit a.s. Me anë të kësaj brinje, Zoti krijoi gruan e parë, Havanë a.s. Thotë Zoti i lartësuar mbi këtë fakt:“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij.” (Nisa, 1)
Kur Ademit a.s i doli gjumi, gjeti një grua pranë tij. Ai e pyeti menjëherë:”Kush je ti?” Ajo u përgjigj:”Jam një grua.” Ademi a.s e pyeti:”Përse je krijuar?” Havaja u prëgjigj:”Që të gjesh prehje tek unë.”
Melekët, kur e panë që Zoti kishte krijuar një krijesë tjetër të ngjashme me Ademin a.s, menduan ta vënë në provë Ademin a.s. Meqë ai dinte emrat e gjithçkaje, melekët e pyetën mbi emrin e Havasë. Kështu, i thanë:”Si e quajnë atë?” Ademi a.s u përgjigj:”E quajnë Hava.” Gjë të cilën ia kishte mësuar Zoti.
Melekët, e pyetën sërish:”Po përse ka marrë këtë emër?” Ademi a.s u përgjigj:”Sepse është krijuar nga diçka e gjallë.”
Imam Muslimi transmeton nga Ebu Hurejre se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit, le të flasë drejt ose të heshtë. U porosis të silleni mirë me gratë, pasi gruaja është krijuar nga një brinjë e lakuar dhe pjesa më e lakuar e brinjës është maja e saj. Nëse do tentosh ta drejtosh, do e thyesh. Nëse e lë ashtu siç është, do të vazhdojë e lakuar.”
Natyra e gruas është e tillë që shpesh herë udhëhiqet nga ndjenjat dhe jo arsyeja. Nëse ti rrekesh t’i ndryshosh sjelljet, të cilat burojnë nga bota emocionale e  pasur e saj, ti po tenton të ndryshosh vetë natyrën e saj, gjë e cila është e pamundur. Me gruan duhet të sillesh me të butë dhe dashamirësi, jo me dhunë dhe imponim.
Në shumë hadithe të sakta, thuhet se gruaja e Ibrahimit a.s, Sara, ishte femra më e bukur në botë, por pas Havasë, gruas së Ademit a.s. Sipas këtyre haditheve, Havaja ka qenë femra më e bukur e krijuar ndonjëherë në tokë.
Vesveset e shejtanit
Ademi a.s dhe gruaja e tij Havaja, jetonin në xhenet, sipas urdhrit të Zotit. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:“Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”.(Bekare, 35)
Në xhenet, Ademi a.s dhe Havaja a.s kishin të siguruar gjithçka, pa lodhje dhe pa mundim.
Që në fillim, Zoti i tregoi Ademit a.s mbi shejtanin, të cilin e etiketoi si armik të Ademit a.s. Kjo ishte që para se shejtani të fillojë me vesveset e tij.
“Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! “ Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.”  (Merjem, 117)
Pra, ato që na thuhen se njeriu i parë ishte i pambuluar dhe më vonë filloi të mbulohet nuk është aspak e vërtetë. Zoti i kishte veshur njerëzit e parë që në xhenet, ashtu siç i mëson si të vishen pasi do të vendosen në tokë.
“O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim. por, petku i devotshmërisë është më i miri.” (Araf, 26)
Ademi a.s dhe e shoqja nuk e njihnin lakuriqësinë që kur u krijuan.
Ibnu Xheriri dhe shumë të tjerë, transmetojnë se Ebu Musa El-eshari ka thënë:”Kur Zoti e zbriti Ademin a.s nga xheneti në tokë, i mësoi të gjithë zanatet.”
Kur Ademi a.s zbriti dhe u vendos në tokë, ishte i ditur, i veshur me rroba dhe njohës i të gjithë zanateve themeltare. Ajo që na mësohet se njerëzit e parë jetonin pa rroba mbi trup, nuk është e saktë. Fiset afrikane dhe të disa vendeve të tjerë që bëjnë një jetë primitive, duke mos mbajtur rroba mbi trup, kanë devijuar nga natyra e pastër me të cilën i krijoi Zoti fillimisht
Në xhenet, Ademi dhe Havaja a.s, nuk do të ndjenin as etje dhe as vapë. Ata do të jetonin në kushte jetese luksi, pa u lodhur dhe pa u mundur.
Vesveset dhe tundimet e shejtanit
Vesveset dhe tundimet e shejtanit, Zoti i përmend në disa ajete. Shejtani nuk banonte në xhenet, por u lejua nga Zoti, që të hyjë dhe ta tundojë Ademin a.s.
Shejtani filloi t’i joshë dhe t’i tundojë që të hanin nga pema që Zoti ua kishte ndaluar.
“Ndërsa Ademit i tha: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!” (Araf, 19)
Ai u thoshte se pema që u ka ndaluar Zoti, është pema e përjetësisë dhe e pushtetit. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran ku thotë:
“Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” (Araf, 20)
Qëllimi i shejtanit ishte që t’i çojë drejt gjynahit dhe thyerjes së urdhrit të Zotit, si dhe t’u zbulojë pjesët e turpshme të cilat gjer atëherë i kishin të mbuluara.
Veç joshjes dhe tundimit për pushtet dhe përjetësi, shejtani filloi edhe t’u  betohej se po u tregonte të vërtetën.
“Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij.” (Araf, 21-22)
E çfarë mund të ëndërronte më shumë se të jetojë në xhenet Ademi a.s?! A nuk kishte gjithçka që dëshironte?! A nuk jetonte në luks dhe i rrethuar nga të mirat?! Përse lakmoi edhe diçka të cilën ia kishte ndaluar Zoti?!
Në çastin kur ata hëngrën nga pema e ndaluar dhe thyen urdhrin e Zotit, u zhduken rrobat që kishin veshur dhe befasisht u shfaqën lakuriqë.
“Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme” (Araf, 23)
Me t’u ndodhur kjo, si Ademit a.s dhe Havasë a.s u erdhi turp. Natyra e njeriut e urren lakuriqësinë dhe nuk ndihet rehat. Kur panë se rrobat që i mbulonin u zhdukën, si Ademi a.s dhe Havaja a.s, filluan të mbulohen me gjethe pemësh të xhenetit. “dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit” (Araf, 23)
Ademi a.s nuk e përmbajti veten nga ajo që i ndodhi dhe mori arratinë, duke vrapuar ku të mundej në xhenet. Në një hadith, thuhet se kur Ademi a.s filloi të vrapojë, Zoti e thirri:”O Adem! A po arratisesh nga Unë?!” Ademi a.s i përgjigjet:”Jo o Zot! Por më erdhi zor  prej Teje.”
E para që hëngri nga pema ishte Havaja a.s dhe ishte ajo që e nxiti Ademin a.s që edhe ai t’i bashkohej në këtë vepër. Kjo përmendet në një hadith të saktë, të transmetuar nga imam Buhari, sipas të cilit, Profeti a.s thotë:”Nëse nuk do të ishte Havaja, asnjë femër nuk do e tradhtonte burrin e saj.”
Nëse nuk do të ishte Havaja, Ademi a.s nuk do kishte ngrënë nga pema e ndaluar.
Pasi kishin ngrënë nga pema e ndaluar, Zoti u flet Ademit a.s dhe Havasë a.s:
“..dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” (Araf, 22)
Vallë si do të reagonte Ademi a.s dhe Havaja? Mos do të silleshin si shejtani, duke këmbëngulur në kryeneçësinë e tyre? Jo. Ata nuk do të reagojnë si shejtani, por do të pranojnë gjynahun që kanë bërë, me fjalët:“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 23)
Si iblisi ashtu dhe Ademi a.s e thyen urdhrin e Zotit, por dallimi qëndron se Ademi a.s u pendua dhe kërkoi falje, kurse iblisi vazhdoi me arrogancën e tij. Dijetarët myslimanë thonë:”Nuk ka gjynahe të rënda nëse pasohen nga istigfari, por as gjynahe të vogla nëse pasojnë njëri-tjetrin.”
Vendosja në tokë
Edhe pse ishin kokëulur dhe të penduar për atë që kishin bërë, duhej patjetër një qëndrim. Si ishte e mundur që para një sprove kaq të lehtë, të dorëzoheni dhe t’i shkoni pas pasioneve dhe tundimeve tuaja?!
“Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar. Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni.” (Araf, 24-25)
Në ajete të tjera, Zoti e përshkruan këtë moment me fjalët:
“Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur. Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, të gjithë u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk pranoi. Pastaj thamë: “O Adem, me të vërtetë që ky është armiku yt dhe i gruas sate, prandaj mos e lini t’ju nxjerrë kurrsesi nga Xheneti, se pastaj do të vuani në mjerim! Këtu nuk do të mbetesh kurrë as i uritur e as i zhveshur, dhe nuk do të kesh as etje, as vapë.” Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?” Kështu, ata të dy, (Ademi dhe Havaja), hëngrën nga ajo pemë e u ndërgjegjësuan për lakuriqësinë e tyre, prandaj nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit. Ademi nuk e zbatoi urdhrin e Zotit të vet, kështu që devijoi (nga rruga e drejtë). Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin, e udhëzoi dhe tha: “Zbritni prej Xhenetit që të dy (Ademi dhe djalli)! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.”(Taha, 115-124)
Kështu zbriti Ademi a.s në tokë, si pasojë e thyerjes së urdhrit të Zotit. Pasi u pa se Ademi a.s ishte penduar mbi atë që kishte bërë, Zoti i mësoi disa fjalë, si shenjë pendimi. “Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin.
Këto fjalë, Zoti i përmend në Kuran ku thotë:”
“Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. (Araf, 22)
Bashkë me Ademin dhe Havanë, në tokë zbriti dhe iblisi. Dijetarët kanë mendime të ndryshme mbi territorin ku u vendosën fillimisht, por mendimi më i arsyeshëm është ai i Ibnu Abasit, që thotë:”Ademi a.s u vendos në Indi, kurse Havaja në Xhidda (Arabia Saudite). Ademi u vu në kërkim të saj, derisa u takuan të dy në Arafat. Prej këtu, ky vend e mori emrin Arafat (njohja).”
Fëmijët e Ademit a.s
Në një transmetim, thuhet se Ademi a.s jetoi një mijë vite. Sipas disa rrëfenjave izraelite, Ademi a.s arriti të shohë katërqind mijë nga pasardhësit e tij. Gjithsesi, këto janë gjëra që, sipas porosisë së Profetit a.s, as nuk i besojmë dhe as nuk i përgënjeshtrojmë. Ne i besojmë asaj që pohon Kurani famëlartë ku thotë:“kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (Nisa, 1)
Që atëherë filloi njerëzimi të shtohej. Havaja lindi shumë fëmijë. Taberiu thotë se Havaja lindi dyzet fëmijë, në njëzet shtatzani. Në çdo lindje, Havaja lindte dy binjakë, një djalë dhe një vajzë. Fëmija i parë ishte Kabili, motra e të cilit ishte Sulejm. Fëmija i fundit ishte Abdul Mugith, kurse motra e tij binjake Umul Mugith.
Njerëzimi filloi të shtohej dhe profeti i tyre ishte Ademi a.s, i cili u mësonte ligjet dhe normat e fesë. Asokohe të gjithë ishin monoteistë dhe nuk njihej idhujtaria.
Ibnu Hiban transmeton një hadith, se Ebu Dheri e ka pyetur Profetin a.s:”Kush ka qenë i dërguari i parë i Zotit?” Profeti a.s i është përgjigjur:”Ka qenë Ademi.” Ebu Dheri e pyeti:”Ka qenë profet i dërguar?” Profeti a.s iu përgjigj:“Po.”
Ademi a.s ishte profet dhe i dërguar i Zotit. Ai ishte krijuar nga vetë Zoti me duart e Tij fisnike dhe i kishte fryrë nga shpirti i Tij. Ademit a.s i foli Zoti i lartësuar direkt, pa ndërmjetës, siç ka bërë me profetët e tjerë.
Kabili dhe Habili
Ata janë dy djem të Ademit a.s. Kabili ishte njeri i vrazhdë dhe i ashpër në karakter. Ndërkohë që Habili ishte zemërmirë dhe i butë. Kabili merrej me bujqësi, kurse Habili merrej me bagëti. Profesioni i Habilit shtron nevojën për dhembshuri dhe dashuri karshi kafshëve dhe bagëtive. Duke qenë se nuk janë të arsyeshme, ato kanë nevojë për përkujdesje, ushqim dhe ujë.
Asokohe, njerëzimi kishte nevojë për një kod familjar, sidomos lidhur me shtimin e njerëzimit, duke ditur se ata ishin vëllezër dhe motra të njëri-tjetrit. Kështu, ligji ishte i tillë, që djemtë e Ademit a.s mund të martoheshin me këdo nga motrat, përveç binjakes. Nga ky ligj nuk bënte përjashtim as Kabili dhe as Habili. Sipas transmetimeve, thuhet se binjakja e Kabilit, ishte më e bukur se binjakja e Habilit. Kabili dëshironte që ai të martohej me binjaken, por kjo ishte e ndaluar sipas ligjeve të asaj kohe. Duke qenë se Ademi a.s ishte profet dhe i dërguar, kishte dhe legjislacionin e tij.
Një ligj tjetër, ishte dhe ai i kurbaneve, flijimeve të bagëtisë. Shenja që Zoti e ka pranuar kurbanin e dikujt, ishte që të zbriste një zjarr nga qielli dhe ta digjte. Kurbani që nuk digjej nga zjarri, ishte i refuzuar nga Zoti.
Kur deshi Habili të ofrojë një kurban, zgjodhi kafshën më të mirë dhe e theri. Kurse Kabili ofroi një sasi drithërash të prishur. Një ditë më vonë, dy vëllezërit panë se kurbani i Habilit ishte pranuar nga Zoti, e kishte djegur zjarri. Kurse kurbanin e Kabilit e kishte refuzuar, nuk ishte djegur. Kjo ia shtoi urrejtjen dhe xhelozinë Kabilit për të vëllain. Në këtë çast, ndërhyn dhe shejtani i cili e nxit Kabilin të vrasë vëllain e tij. Vrasja ishte një risi e re për jetën e njeriut mbi tokë, ishte krimi i parë që po ndodhte në histori. I vendosur, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili dhe i tregoi se dëshironte ta vrasë. Habili, nga ana e tij i tha se nuk do të reagonte duke tentuar ta vrasë. Ai i tha se nga kjo vepër nuk do të fitojë asgjë përveç gjynahut dhe ndëshkimit.
Në një natë të errët dhe të zezë, Kabili vajti tek vëllai i tij Habili i cili ishte duke fjetur dhe me një gur të madh, e vrau duke e goditur në kokë. Ishte krimi i parë në historinë njerëzore.
Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të veprojë me kufomën. Ishte hera e parë që dikush vdiste nga njerëzit dhe nuk dinin si të sillen me të vdekurit. Mandej, Kabili e mbajti në krahë kufomën e të vëllait dhe e transportoi në një vend tjetër. Atje, Zoti dërgoi dy sorra para Kabilit. Dy sorrat filluan të ziheshin me njëra-tjetrën, derisa njëra mbeti e ngordhur në vend. Sorra triumfuese, filloi të hapë një gropë me këmbët e saj. Pastaj e shtyu sorrën e ngordhur drejt gropës dhe e mbuloi me dhe.
Nga kjo ngjarje, mësoi Kabili se çfarë duhet të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai hapi një gropë menjëherë, e hodhi të vëllain brenda dhe e mbuloi me dhe.
Më vonë, Kabili pendohet për atë që kishte vepruar, por nuk bëri istigfar (nuk kërkoi falje). Një ndër kushtet e pendimit (teubes) është që të shoqërohet me kërkim falje (istigfar). Nuk është e mjaftueshme që pas një krimi dhe gjynahu, të pendohesh dhe të ndihesh keq. Kjo duhet të shoqërohet me kërkim falje nga Zoti i lartësuar.
Këtë ndodhi Zoti e ka regjistruar në Kuranin famëlartë, ku thotë:“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” (Maide, 27-31)
Transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhij etj…, se Sad ibnu Ebi Vekas ka thënë gjatë trazirave në kohën e Othman ibnu Affanit:”Dëshmoj se i dërguari i Allahut ka thënë:”Do të ndodhin trazira (fitne). Ai që qëndron ulur në atë kohë, do të jetë më i mirë se ai që qëndron në këmbë.”
Unë e pyeta:”Po nëse unë qëndroj i mbyllur në shtëpi dhe dikush hyn brenda dhe me shpatë në dorë tenton të më vrasë, çfarë duhet të bëj?”
Profeti a.s u përgjigj:“Bëhu si djali më i mirë i Ademit a.s.” Kurse në një transmetim tjetër, Profeti a.s thotë:”Bëhu biri i vrarë i Ademit dhe mos u bëj biri vrasës.”
Në një hadith tjetër të transmetuar nga imam Ahmedi, profeti Muhamed a.s thotë:”Çdo njeri që vritet padrejtësisht, një pjesë e gjynahut i shkon dhe djalit të Ademit, pasi ai është njeriu i parë që e shpiku vrasjen.”
Me vrasjen e të vëllait, Kabili shpiku një risi dhe krim që nuk ishte dëgjuar gjer atëherë. Për këtë, Zoti e ndëshkoi duke i dhënë pjesë të gjynahut të çdo të vrari padrejtësisht gjer Ditën e Kiametit.
Thotë Profeti a.s:”Kush shpik një vepër të ligë, ai do të ketë gjynahun e tij dhe gjynahun e atyre që do e veprojnë pas tij, deri në Ditën e Kiametit.”
Arratisja e Kabilit
Pasi vrau vëllanë e tij, Kabili morri arratinë, duke mos dashur t’i dalë para babait të tyre, Ademit a.s. Bashkë me gruan e tij, ai u vendos në fusha, ndërkohë që fëmijët e tjerë dhe prindërit jetonin rrrëzë maleve.
Fëmijët dhe pasardhësit e Kabilit u shtuan, por në mungesë të mësuesit shpirtëror, mes tyre filloi të përhapej degjenerimi moral. Kjo, edhe pse adhuronin një Zot të vetëm. Që atëherë, njerëzit u ndanë në dy kategori: Të mirët, që jetonin me Ademin a.s dhe të ligët, që jetonin me Kabilin.
Vdekja e Ademit a.s
Ademi a.s jetoi nëntëqind e gjashtëdhjetë vite.
Në fakt, ai kishte për të jetuar njëmijë vite, por dyzet vite iu hoqën me dëshirën e tij. Kjo transmetohet në shumë hadithe të transmetuara nga imam Tirmidhiu dhe shumë të tjerë. Sipas Ebu Hurejres, i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kur Zoti krijoi Ademin, e fshiu kurrizin e tij, prej ku dolën të gjithë pasardhësit e Ademit që do të vinin në jetë gjer Ditën e Kiametit. Mes dy syve të çdo njeriu, gjendej një dritë. Kur Zoti ia tregoi Ademit, ky e pyeti:”O Zoti im! Kush janë këta?!”  Zoti iu përgjigj:”Këta janë pasardhësit e tu.” Ademi a.s sheh një  burrë nga pasardhësit e tij, tek i cili i pëlqeu drita mes syve. I habitur, ai e pyeti Zoti:”O Zoti im! Kush është ky?” Zoti iu përgjigj:”Ky është një burrë nga gjeneratat e fundit të pasardhësve të tu. Emri i tij është Daud.” Ademi a.s e pyeti:”O Zoti im! Sa jetë i ke dhënë këtij personi?” Zoti u përgjigj:”Gjashtëdhjetë vite.” Ademi a.s i tha:”O Zoti im! Merri gjashtëdhjetë vite nga jeta ime dhe jepja atij!” dhe Zoti ia plotësoi këtë dëshirë. Kur Ademi a.s mbushi nëntëqind e gjashtëdhjetë vjeç, i erdhi meleku i vdekjes. Duke e ditur se jeta e tij ishte një mijë vjet, ai e pyeti melekun e vdekjes:”A nuk më kanë mbetur edhe dyzet vite të tjera nga jeta?!” Meleku i tha:”A nuk ia ke dhënë djalit tënd Daudit?!” Për shkak se Ademi a.s nuk e mbajti premtimin, nuk e mbajnë premtimin dhe pasardhësit e tij. Për shkak se Ademi harroi, harrojnë dhe pasardhësit e tij. Për shkak se Ademi a.s gaboi, gabojnë dhe pasardhësit e tij.”
Vdekja e Ademit a.s
Nga djemtë e Ademit a.s ishte dhe Shith, i cili kishte lindur pas vdekjes së Habilit. Shith, do të thotë “dhuratë e Zotit”.
Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Zoti ka shpallur njëqind e katër fletë. Vetëm Shith-it, Zoti i ka shpallur pesëdhjetë fletë.”
Këto fletë përmbanin ligje dhe norma, për të disiplinuar jetën e njerëzve. Ademi a.s ia mësoi djalit të tij Shithit, shumicën e njohurive dhe dijeve që i kishte mësuar Zoti. Përveç dijeve dhe shkencave fetare, Shithi u mësonte njerëzve dhe zanatet e ndryshme, përllogaritjet e ditës dhe natës dhe kur duhej adhuruar Zoti i lartësuar.
Transmeton imam Ahmedi, se Xhumretu Sadij ka thënë:”Pashë një të moshuar në Medine duke folur. Kur pyeta kush ishte, më thanë se ishte Ubej ibnu Kab (një nga më të diturit e sahabëve rreth shkencave të Kuranit dhe tefsirit). Ndër të tjera, ai tha:”Kur Ademit a.s iu afrua vdekja, u tha fëmijëve:”Më ka marrë malli për fruta xheneti.”
Frutat e xhenetit janë të ngjashme në formë me ato të kësaj bote. Kështu, në xhenet ka molla, dardha etj… Ajo që i dallon, është se frutat e xhenetit nuk kalben, ndërkohë që ato të kësaj bote kalben. Frutet e kësaj bote kanë shije të zakonshme, ndërkohë që frutet e xhenetit kanë shije të pazakontë. Ademi a.s dëshironte të hajë fruta të ngjashme me ato të xhenetit.
Thotë Ubej ibnu Kab:”Fëmijët e Ademit a.s vajtën të kërkojnë fruta dhe në rrugë u takuan me melekët (në formë njerëzish), që mbanin në duar qefinë dhe materiale të tjera për përgatitjen e të vdekurit. Melekët u thanë:”O bijtë e Ademit! Çfarë po kërkoni?”
Ata u përgjigjën:”Babai ynë është sëmurë dhe na kërkoi fruta xheneti.” Melekët u thanë:”Kthehuni, se babait tuaj i ka ardhur momenti i vdekjes.”
Me t’i dalluar Havaja, i njohu dhe lajmëroi Ademin a.s menjëherë. Ademi a.s i tha:”Largohu prej meje, pasi e keqja më erdhi prej teje. Më lër me melekët e Zotit tim të lartësuar.”
Kështu, melekët e vdekjes ia morën shpirtin, e lanë, e veshën me qefinë, e lyen me parfum, i hapën varrin, i falën xhenazen dhe e mbuluan. Pra, ishin melekët ata që e përgatitën xhenazen e Ademit a.s dhe e varrosën së fundmi.
Pasi e varrosën, melekët u thanë fëmijëve të Ademit a.s:”O bij të Ademit! Kështu duhet të veproni me të vdekurit tuaj.”
Ademi a.s e kishte kaluar jetën në bindje dhe konform ligjeve të Zotit. Hera e parë që i kishte thyer ligjet e Zotit ishte kur hëngri nga pema e ndaluar në xhenet. Përgjatë nëntëqind e pesëdhjetë viteve jetë mbi tokë, ai nuk veproi gjynahe.
Një vit pas vdekjes së Ademit a.s, ndërroi jetë dhe gruaja e tij Havaja a.s.
Shthurja morale
Pas vdekjes së Ademit a.s, ishte djali i tij Shithi, ai që i trashëgoi dijet, profecinë dhe pushtetin. Ai gjykonte me drejtësi mes njerëzve, edhe pse kishin filluar të shfaqen shenjat e para të korruptimit dhe degjenerimit mes popullit të Kabilit në fusha. Mes tyre ishin përhapur dhe krime të tilla si vrasja. Ata vrisnin njëri-tjetrin, por edhe njerëz që zbrisnin nga mali, nga pasardhësit e tjerë të Ademit a.s.
Një fakt i tillë transmetohet nga Abdullah ibnu Abasi, i cili pasi lexoi ajetin:”mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” (Ahzab, 33), tha:”Fëmijët e Ademit a.s ishin ndarë në dy barqe: Ata që jetonin në mal dhe ata që jetonin në fushë. Burrat që jetonin në mal, ishin të hijshëm dhe të pashëm, ndërkohë që gratë e tyre nuk ishin të tilla. Gratë e atyre që jetonin në fusha ishin të bukura, kurse burrat e tyre të shëmtuar. Shejtani i vajti një burri nga barku i Kabilit, në formën e një djaloshi dhe i kërkoi të shërbejë tek ai si çirak. Ky djalosh, që në fakt ishte shejtani, filloi t’ju mësojë si të luajnë në vegla muzikore. Ai kishte shpikur një mjet muzike si fyell dhe me të i kishte bërë njerëzit për vete. Zëri i fyellit kishte filluar të dëgjohej dhe tek ata që banonin në mal, gjë që kishte tërhequr dhe vëmendjen e kureshtjen e tyre. Veç kësaj, njerëzit e Kabilit kishin caktuar një ditë feste një herë në vit. Atë ditë, ata grumbulloheshin dhe festonin së bashku. Një pjesë e rëndësishme e kësaj feste, ishte se gratë e tyre ekspozoheshin të zhveshura dhe me veshje tunduese para burrave. Ky lajm kishte arritur dhe në mal, ku disa burra nuk i kishin rezistuar këtij tundimi dhe shkonin për të parë gratë gjatë festës. Një ndër ligjet e Shithit, ishte se u ishte ndaluar të gjithë banorëve të malit të takoheshin dhe të kontaktonin me burrat ose gratë nga barku i Kabilit. Një nga burrat e malit, zbret poshtë në fushë gjatë festës dhe hyn mes popullit të Kabilit, ku mbetet gojëhapur nga bukuria e grave të tyre. Ai kthehet në mal dhe u tregon burrave të tjerë mbi atë që i kishin parë sytë. Një pjesë e mirë e burrave nuk i rezistojnë dot këtij tundimi dhe zbresin në fushë që edhe ata të shohin bukurinë e grave të fushës. Kështu filloi të përhapej degjenerimi dhe shthurja edhe mes tyre. Në këtë ngjarje e ka zanafillën e saj shthurja morale dhe marrëdhëniet jashtëmartesore. Ky është komenti i ajetit që lart përmendëm:“mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes!” (Ahzab, 33)
Shithi, si profet dhe sovran, bëri ç’ishte e mundur që ta ndalojë këtë shthurje dhe degjenerim moral që ishte përhapur. Popullsia në fushë, barku i Kabilit, kishte filluar të rritej, ndërkohë ato në mal ishin reduktuar ndjeshëm.

Historia e familjes së Imranit a.s

Pas kushedi sa vitesh e shekujsh, mes Benu Israilëve shfaqet një familje e mirë dhe e ndershme, pasardhës së Jakubit dhe Ibrahimit a.s. Kjo familje ishte ajo e Imranit, e cila ceket dhe në suret e Kuranit. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:

“Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre)(Ata ishin) pasardhës të njëri – tjetrit. Allahu dëgjon dhe di çdo gjë.” (Al Imran, 33)
Imrani, emri i të cilit përmendet në këtë ajet, është nga pasardhësit dhe pinjollët e profetit Daut a.s. Ai kishte një vajzë me emrin Ashia, e cila është motra e Merjemes a.s (Marisë). Ashia është gruaja e profetit Zekeria a.s dhe tezja e profetit Isa a.s (Jezusit). Tregon profeti Muhamed a.s lidhur me udhëtimin e Miraxhit, ku ndër të tjera thekson:”Kalova dhe pranë dy kushërinjve (djem tezesh) Jahja a.s (Gjon pagëzori) dhe Isai a.s…”
Lindja e Merjemes a.s
Historia e Merjemes a.s fillon me nënën e saj e cila ishte e paaftë për të lindur. Një ditë, ajo sheh një harabel duke ushqyer të vegjlit e tij, gjë e cila ia shtoi më shumë dëshirën për t’u bërë nënë. Për këtë, ajo u betua se nëse do të mbetej shtatzënë dhe do lindte një fëmijë, do ia kushtonte Zotit dhe fesë së Tij.
“Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” (Al Imran, 35)
Ndërkohë, Zekeria a.s ishte transferuar nga Damasku në Jerusalem, për t’i shërbyer shtëpisë së shenjtë. Asokohe, ishte bërë traditë që familjet t’ua kushtonin një djalë të shtëpisë shërbimeve që kërkonte vendi i Shenjtë. Fëmijët merreshin në dorëzim nga murgjërit, të cilët përkujdeseshin, i edukonin, u mësonin Teuratin, i përgatisnin për murgjër që më pas t’i shërbenin shtëpisë së shenjtë. Edhe gruaja e Imranit, u betua se nëse mbetet shtatzënë, djalin që do të lindë do ia kushtojë shtëpisë së shenjtë. Dhe në fakt, ajo mbeti shtatzënë, por kur lindi foshnja ishte femër dhe jo mashkull. Ishin vetëm meshkujt ata që i kushtoheshin shërbimit të shtëpisë së shenjtë, kurse femrat ishin të përjashtuara.
“E kur ajo lindi, tha: “Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo, – e mashkulli nuk është si femra.” (Al Imran, 36)
Ndërkohë, vetë Imrani, babai i Merjemes së porsalindur, ishte kryemurgu i shtëpisë së Shenjtë në Jeruzalem. E shoqja u këshillua me Imranin lidhur me betimin e saj. Ai i tha:”Përderisa t’i je betuar se do ia kushtosh shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë, kështu le të jetë, edhe pse është femër.”
Me fjalët “e mashkulli nuk është si femra” Zoti kërkon ta lartësojë figurën e kësaj femre, Merjemes a.s. Mashkulli që gruaja e Imranit ia kishte kushtuar shtëpisë së Shenjtë, edhe sikur të lindte, nuk do të gëzonte statusin dhe madhështinë e Merjemes a.s.
Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar”. (Al Imran, 36)
Thotë profeti Muhamed a.s:”Çdo foshnje që lind nga bijtë e Ademit ngacmohet nga shejtani me gishtin e tij. Përjashtim ka bërë Merjemeja, vajza e Imranit dhe djali i saj Isai.” (Buhariu, Muslimi, Ahmedi etj…)
“Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë” (Al Imran, 37)
Kështu, Merjemeja i përkushtohet tërësisht shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë që kur ishte foshnje.
Ishte bërë traditë, që kur në Shtëpinë e Shenjtë sillej një foshnje, për t’i shërbyer më pas Shtëpisë së Shenjtë, i dorëzohej njërit prej murgjërve që të kujdesej dhe ta edukonte. Kur mbërriti Merjemja, secili nga murgjërit donte ta merrte për vete. Zakonisht, kur të gjithë donin ta merrnin një foshnje, ata e lusnin Zotin që t’i frymëzojë se kush e meritonte më shumë. Kështu, Zoti i frymëzonte në mënyra të ndryshme se cili duhej të ishte kujdestari. Në rastin e Merjemes nuk ndodhi kështu. Duke para ngulmimin e Zekerias për ta marrë Merjemen në kujdestarinë e tij, ata vendosën të hedhin penat në rrjedhën e ujit. Nëse gjatë rrjedhës, dikujt do i shfaqej ndonjë mrekulli tek pena, ai e meritonte kujdestarinë e Merjemes. Kur u hodhën në rrjedhën e ujit, të gjithë penat ndoqën rrjedhën, kurse ajo e Zekerias çau në drejtim të kundërt me rrjedhën. Kjo ishte një mrekulli që Zekeria a.s ta merrte në kujdestarinë e tij. Diçka e tillë ceket dhe në Kuran, ku Zoti thotë:“Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hodhën short se kush prej tyre do të merrte nën kujdes Merjemen dhe nuk ishe i pranishëm kur ata diskutonin.” (Al Imran, 44)
Ishte mrekulli ajo që ndodhi me penën e Zekerias, por është mrekulli edhe fakti që këtë ndodhi e përmend Zoti në Kuran, në gojën e të dërguarit të tij të fundit, profetit Muhamed a.s.
“Zoti e pranoi atë (Merjemen) me ëndje, e bëri që të rritet mirë” (Al Imran, 37)
Merjemeja gëzonte shëndet të mirë, pasi ajo rritej dhe zhvillohej më shpejt se bashkëmoshataret e saj. Kur lindi profetin Isa a.s, ajo ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, por që në pamje dukej si një grua me përvojë.
Në Shtëpinë e Shenjtë, ajo i ishte përkushtuar krejtësisht adhurimit dhe shërbimeve të përditshme. Zoti i kishte dhënë disa mrekulli, si shpërblim për përkushtimin dhe devocionin e saj.
“dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. (Al Imran, 37)
Thuhet që Zekeria a.s gjente në dhomën e Merjemes jo vetëm ushqime të ndryshme, por gjente në dimër fruta që piqeshin në verë dhe anasjelltas. Që në moshë të vogël, asaj iu shfaqën mrekulli.
(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka parapëlqyer ty mbi të gjitha gratë e botës.” (Al Imran, 42)
“Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij përherë ka qenë e drejtë.” (Maide, 75)
Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, Muslimi etj…, profeti Muhamed a.s thotë:”Gruaja më e mirë mbi tokë është Merjemeja vajza e Imranit. Gruaja më e mirë mbi tokë është dhe Hadixheja, vajza e Huvejlid-it.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Nga gratë e tokës, mjafton të përmendësh katër:”Merjemen vajzën e Imranit, Asijen, gruan e Faraonit, Hadixhen, vajzën e Huvejlidit dhe Fatimen vajzën e Muhamedit.”
Nga këto të katërta dhe nga të gjitha gratë e botës, Merjemeja padyshim që zë vendin e parë. Ajo ndiqet nga Fatimeja, vajza e Profetit a.s, pastaj Hadixheja bija e Huvejlid dhe në fund Asija, gruaja e faraonit.
Zekeria a.s uron të ketë një fëmijë
Duke parë mrekullitë që i ndodhnin Merjemes, edhe Zekeria a.s filloi të ushqejë dëshirën për t’u bërë baba. Në këtë kohë, ai ishte njëqind vjeç dhe ishte privuar nga të pasurit fëmijë. Vetë e shoqja ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeçe. Ai filloi ta lusë Zotin, që t’i japë një fëmijë. Këto lutje i ka regjistruar Zoti në Kuran:
Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij –
Zekerijas.
“Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë):“O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, – nga sjelljet e të afërmve të tij, ai frikësohej se mos nuk do i përkushtoheshin shërbimit të Shtëpisë së Shenjtë dhe do të braktisnin fenë – ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!” (Merjem, 2-6)
Zoti i lartësuar ia pranoi lutjen, gjë e cila deklarohet dhe në Kuran:
“Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje).” (Enbija, 90)
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Me t’ia pranuar Zoti lutjen, gruas së Zekerias i erdhën menstruacionet.” edhe pse ishte nëntëdhjetë e nëntë vjeçe.
Gjithashtu, ajo njihej si grua llafazane dhe paedukatë. Pasi ia pranoi lutjen Zekerias, Zoti ia hoqi edhe këto vese.
Edhe vetë melekët e përgëzuan Zekerian a.s për djalin që do i lindte. Thotë Zoti në Kuran:
“O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”. (Merjem, 7)
Pra, edhe emri i ishte vënë këtij djali. Ai ishte një emër që nuk njihej më parë, gjë e cila ceket dhe në ajet.
Zekeria a.s u çudit që do i lindë djalë në këtë moshë të shtyrë, ndërkohë që edhe e shoqja ishte sterile, e paaftë për të lindur.
“Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!” I tha: “Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”. (Zekerija) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” – Ai i kërkoi Zotit një shenjë që ta kuptojë se gruaja e tij është shtatzënë. Gjithashtu, i kërkoi një shenjë që Benu Israilët ta kuptojnë se ky fëmijë do e trashëgojë dijen e tij – Ai tha:“Shenja jote do të jetë se nuk do të mund të flasësh me njerëzit për tri net, ndonëse do të jesh i shëndoshë.” (Merjem, 8-10)
Shenja ishte e tillë, që edhe pse nuk kishte asnjë sëmundje fizike, Zekeria a.s nuk do të mund të fliste për tre ditë radhazi. Ai mund të komunikonte me njerëzit vetëm me shenja dhe duke lëvizur buzët. Thuhet që kur ishte fjala për adhurim dhe lartësim të Zotit, ai fliste dhe dëgjohej. Por kur donte t’u flasë njerëzve ngecte dhe e kishte të pamundur. Kjo i zgjati për tre ditë.
“Ai doli nga faltorja para popullit të vet dhe u bëri me shenjë atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje!” (Merjem, 11)
Në disa ajete të tjera në Kuran, Zoti flet me hollësi të tjera mbi Zekerian a.s dhe lutjen e tij për djalë.
“Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!” E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan): “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isain a.s.), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të mirëve”. (Al Imran, 38-39)
Pra, përveç Jahjas, Zoti i tregoi se do të vijë dhe një profet tjetër, Isai a.s, ku Jahja do i besojë dhe do e ndjekë.
“i dëlirë” d.m.th që nuk do të martohet, edhe pse është i aftë për këtë. Disa dijetarë mendojnë se Isai a.s ishte i paaftë për t’u martuar, por kjo nuk është e vërtetë.
 “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri.”(Merjem, 12)
Që në vegjëli, Jahja a.s ishte i mençur dhe nuk e harxhonte kohën kot. Në një hadith, thuhet se bashkëmoshatarët i thanë një ditë:”Eja me ne të luajmë!” Ai ua ktheu:”Nuk jemi krijuar për të luajtur.”
Lidhur me disa virtyte dhe cilësi të Jahjas, thotë Zoti në Kuran:“butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm. Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.”(Merjem, 13
Dijetarët thonë se ceket paqa, pasi janë tre momente kur njeriu ka më shumë nevojë për të, lindja, vdekja dhe dita e ringjalljes.
Në një hadith, thuhet se Isai a.s u takua me Jahjan dhe i tha:”Kërkoji Zotit falje për mua, pasi ti je më i mirë se unë!” Jahja ia ktheu:”Jo, ti kërko falje për mua. Ti je më i mirë se unë.” Isai a.s i tha:”Jo, ti je më i mirë. Unë kam përshëndetur veten time, kurse ty të ka përshëndetur vetë Zoti.”
Jahjan e kishte përshëndetur vetë Zoti në ajetin:”Paqja qoftë mbi atë ditën kur ka lindur, ditën kur të vdesë dhe në ditën kur do të ringjallet.”(Merjem, 13
Kurse Isai a.s përshëndet veten në ajetin:”Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Merjem, 33)
Padyshim që kjo është prej modestisë së profetit Isa a.s, pasi të gjithë dijetarët kanë mendim unanim se ai është më i mirë se Jahjai a.s.
Thotë profeti Muhamed a.s në një hadith:”Nuk ka njeri që nuk ka gabuar, ose ka dashur të bëjë një të ligë, përveç Jahjait biri i Zekerias. Askujt nuk i takon të thotë se unë jam më i mirë se Junus ibnu Meta.”
Në shumë transmetime ceket fakti që Jahjai a.s ishte i ruajtur dhe i dëlirë nga veprat e liga.
Vrasja e Jahjas a.s
Zekeria dhe djali i tij Jahja vazhduan misionin e profetëve mes Benu Israilëve, duke i këshilluar dhe udhëzuar drejt besimit dhe vlerave morale. Pushteti politik asokohe ishte në duart e një mbreti tiran, të lig dhe jomoral. Ashtu siç ndodh me shumë pushtetarë në vendet islame sot, edhe ky mbret, manifestonte gjoja respekt dhe nderim për Zekerian, Jahjan dhe njerëzit e ditur të fesë.
Një ditë, ky mbret shpreh dëshirën për t’u martuar me vajzën e vëllait të vet. Vetë mbesës së tij i pëlqeu kjo, pasi do të bëhej mbretëreshë. Në shumë hadithe thuhet se kjo vajzë ishte e pamoralshme. Për këtë, ajo pati dhe mbështetjen e nënës së saj. E gjitha kjo, edhe pse e dinin që feja e tyre e ndalon martesën mes xhaxhait dhe mbesës së tij. Mbreti deshi që për rastin e tij të bëjë një përjashtim dhe i kërkoi Jahjas a.s që ta lejojë të martohet me mbesën. Kur dëgjoi kërkesën e tyre, Jahja a.s mbajti një predikim para gjithë njerëzve, ku deklaroi dhe një herë ndalesën e martesës së xhaxhait me mbesën e tij. Kjo, me qëllim që nëse mbreti martohet, njerëzit ta kuptojnë se ka shkelur një ligj të shenjtë.
Kjo sjellje e zemëroi pa masë mbretin, ashtu siç zemëroi dhe mbesën. Nëse do të martoheshin, kjo do të shkaktonte reagime të forta në popullatë. Kështu, mbreti hoqi dorë nga kjo ide. Por mbesa e tij nuk hiqte dorë nga froni i mbretëreshës. Një natë, ai filloi të këndojë për mbretin dhe të kërcejë. Mbreti e kërkoi për në shtrat, por ajo refuzoi duke i thënë:”Vetëm pasi të martohemi.” Mbreti i tha:”E si të martohemi, ndërkohë që Jahja e ka ndaluar këtë?!” Ajo iu përgjigj:”Më sill kokën e Jahjas si dhuratë martesore dhe i japim fund kësaj çështjeje.”
Aq shumë ishte dhënë pas saj, saqë në çast urdhëroi ushtarët t’i sillnin kokën e Jahjas. Menjëherë ushtarët u nisën drejt faltores së Jahjas a.s, i cili në ato çaste ishte duke u falur. Ata ia prenë kokën dhe ia sollën mbretit në një tepsi. Ai e mori kokën e Jahjas a.s, ia dorëzoi mbesës së tij dhe kështu u martuan.
Kjo ishte një sprovë e Zotit për profetët e tij. Koka e një profeti, i jepet si dhuratë martesore një gruaje të përdalë. Prandaj profeti Muhamed a.s thotë:”Njeriu do të sprovohet sipas besimit që ka.”
Vrasja e profetit Zekeria a.s
Pasi vranë Jahjan a.s, ushtarët – me urdhër të mbretit – u nisën për një mision tjetër, vrasjen e Zekerias a.s. Në shumë transmetime, të cilat nuk janë të sakta, por për shkak se janë të shumta po i përmendim, thuhet se Zekeria a.s u fsheh në trungun e një peme. Kur pema u mbyll, shejtani mbajti jashtë një copë të rrobave të Zekerias. Kur ushtarët arritën tek pema dhe nuk e gjetën, u shfaqet shejtani me pamje njeriu dhe u thotë:”A nuk po e shihni rrobën e tij brenda pemës? Sharrojeni pemën që ta vrisni!” Kështu u vra dhe profeti Zekeria a.s që të dy profetë të nderuar.

Historia e Profetit Lut a.s

Ngjarjet e historisë së Lutit a.s, zhvillohen gjatë jetës së profetit Ibrahim a.s, i cili ishte xhaxhai i Lutit a.s. Babai i Lutit a.s quhej Haran dhe ishte vëlla i Ibrahimit a.s.  Kështu, Luti a.s është djali i vëllait të Ibrahimit a.s. Emri i profetit Lut a.s, përmendet në Kuran njëzet e shtatë herë, në katërmbëdhjetë sure. Duke qenë se babai i kishte vdekur në moshë të vogël, Luti a.s ishte rritur në shtëpinë e gjyshit të tij Tarih, me xhaxhain Ibrahim a.s. Ai ishte shumë i lidhur me Ibrahimin a.s. Kur Ibrahimin a.s e hodhën në zjarr dhe nuk e dogji, asnjë nga njerëzit nuk e besoi. I vetmi që e besoi ishte pikërisht Luti a.s. Këtë fakt e përmend dhe Zoti i lartësuar në Kuran, ku thotë:“Luti i besoi atij” (Ankebut, 26)

Kur Ibrahimi a.s vendosi të shpërngulej nga Babilonia, iu bashkëngjit edhe Luti a.s, i cili tha:“Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ankebut, 26)
Siç e cekëm dhe në historinë e Ibrahimit a.s, Luti u dërgua në fshatin Sedom. Ky vendbanim ndodhet pranë detit të vdekur, i cili sot njihet edhe me emrin deti i Lutit. Përveçse ishte një qendër biznesi e fuqishme, ky vendbanim përbënte një stacion pushimi të rëndësishëm për të gjithë udhëtarët dhe karvanët. Banorët e këtij qyteti ishin jobesimtarë dhe të shthurur. Zoti përmend në Kuran thënien e melekëve të dërguar për shkatërrimin dhe ndëshkimin e këtij qyteti dhe thotë:“Ne i nxorëm të gjithë besimtarët që ishin në atë qytet, ndonëse aty gjetëm vetëm një shtëpi myslimane.” (Dharijat, 35-36)
Vetëm shtëpia e Lutit a.s ishin besimtarë, ndërkohë që gjithë të tjerët jobesimtarë. Sikur kjo të mos mjaftonte, ata ishin njerëz shumë të shthurur dhe të degjeneruar, gjë të cilën e kishin kthyer në art. Paturpësitë e tyre nuk i kishte vepruar askush gjer atëherë. Ishin të parët që vepronin gjëra kaq të pahijshme dhe të turpshme.
“Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?”. Ju u qaseni meshkujve me epsh – në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!” (Araf, 80-81)
Origjina e homoseksualitetit e ka zanafillën pikërisht tek ky popull i pamoralshëm. Shumë njerëz sot rreken që homoseksualitetin ta paraqesin si diçka të natyrshme, si një ndjenjë që lind me lindjen e njeriut dhe që ekziston në gjenet e tij. Pa dyshim që kjo nuk është aspak e vërtetë. Ai nuk është gjë tjetër përveçse perversitet dhe deviacion nga natyra e pastër. Nëse do të ishte diçka që lind bashkë me njeriun dhe ekziston në gjenet e tij, do të ishte përhapur që para popullit të Lutit a.s.
“(Ata) thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës (për ta shkatërruar të gjithin), përveç familjes së Lutit. Ne do t’i shpëtojmë të gjithë ata.” (Hixhr, 58-59)
Luti a.s u thoshte:
“Vallë, ju, nga e gjitha bota, iu qaseni meshkujve e i lini mënjanë gratë tuaja, të cilat Zoti juaj i ka krijuar bashkëshorte për ju?! Njëmend, ju jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes.”(Furkan, 165-166)
Në shumë ajete, Zoti i lartësuar e paraqet në formën më të shëmtuar dhe të neveritur një vepër të tillë.
“Kur Luti i tha popullit të vet: “Përse bëni vepra të mbrapshta e të turpshme, madje në sytë e njëri-tjetrit?” (Neml, 54)
Paturpësia e tyre kishte shkelur çdo kufi, saqë burrat e ushtronin homoseksualitetin haptazi.
“Vallë, a mos ju u qaseni me epsh meshkujve, në vend të femrave? Në të vërtetë, ju jeni popull i paditur.” (Neml, 55)
Një gjuhë të tillë, Zoti nuk e ka përdorur për asnjë popull tjetër. Në Kuran, populli i Lutit a.s përshkruhen me nofka më të ndryshmet: Jobesimtarë, kriminelë, shpërdorues, të shthurur, agresorë dhe shkelës të çdo kufiri, xhahilë etj…
“Kur Luti i tha popullit të vet: “Vërtet, ju bëni të tilla lapërdhi, që askush para jush nuk ka bërë në botë: bëni marrëdhënie me meshkuj, u zini pusi atyre dhe në tubimet tuaja bëni punët më të ndyra.” (Ankebut, 28-29)
Sa herë që mblidheshin dhe tuboheshin në një vend, ata ushtronin veprat më të liga dhe të turpshme. Ata nuk kishin humbur çdo normë morali dhe mirësjellje, saqë në tubimet e tyre, qeshnin dhe gajaseshin me gazrat e njëri-tjetrit.
I gjendur në një situatë të tillë, Luti a.s filloi t’i ftojë dhe t’i këshillojë që të distancohen nga vepra të tilla. Thotë Zoti në Kuran:“Populli i Lutit i quante gënjeshtarë të dërguarit. Kujto kur vëllai i tyre – Luti, u tha: “Vallë, a nuk i frikësoheni ju Allahut? Pa dyshim, unë jam i dërguar i besuar për ju, andaj, frikësojuni Allahut dhe bindmuni mua! Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.” (Shuara, 160-164)
Janë pothuaj të njëjtat fjalë dhe këshilla të profetëve të tjerë, që ua drejtonin popujve të tyre. Populli i Lutit a.s iu përgjigj:
“..populli i tij nuk kishte tjetër përgjigje, përveç se tha: “Na e sill dënimin e Allahut, nëse thua të vërtetën”! (Ankebut, 29)
Po të njëjtën përgjigje kishin dhënë dhe popujt e profetëve të mëparshëm.
“Në fakt, Luti i paralajmëroi ata për fuqinë e dënimit Tonë, por ata i vunë në dyshim paralajmërimet.” (Kamer, 36)
“Përgjigjja e popullit të tij ishte: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.” (Araf, 82)
Të gjithë njerëzit e këtij qyteti, ishin të ligë dhe të degjeneruar, përveç Lutit a.s dhe dy vajzave të tij. Duke parë se Luti a.s dhe vajzat e tij, ishin të dëlirë dhe të moralshëm, ata vendosën t’i përzënë nga qyteti i tyre.
“Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”. Ai tha: “Unë kam vërtet neveri për atë që bëni ju!” (Furkan, 167-168)
Mandej, Luti a.s u lut:”O Zoti im, më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!”(Furkan, 169)
Duke qenë se filloi t’i humbasë shpresat, pasi e kërcënonin se nëse u flet, do e dëbojnë, Luti a.s u mbyll në shtëpi ku filloi të lutej. Ai nuk kishte askënd që ta ndihmojë dhe ta përkrahë në atë qytet, pasi ishte i ardhur.
“Ai tha: “O Zoti im, më ndihmo kundër popullit që bën mbrapshti”! (Ankebut, 30)
Zoti i lartësuar ia pranoi lutjen Lutit a.s dhe menjëherë nisi melekët e tij, Xhibrilin a.s, Mikailin dhe melekun e vdekjes. Fillimisht, këta tre melekë, u ndalën tek Ibraimi a.s, që t’i jepnin sihariqin e lindjes së Is’hakut a.s. Gjatë qëndrimit, Ibrahimi a.s i pyeti:”Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?” Ata thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës, për të hedhur mbi ta gurë prej balte të pjekur, të shënuar te Zoti yt, për ata që e kalojnë kufirin (në të këqija)”. (Dharijat, 31-34)
“Dhe, pasi të dërguarit Tanë i sollën lajmin e mirë Ibrahimit, i thanë: “Ne do t’i zhdukim banorët e këtij vendbanimi, sepse banorët e tij janë vërtet keqbërës”. (Ankebut, 31)
Ibrahimit a.s i vajti menjëherë mendja tek Luti a.s, i cili banonte pikërisht në Sedom. Duke dashur që të mos e shkatërrojnë atë popull, Ibrahimi a.s filloi t’i vonojë me fjalë. Ai i pyeti:”A do e shkatërronit një popull, në mesin e të cilit gjenden treqind besimtarë?” Melekët u përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte dyqind besimtarë?” Melekët u përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte dyzet besimtarë, a do e shkatërronit?” Melekët u përgjigjën:”Jo, nuk do e shkatërronim.” Ibrahimi a.s i pyeti:”Po sikur të kishte katërmbëdhjetë besimtarë?” Melekët iu përgjigjën:”Jo.” Ibrahimi a.s i pyeti për herë të fundit:”Po sikur të kishte vetëm një besimtar?!” Melekët u përgjigjën:”Edhe sikur të ketë vetëm një besimtar, nuk e shkatërrojmë.”Atëehrë Ibrahimi a.s u tha:”Dijeni se mes atij populli është Luti që është besimtar.”
Diçka e tillë përmendet shkurtimisht në ajetin:“Ai (Ibrahimi) tha: “Por atje banon edhe Luti!” Ata thanë:“Ne e dimë më mirë kush është atje. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij: ajo do të qëndrojë me ata që do të mbesin (për t’u dënuar)”. (Ankebut, 32)
“Pasi i kaloi frika Ibrahimit dhe i erdhi lajmi i gëzuar, ai polemizoi me të dërguarit Tanë për popullin e Lutit. Vërtet, Ibrahimi ishte i butë, i dhembshur e vazhdimisht i kthyer (tek Allahu).” (Hud, 74-75)
Gjatë gjithë kësaj kohe, Ibrahimi a.s rrekej që t’ua kthejë mendjen melekëve dhe të mos e dënojnë popullin e Nuhut a.s. Po Zoti ndërhyri dhe i tha:”O Ibrahim, shmangu prej kësaj! Me të vërtetë, erdhi urdhri nga Zoti yt dhe ata do t’i gjejë dënimi i pashmangshëm.” (Hud, 76)
Tre melekët, në Sedom
Pas takimit me Ibrahimin a.s, tre melekët u drejtuan për në Sedom. Atje, ata u shfaqën si tre të rinj shumë të hijshëm. Kjo bëhej për t’i sprovuar këta njerëz dhe për t’ua faktuar pa ligësitë dhe paudhësitë e tyre. Zoti i kishte urdhëruar të mos e shkatërronin, derisa të dëgjonin dhe dëshminë e profetit të këtij populli. Kur tre melekët në formë të rinjsh, arritën pranë qytetit, i pa një nga  vajzat e Lutit a.s, e cila kishte dalë për të mbushur ujë. Ajo u kërkoi të prisnin aty ku ishin dhe me vrap u nis për tek i ati, të cilit i tregoi se kishte pikasur tre djelmosha të rinj dhe të hijshëm që nuk ishin nga Sedomi. Luti a.s doli nga shtëpia dhe shkoi i takoi tre të rinjtë. Ai i pyeti se përse kishin ardhur në atë qytet dhe të rinjtë i thanë se kishin ardhur si miq. Luti a.s donte t’u kërkojë të mos hyjnë në atë qytet për shkak të perversitetit të banorëve të tij, por kur i thanë se ishin miq, i erdhi zor t’i dëbojë. Ai i mori me vete për në shtëpinë e tij dhe gjatë rrugës, filloi t’u tregojë mbi perversitetin dhe paudhësitë e banorëve të Sedomit, por këtë në mënyrë indirekte. Për Zotin – u tha – nuk njoh njerëz mbi faqen e tokës, me të ligë se këta. Melekët nuk folën por vazhduan rrugën. Luti a.s ua përsëriti sërish këtë, duke dashur t’u thotë që të kthehen pasi pasojat mund të ishin fatale. Këtë ai ua përsëriti katër herë, ndërkohë që melekët e regjistronin këtë dëshmi të profetit Lut a.s. Me të arritur në shtëpi, Luti a.s i futi brenda. Gruaja e Lutit a.s ishte jobesimtare, madje merrte pjesë në paudhësitë e Sedomit. Me t’i parë këta tre djelmosha të rinj, ajo vajti tek vendi ku tuboheshin njerëzit dhe u tha:”Në shtëpinë tonë gjenden tre djelmosha, më të hijshëm se ata nuk më kanë zënë sytë ndonjëherë.”
Me ta marrë vesh këtë njerëzit, u drejtuan me vrap drejt shtëpisë së Lutit a.s.
Këtë moment e përshkruan Zoti i lartësuar në Kuran ku thotë:“Populli i tij, që më parë pat punuar vepra të këqija, u vërsul drejt atij.” (Hud, 78)
“Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim.” (Hixhr, 67)
Luti a.s doli nga shtëpia, duke dashur t’i mbrojë dhe u drejtua njerëzve:”(Luti) tha: “O populli im, këto janë bijat e mia. – çdo profet i konsideron gratë e vendit ku jeton, si vajzat e veta. Ky është mendimi i drejtë dhe i shumicës së dijetarëve. Ata që mendojnë se Luti a.s u ofroi të kryejnë marrëdhënie jashtëmartesore me vajzat e tij, ka gabuar rëndë. Si mund ta bëjë këtë Luti a.s, që ishte profet i Zotit?! – Ato për ju janë më të pastra, e frikësojuni Allahut dhe mos më turpëroni para mysafirëve të mi. A nuk ka midis jush një njeri me mend?” Ata thanë: “Ti e di se ne nuk kemi të drejtë për bijat e tua. Në të vërtetë, ti e di se ç’duam ne”. Ai tha: “Sikur unë të kisha fuqi (që t’ju dëboj) ose të mbështetesha në ndonjë krah të fuqishëm!” (Hud, 78-79)
Luti a.s nuk kishte njerëz dhe farefis në atë vend. Njerëzit e vetëm që i bindeshin ishin dy vajzat e tij. Edhe gruaja e tij ishte jobesimtare.
Në një hadith, profeti Muhamed a.s thotë:”Zoti e mëshiroftë vëllain tim Lutin. Ai ishte nevojë për mbështetje dhe krah të fuqishëm.” (Buhari dhe Muslim)
Thonë dijetarët myslimanë:”çdo profet tjetër, Zoti e dërgoi me mbështetje dhe farefis.”
“Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim. Luti u tha: “Këta janë mysafirët e mi, andaj mos më turpëroni! Kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!” Ata thanë: “A nuk ta kemi ndaluar ne që të presësh mysafirë?” (Hixhr, 67-70)
Njerëzit e Sedomit ia kishin ndaluar t’i këshillonte dhe e kishin ndaluar të presë mysafirë e miq.
“Ai tha: “Ja vajzat e mia! Nëse doni të bëni çka synoni (martohuni me to)”. (Hixhr, 71)
“Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!”(Hixhr, 72)
Thonë komentuesit e Kuranit:”Kurrë Zoti nuk është betuar në jetën e dikujt tjetër, përveç jetës së profetit Muhamed a.s.”
Epshi ua kishte mbuluar arsyen banorëve të Sedomit dhe dukeshin si të dehur. Në një moment, njerëzit tentuan të hyjnë në shtëpinë e Lutit a.s me forcë, por ai u kërkoi një shans të fundit, që të prisnin pak. Luti a.s hyri brenda në shtëpi, t’ua qajë hallin këtyre tre të rinjve. Kur hyri brenda, ai i gjeti të qetë sikur të mos kishin dinin asgjë. I habitur nga kjo sjellje, Luti a.s u tha:
“ai tha: “Unë nuk ju njoh ju!” Ata thanë: “Jo, ne të kemi sjellë atë, në të cilën ata dyshojnë, të kemi sjellë të vërtetën, prandaj të jesh i sigurt se ajo që të themi, do të bëhet.” (Hixhr, 62-64)
“Kur të dërguarit Tanë (engjëj) shkuan tek Luti, ai u shqetësua dhe u ngushtua (për ata, sepse nuk i mbronte dot). Ata i thanë:“Mos u frikëso dhe mos u brengos! Ne do të të shpëtojmë ty dhe familjen tënde, përveç gruas tënde. Ajo do të mbesë me ata që janë për dënim. Në të vërtetë, Ne do të lëshojmë dënim nga qielli, mbi banorët e këtij vendbanimi ngase ata janë të prishur”. (Ankebut, 33-34)
“Thanë (mysafirët): “O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd. Ata nuk mund të të bëjnë ty asgjë e pra, nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos këqyrë prapa, përveç gruas sate. Atë do ta godasë ajo që do t’i gjejë edhe ata.” (Hud, 81)
Gruaja e Lutit a.s do të ndëshkohej bashkë me njerëzit e tjerë, ashtu siç ndodhi me gruan e Nuhut a.s më parë. “Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata.” (Tahrim, 10)
Të gjithë interpretuesit e Kuranit kanë mendim unanim, që tradhtia e dy grave të profetëve është tradhëti besimi dhe jo nderi. Është e papranueshme për familjet e profetëve të Zotit të ndodhin gjëra të tilla. Gratë e profetëve, edhe pse mund të mos jenë besimtare, nuk i cenojnë burrat e tyre tek nderi. Edhe pse gruaja e Lutit a.s i mbështeste njerëzit në vepra të liga, ajo vetë nuk e ushtronte ligësinë.
Njerëzit që prisnin jashtë, nga padurimi vendosën ta shkallmojnë derës, por në çast del Xhibrili a.s dhe me një të goditur ua verbon sytë. Thotë Zoti në Kuran:“Ata i kërkuan t’ua dorëzonte mysafirët e tij. Por Ne ua verbuam sytë (e u thamë): “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!” (Kamer, 37)
Megjithatë, njerëzit nuk zunë mend dhe kujtuan se Luti a.s i ka bërë ndonjë magji. Prandaj filluan me kërcënime dhe shantazhe, duke i thënë:”Do e shohim nesër këtë punë!” Ata morën rrugën e kthimit në shtëpi, duke u mbështetur pas mureve.
Melekët i thanë Lutit a.s:”Afati i tyre është agimi i ditës. Vallë, a nuk është afër agimi i ditës?!” (Hud, 81)
Melekët lanë agimin e ditës së nesërme si çastin përfundimtar të ndëshkimit, me qëllim që Luti a.s dhe vajzat e tij të kenë kohë të largohen.
“nisu ti me familjen tënde në orët e vona të natës dhe askush prej jush të mos këqyrë prapa,
“Nisu me familjen tënde në një kohë të natës, shko pas tyre e askush prej jush të mos shikojë prapa, por vazhdoni në drejtimin e urdhëruar! Dhe Ne ia shpallëm atij atë që do të ngjajë: që i gjithë populli i tij, deri në të mbramin, do të zhdukej në agim.” (Hixhr, 65-66)
“Dhe Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij – të gjithë, përveç një plake (gruas së Lutit), e cila mbeti me të tjerët. Pastaj, të tjerët i shkatërruam.” (Shuara, 170-172)
“Ne dërguam një stuhi gurësh mbi ta, duke hequr familjen e Lutit, që e shpëtuam në agim. falë mëshirës Sonë. Ja, kështu Ne i shpërblejmë ata që falënderojnë.” (Kamer, 34-35)
Luti a.s u largua nga qyteti Sedom, i shoqëruar vetëm nga dy vajzat e tij. Të nesërmen, me ardhjen e agimit, zë fill dhe ndëshkimi i këtij populli të lig dhe të shthurur. Thotë Zoti në Kuran:”të nesërmen në mëngjes, ata i goditi dënimi i përhershëm. “Shijoni dënimin Tim, tani që e dëgjuat paralajmërimin Tim!” (Kamer, 38-39)
Xhibrili a.s e fut krahun e tij poshtë qytetit, e ngre atë lart në qiell, saqë melekët dëgjonin këngën e gjelave dhe lehjen e qenve. Vetë njerëzit dëgjonin lartësimin dhe madhështimin që melekët i bënin Zotit. Gjatë kohës që i gjithë qyteti ishte lart në qiell, filluan t’u bien shkëmbinj nga qielli. Secili nga banorët goditej nga një shkëmb i piketuar enkas për të. Mandej Xhibrili a.s lëshon një ulërimë të frikshme, nga e cila të gjithë banorët humbasin vetëdijen. Kjo u pasua nga përmbysja e qytetit dhe përplasja përtokë. Kjo përmendet dhe në Kuran, ku Zoti thotë:
“Kur erdhi urdhri Ynë, Ne e përmbysëm çdo gjë, – ato që ishin lart, i kthyem poshtë dhe mbi ata lëshuam gurë nga balta e pjekur, duke rënë vazhdimisht, si shiu. (Ato ishin gurë) të shënuar (për dënim) te Zoti yt. Dënimi nuk është larg nga keqbërësit.” (Hud, 82-83)
“Ata i kaploi zëri i tmerrshëm (i Xhebrailit) kur lindi Dielli, dhe Ne e kthyem qytetin përmbys, duke lëshuar mbi ata shi gurësh prej dheut të pjekur.” (Hixhr, 73-74)
“Mbi ata lëshuam një breshëri gurësh. Eh, sa i keq që ishte ai shi, për ata që janë paralajmëruar! Sigurisht, në këtë ka këshillë, por shumica e tyre nuk janë besimtarë. Në të vërtetë, Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.” (Shuara, 173-175)
“se Ai i asgjësoi edhe qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit), të cilat i mbuloi ajo që i mbuloi?! Atëherë, në çfarë dhuntie të Zotit tënd dyshon ti? Ky (Profet) është paralajmërues si ata të mëparshmit. Ora e Kiametit po afrohet.” (Nexhm, 53-57)
Kështu u ndëshkua dhe u shkatërrua përfundimisht Sedom, që ndodhej pranë detit të vdekur. Ajo ka mbetur shenjë dhe fakt për të gjithë njerëzit që t’i ruhen dënimit të Zotit, t’u shmangen veprave të liga, ku ndër me e rrezikshmja është ajo që vepronin populli i Lutit a.s.

Historia e Profetit Musa a.s

Një ndër historitë më të shquara dhe madhështore që rrëfen Kurani fisnik, është ajo e profetit Musa a.s, një nga pesë të dërguarit e vendosur. Historia e këtij profeti legjendar ceket në shtatëdhjetë e tre vende në Kuran.

Gjatë koleksionimit të ngjarjeve dhe radhitjes së tyre kam ndeshur shumë vështirësi. Kjo, pasi të gjithë ata që kishin shkruar dhe komentuar historinë e Musait a.s, nuk kanë ndjekur një rend kronologjik të saktë të ngjarjeve. Por edhe kur ndjekin një rend kronologjik të saktë, hapërdahen me rrëfenja izraelite, duke u larguar nga thelbi i historisë. Këto rrëfenja është mirë dhe duhet të mbahen larg historive të profetëve të Zotit, me qëllim që ta kuptojmë sa më drejt Kuranin famëlartë.
Gjatë gjithë punës time për këtë histori dhe të tjera, jam rrekur që ngjarjet t’i lidh me Kuranin fisnik, pasi ai përbën referencën origjinale për histori të tilla. Ai është e vërteta që nuk cenohet aspak nga e padrejta dhe kota.
Prej nesh kërkohet që ta lexojmë dhe ta përjetojmë Kuranin fisnik. Përjetimi i Kuranit ndodh kur ne e lexojmë me përkushtim dhe meditojmë rreth asaj që lexojmë. Nëse lexon por nuk e kupton atë që lexon, e ke të pamundur edhe përkushtimin dhe meditimin mbi konceptet që ceken në Kuran. Për këtë, në historinë e Musait a.s unë i jam referuar kryesisht Kuranit, me qëllim që të na lehtësohet të kuptuarit e tij.
“Ta Sin Mim. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.” (Kasas, 1-3)
Ajetet e Kuranit përmbajnë kujtesa dhe këshilla për besimtarët, kurse për jobesimtarët e devijuar nga udha e Zotit, përmbajnë paralajmërime.
Profeti Musa a.s është nderuar nga Zoti, pasi i ka folur direkt dhe pa ndërmjetës. Thotë Zoti i lartësuar:“Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur ishte i dërguar dhe profet. (Merjem, 51)
Musai a.s ishte i përzgjedhur prej Zotit dhe në shërbim të Tij, larg cytjeve dhe tundimeve të shejtanit.
Musai a.s ishte biri i Imranit, biri i Kahit, biri i Lavit, biri i Jakubit, biri i Ibrahimit a.s.
Natën që u ngjit në qiej, profeti Muhamed a.s u takua edhe me Musanë a.s, të cilin e përshkruan:”Musai a.s ishte shumë zeshkan dhe i bëshëm…”
Lidhur me fuqinë dhe forcën e tij fizike, thuhet se ishte ekuivalente me atë të dhjetë burrave. Gjithashtu, thuhet se Musai a.s vuante nga belbëzimi.
Këtë fakt e përmend dhe faraoni, i cili u drejtohet këshilltarëve duke stigmatizuar Musanë a.s:”Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi mund të shprehet?” (Zuhruf, 52)
Megjithatë, kjo e metë nuk e pengoi të zgjidhej si i dërguar i Zotit dhe profet, madje të renditet tek pesë të dërguarit e vendosur.
Edhe vetë Musai a.s e pranon këtë të metë në të folur, ku thotë në një ajet:
“Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur.” (Kasas, 34)
Bijtë e Israilit (Jakubit a.s) u shpërngulën nga Palestina dhe u vendosën në Egjipt, në kohën e Jusufit a.s. Historianët thonë se kur hynë në Egjipt ishin vetëm tridhjetë e gjashtë persona. Gjatë qëndrimit të tyre, ata u shtuan dhe u shumuan, saqë kur e lanë Egjiptin me Musanë a.s, ishin gjashtëqind mijë frymë.
Sunduesi i Egjiptit asokohe quhej faraon, siç quhej Nexhashij sunduesi i Abisinisë, çezar sunduesi dhe sovrani i Romës dhe kisra sunduesi i Persisë. Faraoni që sundonte Egjiptin në kohën e Jusufit a.s quhej Rejjan ibn Velid. Edhe pse e dinte se Jusufi a.s nuk kishte të njëjtën fe, madje ishte i huaj, ai i kishte lënë dorë të lirë të administrojë mbretërinë e tij, pasi kishte besim në aftësitë e Jusufit a.s. Gjatë jetës së Jusufit a.s, bijtë e Israilit jetuan si mbretër në Egjipt.
Pas vdekjes së faraonit Rejjan, në fron erdhi Kabus ibn Musab, i cili njihet si zullumqar dhe qafir. Ai u soll shumë keq me bijtë e Israilit, të cilët i keqtrajtoi dhe i shtypi. Pas faraonit Kabus, në fron erdhi Velid ibnu Musab, vëllai i tij, gruaja e të cilit ishte Asija bintu Muzahim. Thotë profeti Muhamed a.s lidhur me Asijen:”Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse katër:”Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bintu Imran, Hadixhe bintu Huvejlid dhe Fatime bintu Muhamed.”
Fillimisht, faraoni deshi ta marrë me forcë si skllave, por babai i saj e kundërshtoi me pretekstin se ishte e vogël. Faraoni i tha:”Jo, nuk është e vogël.” Babai i Asijes i tha:”Atëherë jepi dhuratën martesore!” dhe faraoni pranoi. Babai vajti tek Asija dhe i tha:”Faraoni dëshiron të martohet me ty.” Asija e pyeti:”E si të martohem me një qafir?!” Babai iu përgjigj:”Atëherë do të marrësh më qafë veten dhe familjen tënde.”
Kjo e bëri Asijen të pranojë të martohet me faraonin, pasi kishte refuzuar të shkojë tek ai si skllave. Edhe pse jetonte me faraonin qafir, ajo ishte besimtare.
Faraoni Velid ibn Musab ishte tiran me gjithë kuptimin e kësaj fjale. Zullumet e tij ishin të panumërta, saqë filloi të pretendojë se ishte zot.
“O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” (Kasas, 38)
“Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Naziat, 24)
Kështu, ai pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore, si ato të Zotit të lartësuar dhe të Gjithëpushtetshëm.
“Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë. Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” (Kasas, 3-4)
Ai i kishte ndarë egjiptianët në shtresa, ku shtresa më e ulët ishin pikërisht bijtë e Israilit, të cilët i kishte shndërruar në skllevër të tij. Ata i përdorte në punët më të rënda, kurse gratë i përdorte si skllavet e tij.
Bijtë e Israilit ishin në pritje të realizimit të profecisë sipas së cilës do të shfaqej dikush nga familja e faraonit që do i shpëtonte. Disa mendojnë se këtë profeci e kishte parë vetë faraoni në ëndërr. Ai kishte parë një zjarr të madh që dilte nga Jerusalemi dhe mbërrinte në Egjipt, ku digjte gjithçka përveç zonës ku banonin bijtë e Israilit. Menjëherë ai kishte mbledhur fallxhorët dhe magjistarët për ta pleqëruar këtë ëndërr. Ata i thanë se sipas ëndrrës, tek Bijtë e Israilit do lindë një foshnje, i cili do të rrënojë pushtetin e faraonit.
Menjëherë, ai nxjerr një dekret sipas të cilit duhej të vritej çdo foshnje mashkull që lind tek Bijtë e Israilit. Asokohe, Haruni kishte lindur dhe i shpëtoi këtij vendimi. Kurse nëna e tij, ishte shtatzënë me Musanë a.s.
Sipas urdhrit të faraonit, gratë shtatzëna duheshin lënë të qeta derisa të lindnin. Nëse lindnin meshkuj, të porsalindurit ekzekutoheshin në çast, në të kundërt jo.
“ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë.”(Kasas, 3-4)
Faraoni dërgonte mami në lagjet e Bijve të Israilit, për të kontrolluar gratë shtatzëna dhe ato që kanë lindur. Nëse ndonjëra prej tyre nuk tregonte se kishte lindur ndonjë foshnje dhe zbulohej, vritej mamia.
Gjatë kësaj kohe, nëna e Musait a.s e kishte mbajtur të fshehtë shtatzëninë e saj. Ajo nuk shfaqej para njerëzve, por edhe kur shfaqej, bënte gjithçka që mos i dukej barra. Ajo arriti të mos bie në sy derisa lindi. Kur pa se i porsalinduri ishte djalë, ajo e pati të vështirë ta mbajë të fshehtë. Gjatë tentativave për ta mbajtur të fshehtë, Zoti e frymëzoi që ta hedhë në lumin Nil.
“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)
Një i ditur, El-asmeij, dëgjoi një ditë një skllave duke recituar vargje poezie plot elokuencë. Ai i tha:”Sa fjalë madhështore!” Skllavja iu përgjigj:”Jo. Nuk ka fjalë më madhështore se ajeti:“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”
Aty përmenden dy lajme të reja, dy urdhëresa dhe dy sihariqe.
Kontrollet e ushtarëve të faraonit u shtuan në shtëpitë e Benu israilëve, gjë e cila e detyroi nënën e Musait a.s të veproi sipas frymëzimit. Ajo e mori, e vendosi në një sënduk dhe e hodhi në lumin Nil. Vajzës i kërkoi ta ndjekë përgjatë bregut derisa të qëndrojë në ndonjë vend.
“Ajo i tha motrës së Musait: “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët.” (Kasas, 11)
Sënduku ku qëndronte Musai a.s qëndroi në bregun ku ndodhej pallati madhështor i faraonit. Patjetër që diçka ndodhte me vullnetin dhe dëshirën e Zotit të lartësuar.
“Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë.” (Kasas, 
Në rrëfenjat izraelite thuhet se Asija e dalloi se foshnja rrjedh nga Benu Israilët, por këtë e mbajti të fshehtë ndaj faraonit dhe të tjerëve. Ndërkohë që në fakt, të gjithë e kuptuan se ai ishte prej Benu Israilëve. Vetë Asija ishte sterile, e paaftë për të lindur dhe kur e pa foshnjën e porsalindur u gëzua dhe u lidh pas tij.
“Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin.” (Kasas, 9)
Faraoni iu përgjigj të shoqes:”Ky është gëzim për ty dhe jo për mua.” Thotë profeti Muhamed a.s:”Sikur të kishte thënë është gëzim edhe për mua, nuk do ishte ndëshkuar.” Dhe në fakt, Musai a.s ishte gëzimi më i madh për Asijen.
Ndërkohë, nëna e Musait a.s ishte shumë e shqetësuar në lidhje me atë që e priste foshnjën e saj të dashur.
“Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët. Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë.” (Kasas, 10)
Ajo ishte indiferente ndaj gjithçka tjetër, sikur asgjë nuk ekzistonte. Nga meraku dhe shqetësimi ishte gati të dalë rrugëve të vajtojë dhe ta publikojë se e hodhi djalin e saj. Por Zoti i kishte premtuar se do ia kthejë të porsalindurin që të qetësohet. Ky ishte sihariqi i parë.
Në pallatin e faraonit, Musai i porsalindur refuzonte të pijë qumësht nga të gjithë mëndeshat që i ofruan. Shërbëtorët dolën me të porsalindurin në treg, me shpresë se mos gjejnë ndonjë mëndeshë të re të cilën do e pranojë. Por i porsalinduri vepronte në atë mënyrën sipas urdhrit dhe vullnetit të Zotit.
“Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshëKështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?” (Kasas, 12)
Shërbëtorët e pyetën motrën e Musait a.s:”Po ti ku e di se do të kujdesen dhe do e edukojnë siç duhet?!” Ajo u përgjigj:”Ata janë një familje e varfër dhe nevojtare, nëse e dinë se ky i porsalindur vjen nga pallati i faraonit dhe për këtë do të shpërblehen, do të bëjnë gjithçka për t’u përkujdesur për të. Në këtë shtëpi, ndodhet një grua e mirë, gjirin e të cilës nuk e ka refuzuar asnjë i porsalindur.”
Shërbëtorët pranuan të shkojnë në shtëpinë e kësaj gruaje dhe me t’ia afruar Musain, filloi të pijë nga gjiri i nënës së tij. Kur dëgjoi mbi këtë Asija, kërkoi të takohet me të dhe i kërkoi të qëndrojë në pallatin e faraonit që të mëkojë Musain. Por e ëma refuzoi me pretekstin se kishte fëmijë të tjerë në shtëpi për të cilët i duhej të kujdesej. Atëherë Asija pranoi që ta marrë Musain në shtëpinë e saj të thjeshtë, bashkë me shumë dhurata. Vetë nëna e Musait a.s u nderua si askush tjetër, saqë edhe komandantët e faraonit i bënin dhurata të shumta, pasi ajo shihej si kujdestarja dhe dadoja e djalit të faraonit.
“Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Kasas, 13)
Musai a.s u rrit mes shtëpisë së prindërve të tij dhe pallatit të faraonit. Kur mbushi moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, ai dallohej për urtësi dhe mençuri.
“Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira.” (Kasas, 14)
Disa interpretues të Kuranit mendojnë se Musait a.s iu dha profecia në këtë moshë, por ky mendim nuk është i drejtë. Në këtë moshë, Musai a.s ishte në fenë e Benu Israilëve, fenë e gjyshërve të tij Jusufit a.s, Jakubit a.s dhe Ibrahimit a.s.
Një ditë, Musai a.s lëvizte rrugëve të qytetit, në një kohë kur njerëzit e tjerë ishin mbyllur në shtëpi. Disa mendojnë se ishte koha e pushimit të drekës dhe disa të tjerë thonë se ishte në mbrëmje. Thotë Zoti lidhur me këtë ngjarje:
“Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë.” (Kasas, 15)
Një egjiptian dhe një izraelit po ziheshin dhe superioriteti i egjiptianit dukej qarë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe e goditi me grusht egjiptianin, gjë e cila i shkaktoi atij vdekjen e menjëhershme. Musai a.s asokohe gëzonte shëndet dhe fuqi të pakrahasueshme me bashkëmoshatarët e tjerë. Me një grusht të vetëm, ai e çoi në botën tjetër egjiptianin. Musai a.s nuk synoi ta vrasë, por thjesht ta largojë nga izraeliti të cilin po e dhunonte. Kur pa çfarë ndodhi, Musai a.s mbeti gojëhapur dhe tha:“Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!” (Kasas, 15)
Ai ia atribuoi shejtanit faktin që nuk e kishte marrë në konsideratë fuqinë e tij. Nga vetë fjalët, kuptohet që Musai a.s e njihte shejtanin, ngatërresat dhe armiqësinë që i kishte shpallur racës njerëzore.
Musai a.s u pendua dhe u bë pishman për atë që sapo kishte ndodhur.
“O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti.” (Kasas, 16)
Meqë ishte një gjynah që ndodhi pa dashje dhe në gjaknxehtësi e sipër, Zoti ia fali.
“Musai tha: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!” (Kasas, 17)
Meqënëse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u betua se kurrë nuk do të bëhet dorë e kriminelëve dhe njerëzve të ligë.
Edhe pse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u frikësua nga ndonjë hakmarrje, pasi sapo kishte vrarë një egjiptian. çfarë duhej të bënte?
Të nesërmen në mëngjes, teksa ecte plot kujdes Musai a.s përballet me të njëjtën skenë dhe me të njëjtin izraelit që kishte ndihmuar një ditë më parë duke u ngatërruar me një egjiptian tjetër. Thotë Zoti në Kuran:
“Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në  ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!” (Kasas, 18)
Megjithatë i erdhi keq për izraelitin dhe u turr t’i vijë në ndihmë. Në atë çast, egjiptiani i frikësuar i tha:
“Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: “O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi”. (Kasas, 19)
Pra, duket që lajmi se Musai a.s kishte vrarë një egjiptian ishte përhapur tashmë në qytet dhe të gjithë e dinin.
Disa interpretues të Kuranit, mendojnë se ai që i tha fjalët e mësipërme ishte izraeliti, i cili mendoi se Musai do qëllojë atë sot, pasi e akuzoi si ngatërrestar.
Musai a.s, duke ndjerë rrezikun që i kanosej, u fsheh. Një mik dhe shok i tij në pallatin e faraonit, e gjeti dhe i kërkoi të largohej menjëherë nga Egjipti pasi faraoni kishte vendosur ta ekzekutojë.
“Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha:“O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”. (Kasas, 20)
Vetë faraoni nuk e donte Musain a.s dhe kjo u pa që ditën e parë që e gjeti e shoqja. Po kështu, edhe paria e Egjiptit e urrenin, pasi e dinin se i përkiste Benu Israilëve. Tashmë ishin krijuar kushtet e duhura për ta hequr qafe Musain.
“Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës!” (Kasas, 21)
E ku të shkonte Musai a.s, ndërkohë që të gjithë ishin vënë në kërkim të tij për ta hequr qafe? Ai nuk kishte me vete as ushqim për udhëtim, as ujë, as kafshë dhe as nuk e njihte rajonin. Pa e ditur se ku po shkon, ai udhëtoi në shkretëtirë derisa arriti në Palestinë. Të gjithë këtë distancë ai e përshkoi në këmbë, ku iu grisën këpucët që kishte veshur dhe e plotësoi rrugën këmbëzbathur. Duke qenë se nuk kishte as ushqim, ai ushqehej me gjethe pemësh.
Musai a.s vazhdoi udhëtimin gjersa arriti në Medjen, fshatin ku banonte dhe jetonte profeti i Zotit, Shuajbi a.s. Kjo ishte pasi Zoti e kishte shkatërruar dhe ndëshkuar popullin e Shuajbit, të cilët adhuronin një pemë.
“Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”. (Kasas, 23)
Në Medjen, ndodhej një pus uji, ku njerëzit mbushnin ujë për vete dhe për kafshët. Ujin që mbushnin nga pusi, ata e derdhnin nga lugje, ku pinin më pas kafshët e secilit. Ndërkohë që të gjithë njerëzit mbushnin ujë dhe u jepnin të pinë bagëtive, dy vajza të reja qëndronin mënjanë me bagëtinë e tyre. Musai a.s u afrua dhe i pyeti përse qëndronin mënjanë dhe nuk u jepnin ujë bagëtisë. Vajzat u justifikuan se nuk donin të përziheshin me burrat e tjerë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe mbushi ujë për bagëtinë e dy vajzave dhe pasi u larguan, Musai a.s u ul nën hijen e një peme.
“Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!” (Kasas, 24)
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Kur Musai a.s mbërriti në Medjen, i ishte rrjepur lëkura e këmbëve nga udhëtimi këmbëzbathur, kurse barku i ishte ngjitur me shpinën nga uria.”
Njëra nga dy vajzat, e dëgjuan lutjen e mësipërme të Musait a.s dhe me të mbërritur në shtëpi, i rrëfyen babait të tyre gjithçka që kishte ndodhur. Ato e panë që ai ishte njeri i fisëm dhe shpirtmadh dhe vendosën që ta ftojnë në shtëpi që ta shpërblejnë.
“Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha:“Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. (Kasas, 25)
Siç e cekën dhe ajeti, vajza erdhi me ndrojtje tek Musai a.s dhe e ftoi në shtëpi. Gjatë rrugës, Musai a.s ecte para kurse vajza pas dhe sa herë që i duhej t’i tregojë drejtimin që duhej të ndiqte, vajza i hidhte një guralec në drejtimin e duhur. Një nga tiparet dalluese të një vajze myslimane është edukata dhe morali i turpit. Këtë e shohim të pasqyruar tek vajza e një profeti dhe bashkëshortja e një profeti. Kjo vajzë, ishte vajza e profetit Shuajb a.s dhe më pas do të martohet me vetë Musain a.s.
“Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha:“Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!” “O babai im, – tha njëra nga ato të dyja – merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. (Kasas, 25-26)
Cilësitë më kryesore që duhet të përmbushë një punonjës janë aftësia dhe besueshmëria. Përveç aftësive të tij, ai duhet të përmbushë dhe kriterin e besueshmërisë, të jetë njeri i besueshëm dhe që e njeh Zotin. Përkundrazi, do e shpërdorojë pasurinë tënde.
Duke shquar cilësi dhe tipare të rralla tek Musai a.s, Shuajbi vendosi ta martojë me njërën nga dy vajzat e tij. Meqë Musai a.s nuk kishte pasuri, pasi ishte i arratisur, Shuajbi i kërkoi që si dhuratë martesore, të punonte tetë vite tek ai. Pas kësaj, do të ishte i lirë të shkonte ku të dëshirojë.
“Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë. Musai tha: “Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.” (Kasas, 27-28)
Profeti Muhamed a.s u pyet një ditë se sa vite qëndroi Musai a.s në shtëpinë e Shuajbit, duke i shërbyer. Profeti a.s u përgjigj:”I plotësoi dhjetë vite.”
Pas dhjetë vitesh, Musai a.s kishte ndryshuar shumë dhe ndjente mall për vendlindjen e tij, për nënën, motrën dhe vëllain. Kështu, bashkë me gruan ai u nis për në Egjipt. Gjatë rrugës, ai humbet në shkretëtirë. U rrek të ndezë një zjarr, pasi ishte natë e ftohte, por nuk mundi dot. Nga larg, ai dalloi një dritë zjarri dhe i kërkoi gruas të presë aty ku ishte dhe u nis menjëherë drejt zjarrit.
“Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur”. (Kasas, 29)
Padyshim që kjo i ndodhte sipas një plani dhe projekti nga vetë Zoti i madhëruar. Ai duhej të humbiste rrugën atë natë, të mërdhinte bashkë me të shoqen dhe të kërkonte të ndezë një zjarr.
“A e ke dëgjuar historinë e Musait? Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: “Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”. (Taha, 9-10)
Kur arriti pranë zjarrit, Musai a.s dalloi diçka të çuditshme. Ajo që Musai a.s e kishte marrë për zjarr, ishte dritë, nur. Kjo dritë dhe nur buronte nga një pemë e madhe. I habitur u afrua tek kjo pemë e cila ndriçonte nga brenda. Kur u afrua, dëgjoi për herë të parë thirrjen hyjnore që i drejtohej pikërisht atij. Zoti i lartësuar po i fliste një krijese të Tij në mënyrë direkt dhe pa ndërmjetës, gjë e cila nuk i ka ndodhur tjetër kujt, përveç profetit Muhamed a.s natën e Miraxhit.
“Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!”
“Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë. Prandaj, mos e lër atë që nuk beson në të (Ditën e Kiametit) dhe që jepet pas epsheve të veta, të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje.” (Taha, 11-16)
Në një ajet tjetër të sures Kasas, Zoti i lartësuar e përshkruan këtë çast me fjalët:
“Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!” (Kasas, 30)
Pasi Musait a.s iu bë gjithçka e qartë, Zoti e pyet në një moment:“Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë të tjera. (Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!” Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej.” (Taha, 17)
Në një ajet tjetër, Zoti thotë:
“Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa shkopin që po lëvizte si gjarpër, ai iku me vrap e nuk u kthye prapa. (Zoti i thirri) “O Musa, mos u frikëso! Në të vërtetë, të dërguarit e Mi nuk frikësohen në praninë Time.” (Neml, 10)
“Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejtë, pa shikuar pas, ndërsa zëri i tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur.” (Kasas, 31)
Në çastin që shkopi i tij u shndërrua në gjarpër, Musain a.s e kaploi frika dhe paniku. Pasi Zoti e urdhëroi ta marrë në dorë, Musai a.s e kapi për bishti dhe u shndërrua sërish në shkop.
“(Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme.“(Taha, 21)
Veç mrekullisë së shkopit që shndërrohej në gjarpër, Zoti i dha Musait a.s edhe një mrekulli të dytë, të cilën e gjejmë në ajetet:
“Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë tjetër.” (Taha, 22)
“Fute dorën tënde brenda në gji dhe do të dalë e bardhë pa kurrfarë sëmundje.” (Neml, 12)
Musai a.s u urdhërua ta fusë dorën nën sqetull dhe kur e nxorri që andej, ajo i shkëlqente si dielli. Nëse e fuste dorën sërish nën sqetull, drita largohej. Nëse do e kaplonte frika për një arsye apo për një tjetër, Musai a.s mblidhte krahun pas vetes dhe ajo i largohej. Thotë Zoti në Kuran:“Shtrëngoje krahun pas vetes që të çlirohesh prej frikës! Këto janë dy mrekulli prej Zotit tënd për Faraonin dhe parinë e tij; ata janë njëmend popull i mbrapshtë!” (Kasas, 32)
Pasi e kuptoi mesazhin me të cilin e ngarkoi Zoti, Musai a.s i tha:
” (Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime,  që ata të kuptojnë fjalën time!” (Taha, 24-28)
Siç dihet, Musai a.s vuante nga belbëzimi, për këtë iu lut Zotit që t’ia largojë këtë të metë. Sa herë që fliste gjëra të zakonshme, Musai a.s belbëzonte, ndërkohë që kur i fliste faraonit mbi Zotin dhe e ftonte në fenë e Tij, fliste lirshëm dhe pa probleme.
Kur nëna e besimtarëve, Aisheja, u pyet se kush ishte ndërmjetësuesi më i madh në histori, u përgjigj:”Ai është Musai a.s, i cili ndërmjetësoi tek Zoti që edhe vëllai i tij të bëhej profet.”
“Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij dhe bëma ortak në punën time, që të thurim shumë lavde për Ty e të të përmendim Ty vazhdimisht! Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë”. (Allahu) tha: “Kërkesa jote u plotësua, o Musa.” (Taha, 29-36)
Pas kësaj, Musai a.s u kujtua se kishte vrarë një egjiptian dhe se kjo mund të përbënte rrezik për jetën e tij.
“Musai tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin. Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar”. Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do
të jeni ngadhënjimtarë.” (Kasas, 33)
Musai a.s në Egjipt
Me të mbërritur në Egjipt, Musai a.s u drejtua drejt shtëpisë së nënën së tij. Pasi u takua me të gjithë familjarët, ai bashkë me Harunin u nisën tek faraoni. Kur vajtën tek porta e pallatit, rojet nuk i lejuan të hyjnë brenda. Musai a.s u tha se ishte i dërguar dhe rojet menduan se ishte i dërguari i ndonjë mbreti dhe e lejuan të hyjë tek faraoni.
Misioni i Musait a.s ishte që të nxjerrë Benu Israilët nga Egjipti. Thotë Zoti në Kuran:“Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve, që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” (Shuara, 16)
Me ta parë, faraoni e njohu menjëherë Musain a.s dhe kur dëgjoi kërkesën e tij, i tha:
“Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës sate?! E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës?! Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit.  A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Izraelit (popullin tim) i bëre skllevër? Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?” (Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje”. (Shuara, 18-24)
Këto fjalë, Musai a.s nuk ia adresonte vetëm faraonit, por edhe të pranishmëve të tjerë që ishin të pranishëm.
(Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!” Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.” (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur”.(Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni.” (Shuara, 25-28)
Musai a.s ceku disa cilësi të Zotit, i cili kishte nën sundim Lindjen dhe Perëndimin, cilësi këto që nuk i gëzonte faraoni që pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore. Kur i dëgjoi këto fjalë, faraoni u frikësua se mos të pranishmit ndikohen nga fjalët e Musait a.s, për këtë filloi ta kërcënojë dhe t’i bëjë shantazh Musait a.s.
“(Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!”(Shuara, 29)
Kjo është sjellja tipike e diktatorëve dhe despotëve, të cilët nuk binden me argumente racionale. Zgjidhja e vetme e tyre janë burgjet, torturat, syrgjynosja dhe keqtrajtimi i hoxhallarëve dhe ftuesve myslimanë.
Duke parë kokëfortësinë e faraonit, Musai a.s vendosi të luajë me kartën e mrekullive, me shpresë se do të reflektonte.
“(Musai) u përgjigj: “Vallë, edhe pasi të të kem sjellë mrekulli të qartë? “(Faraoni) tha: “Tregoje pra, nëse thua të vërtetën!” (Shuara, 30-31)
Dialogu mes Musait a.s dhe faraonit ceket dhe në shumë ajete të tjera të Kuranit.
“Shkoni tek ai dhe i thoni: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji të bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo! Ne të kemi sjellë ty një shenjë nga Zoti yt. Paqe mbi atë që ndjek rrugën e drejtë! “Vërtet, neve na është shpallur se dënimi do të godasë këdo, që (i)mohon (shenjat e Allahut) dhe (i) kthen shpinën (të dërguarve të Tij)”. (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”  (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”. (Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të  mëparshëm”? përse ata nuk e kanë adhuruar këtë Zotin që beson ti dhe na kërkon ta besojmë dhe ne? –  (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!” – me këtë, Musai a.s sikur i tërhiqte vëmendjen që të mos e shkëpusnin bisedën tek brezat e parakaluar, por të flisnin mbi atë kohë – Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, me qëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme. Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë.” (Taha, 47-54)
Kur Musai a.s i foli mbi fakte dhe prova konkrete, të cilat dëshmonin vërtetësinë e asaj që kishte thënë gjer atëherë, faraoni pranoi.
“(Musai) lëshoi shkopin e vet e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë! Pastaj nxori dorën e vet dhe ajo, menjëherë u duk e bardhë para shikuesve!” (Shuara, 31-32)
Ishin dy mrekulli të cilat i lanë gojëhapur faraonin dhe të pranishmit. Duke ndjerë rrezikun, faraoni ndërhyri menjëherë dhe tha:“dhe tha: “O Musa, a ke ardhur që të na nxjerrësh nga toka jonë me magjinë tënde?! Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!” (Taha, 58)
Pra, faraoni e akuzoi Musain a.s për magji, madje e sfidoi duke e ftuar të përballej me magjistarët e tij. Kjo ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe Musai a.s.
“(Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtës dhe njerëzia le të tubohen paradite”.(Taha, 59)
Musai a.s para magjistarëve
Me të dalë para magjistarëve, Musai a.s i paralajmëroi mbi pasojat që do të kishin po të vazhdonin duke mashtruar njerëzit.
“Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!” (Taha, 61)
Këta magjistarë, ishin përzgjedhur nga faraoni që në vegjëli dhe i kishte dërguar tek magjistarët më të famshëm të Egjiptit. Pasi ishin rritur, ata kishin marrë nam në të gjithë Egjiptin për magjitë e tyre. Kur i dëgjuan fjalët e mësipërme të Musait a.s, filluan të diskutojnë mes njëri-tjetrit, pasi e kuptuan që nuk ishin fjalë të një magjistari.
“Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi.” (Taha, 62)
Me njëri-tjetrin ata e pleqëruan çështjen e Musait a.s, i cili nuk u dukej një magjistar siç ishin vetë, por seç kishte diçka ndryshe. Në fund, ata u nisën drejt faraonit të cilit i thanë:“Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. (Araf, 113-114)
Jo vetëm që do të shpërbleheni – nëse e thyeni me magjinë tuaj Musain – por edhe do t’u emëroj në postet më të lartë pranë meje. Kjo ua shtoi lakminë më shumë magjistarëve dhe para njerëzve deklaruan:
“Njëri prej tyre tha: “Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirëPrandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!” (Taha, 63-64)
Të gjithë magjistarët u vunë në një rresht, ndërkohë që Musai a.s ndodhej përballë tyre i vetëm dhe pas tij Haruni.
Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”. (Taha, 65)
Zoti e frymëzoi Musain a.s që të presë derisa magjistarët të demonstrojnë magjitë e tyre të parët.
“Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.” (Taha, 66)
Dyzet magjistarët e faraonit hodhën përtokë shkopinjtë dhe litarët e tyre, të cilët menjëherë filluan të lëvizin dhe të përdridhen si të ishin gjarpërinj. Kjo skenë e magjepsi edhe vetë Musain a.s.
“Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre.” (Taha, 66)
“Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe manifestuan një magji të madhe.” (Araf, 116)
Njerëzit që e dëshmuan këtë ngjarje dhe skenë i mbërtheu paniku. Po kështu, edhe vetë Musai a.s u frikësua. “Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete.” (Taha, 67)
Por Zoti e qetësoi Musain a.s me fjalët:”Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet.” (Taha, 68)
Me ta hedhur bastunin e tij Musai a.s, u shndërruan në gjarpër dhe filloi të përpijë të gjithë shkopinjtë dhe litarët e magjistarëve. Kjo skenë i siguroi magjistarët se ajo që sapi kishin parë nuk mund të ishte magji.
Për të treguar se magjistarët e pranuan menjëherë këtë të vërtetë, Kurani thotë:” Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”. (Taha, 70)
Ajo që kishin parë me sytë e tyre nuk ishte magji, por ishte një mrekulli me burim hyjnor. Ky reagim i magjistarëve, e xhindosi faraonin.
Ai u ngrit dhe u drejtua magjistarëve me fjalët:“Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?!” (Taha, 71)
Magjistarët, kur konstatuan se ajo që sapo bëri Musai a.s nuk ishte magji, e harruan faraonin. Në sexhde ata sikur i detyroi dikush të bien. Vetë folja që është përdorur në këtë kontekst (Ulkije) do të thotë “u hodhën”, pra sikur dikush i hodhi në sexhde.
Për të gjetur një justifikim dhe për të mos u demaskuar para gjithë publikut, faraoni u tha magjistarëve duke i akuzuar për komplot:”Në të vërtetë, ai (Musai a.s) është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë.” (Taha, 71)
“Në të vërtetë, ky është një komplot që keni përgatitur, me qëllim që të nxirrni nga qyteti banorët e tij! Keni për ta parë!” (Araf, 123)
Faraoni që kishte vrarë kushedi sa foshnje nga bijtë e Izraelit, i shtypte dhe i keqtrajtonte, akuzonte magjistarët dhe Musain a.s për komplot dhe qëllime të këqija. Është e njëjta propagandë, e cila sot adresohet kundër ftuesve dhe hoxhallarëve, të cilët akuzohen si terroristë dhe ekstremistë. Vetë kriminelët dhe spastruesit etnikë, akuzojnë viktimat. Sa e ngjashme e djeshmja me të sotmen!
Faraoni edhe i kërcënoi me fjalët:“Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e palmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.” (Taha, 71)
Përgjigja e magjistarëve ishte e prerë dhe nuk përmbante nota hezitimi:
(Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!” (Taha, 72)
Faraoni urdhëroi që të vriteshin të gjithë magjistarët që kishin besuar Musain a.s. Magjistarët ishin të parët që besuan në mesazhin e Musait a.s. Përveç magjistarëve, Musain a.s e besuan dhe tre persona të tjerë. Thotë Ibnu Abasi:”Nga egjiptianët e tjerë, nuk besuan veçse tre persona: Asija, burri që i kishte treguar Musait a.s e faraoni kërkon ta ekzekutojë pasi kishte mbytur një egjiptian dhe besoi një i tretë nga këshilltarët e faraonit, por që e mbajti besimin të fshehtë.”
Faraoni u veçua me këshilltarët e tij për ta pleqëruar çështjen e Musait a.s dhe të magjistarëve. Ata e këshilluan që t’i keqtrajtojë më shumë bijtë e Izraelit.
Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë fakt:”Dhe, kur ai u solli atyre të Vërtetën prej Nesh, ata thanë:“Vritini djemtë e atyre që i kanë besuar atij dhe lërini të gjalla vajzat e tyre!” (Gafir, 25)
Ai filloi edhe të tallej dhe ironizojë Musain a.s me fjalët:“Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë”. (Gafir, 26)
Musai a.s nuk kishte ku të mbështetej tjetër përveçse në ndihmën e Zotit të lartësuar. “Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë”! (Gafir, 27)
Besimtari që i përkiste familjes së faraonit, por që e mbante të fshehtë besimin e tij, iu drejtua faraonit dhe të tjerëve me fjalët:
“Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë “Allahu është Zoti im”, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.” (Gafir, 28)
Ishte një qëndrim fisnik i këtij besimtari, i cili i kujtonte faraonit madhështinë e Zotit dhe i kërkonte të mos e kundërshtojë profetin e dërguar prej Tij. Faraoni deshi ta keqtrajtojë dhe të hakmerret për këtë guxim, por Zoti e mbrojti.
“Por Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqtrajtonte Faraoni dhe paria e tij. Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi.” (Junus, 83)
Faraoni filloi të zbatojë planin dhe projektin e tij për t’ua dyfishuar bijve të Israelit dhimbjet dhe vuajtjet.
Benu Israilët vajtën tek Musai a.s dhe iu ankuan për shtypjen dhe vuajtjet. “Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. (Araf, 129) Fëmijët tanë janë therrur para se të vije ti dhe pasi erdhe.
“Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni myslimanë!” Ata thanë: “Ne jemi mbështetur tek Allahu. O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë), dhe shpëtona me mëshirën Tënde, nga populli mohues!” (Junus, 84)
Zoti e frymëzoi Musain a.s dhe të vëllanë e tij që në shtëpitë e bijve të Izraelit të vendosin shenja të caktuara që të njihen.
“Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!” (Junus, 87)
Kjo bëhej me qëllim që kur të urdhërohen për t’u larguar nga Egjipti, ta kenë të lehtë lokalizimin e hebrenjve.
Mandej, Musai a.s e luti Zotin kundër faraonit dhe parisë së egjiptit.
Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!” (Junus, 88)
Tregojnë historianët:”Të gjithë pasuritë e faraonit dhe të elitës së Egjiptit, u shndërruan në gurë.” Jo vetëm pasuritë, por edhe ushqimet me të cilat ushqeheshin çdo ditë.
“(Allahu) tha: “U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni të dy në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!” (Junus, 89)
Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. Musai tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni”. (Araf, 129)
 
Ndëshkimet e Zotit mbi egjiptianët
Kur shtypja, keqtrajtimet dhe torturat u shtuan mbi bijtë e Izraelit, Zoti çon ndëshkimin e tij kundër egjiptianëve.
“Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend.” (Araf, 130)
Ndëshkimi i parë ishte thatësira, shi nuk binte, burimet u shterën dhe niveli i Nilit ra si asnjëherë më parë. Thatësira bëri që Egjipti të kaplohej nga zia e bukës. Faraoni menjëherë e kuptoi se kjo u erdhi prej Musait a.s dhe e thirri menjëherë. Me t’u takuar, faraoni i tha:”Nëse e lut Zotin që të bjerë shi dhe të largohet thatësira, bijtë e Izraelit nuk do të vuajnë më.” Musai a.s e luti Zotin që ta largojë thatësirën dhe menjëherë Nili u mbush me ujë dhe ra shi i bollshëm. Por faraoni nuk e mbajti fjalën dhe vazhdoi me shtypjen e bijve të Izraelit.
Ndëshkimi i dytë: Pakësim i frutave. Të gjithë pemët që më parë prodhonin sasi të konsiderueshme frutash, tani nuk prodhonin veçse një kokër të vetme. Palmat, nuk prodhonin veçse një bistak të vetëm me hurma. Vreshtat e rrushit nuk prodhonin veçse nga një bistak me një kokërr rrushi. Faraoni e thirri sërish Musain a.s dhe i kërkoi ta lusë Zotin që të largohej ai ndëshkim, në këmbim të mos keqtrajtimit të bijve të Izraelit. Musai a.s e luti Zotin dhe pemët u mbushëm me fruta. Megjithatë, faraoni sërish nuk e mbajti fjalën dhe nuk i lejoi bijtë e Izraelit të largohen.
“Por sa herë që u vinte ndonjë e mirë, ata thonin: “Këtë e kemi merituar!” E kur i godiste ndonjë e keqe, atë merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe popullit të tij. Por jo! Allahu ishte Ai që ua ndillte fatin e zi, ndonëse shumica e tyre nuk e dinin!” (Araf, 131)
Ndëshkimet filluan të ndjekin njëri-tjetrin. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me këtë:
“Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës.” (Araf, 133)
Ajeti përmend vetëm pesë argumente dhe ndëshkime për faraonin dhe popullin e tij. Katër të tjerat i kemi cekur më lart dhe ato janë: Shkopi që shndërrohej në gjarpër, dora që shkëlqente si dielli kur futej nën sqetull, thatësira dhe mungesa e frutave.
Ndëshkimi i radhës ishte përmbytja e Egjiptit. E veçantë është se i gjithë Egjipti u përmbyt, kurse lagjet ku banonin bijtë e Izraelit nuk pësuan asgjë. Menjëherë faraoni kërkoi Musain a.s dhe iu lut të largohej ky dënim. Musai a.s e luti Zotin dhe përmbytjet u ndalën. Megjithatë faraoni vazhdoi me keqtrajtimet dhe shtypjen. Ndëshkimi tjetër ishin karkalecat, të cilët u përhapën me shpejtësi dhe shkatërruan të mbjellat e egjiptianëve. Të gjithë plantacionet me të mbjella të egjiptianëve shkatërroheshin nga karkalecat, ndërkohë ato të bijve të Izraelit nuk pësonin asgjë. Meqë faraoni nuk zinte mend, këtë ndëshkim e pasonte tjetri, morrat. Të gjithë egjiptianët u mbushën me morra në kokë dhe në të gjithë trupin. Ndërkohë që bijtë e Izraelit nuk u prekën aspak nga morrat. Sa herë që një egjiptian shtrihej të pushojë, mbulohej nga morrat.
Ndëshkimi i radhës ishin bretkosat që mbushën vendin. Sa herë që një egjiptian hapte enën të pijë ujë, gjente bretkosa brenda. Shtrihej të flejë, nuk e zinte gjumi nga kuakjet e bretkosave. Ulej të hajë vaktin e radhës dhe hapte gojë për të ngrënë, bretkosa i turrej mu në gojë.
Ndëshkimi i fundit, i cili e drobiti dhe e shkrehu fare faraonin ishte gjaku. Sa herë që një egjiptian shkonte të mbushë ujë në Nil, uji shndërrohej në gjak. Kjo nuk ndodhte me bijtë e Izraelit. Egjiptianët kur mbushnin ujë nga puset, në kova dilte vetëm gjak, kurse kovat e bijve të Izraelit mbusheshin me ujë.  Të gjendur në këtë situatë, egjiptianët shkonin tek bijtë e Izraelit të pinë ujë. Por sa e mbushnin gotën për të pirë, shndërrohej në gjak.
“E kur i godiste dënimi, ata thoshin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, meqë ka besëlidhje me ty! Nëse na liron nga kjo vuajtje, patjetër që do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë bijtë e Izraelit të ikin me ty”. Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata e shkelën menjëherë premtimin.” (Araf, 134-135)
Në këtë rast, faraoni dhe egjiptianët u lodhën dhe u drobitën, saqë për herë të parë faraoni pranon që t’i lërë bijtë e Izraelit të largohen nga Egjipti, në këmbim të shmangies së këtij dënimi.
Menjëherë Musai a.s i urdhëroi bijtë e Izraelit që në darkë të përgatiteshin se do të niseshin natën për t’u larguar nga Egjipti. Kjo, nga frika se mos faraoni pendohej sërish dhe nuk i lejonte të largohen.
“(Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata do t’ju ndjekin!” (Duhan, 23)
Meqë të gjithë i n shtëpitë e njëri-tjetrin nga shenjat e vendosura më parë, filluan gjashtëqind mijë banorë, me plaçkat, fëmijët dhe kafshët, të dalin nga shtëpitë dhe të ndërmarrin udhëtimin e shpëtimit drejt Palestinës.
Të nesërmen në mëngjes, faraoni u pendua për lejen që i kishte dhënë Musait a.s për të marrë popullin e tij. Kush do u shërbente atyre tani që po iknin hebrenjtë? Ku do i merrnin skllevërit dhe krahun e punës?
“Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata  shkelën menjëherë premtimin.”(Araf, 135)
Menjëherë ai dhe ushtria u vunë pas hebrenjve dhe Musait a.s. Thotë Zoti në Kuran:“Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre.” (Shuara, 60)
Në këtë kohë, Musai a.s bashkë me popullin e tij kishin mbërritur në brigjet e detit të Kuq. Nga larg, ata dalluan ushtrinë e faraonit që u ishte qepur pas.
“Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën:“Me të vërtetë, na zunë!” Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”. (Shuara, 61-62)
Teksa ushtria e faraonit afrohej, njerëzit e Musait a.s i kaploi tmerri dhe paniku nga ajo që i priste.
“Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.” (Shuara, 63)
Ishte një mrekulli tjetër që Zoti ia dha Musait a.s dhe të cilën e panë me sytë e tyre hebrenjtë dhe ushtria e faraonit. Deti u nda në dy pjesë, ku secila i ngjante një mali të lartë. E veçantë është se edhe rruga ku ishte hapur deti nuk ishte e lagësht, por e thatë, që bijtë e Izraelit të kalojnë pa mundim.
“..hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!” (Taha, 77)
Faraoni bashkë me ushtrinë qëndruan para detit. Ai kishte frikë dhe hezitoi t’i ndjekë nga pas bijtë e Izraelit, por kali i tij u turr me vrap në rrugën që ishte hapur. Pas tij u turr e gjithë ushtria. Me të kaluar izraeliti i fundit nga deti, para se faraoni të dalë, dy pjesët e detit bashkohen sërish
“Faraoni i ndoqi ata (bijtë e Izraelit) me ushtrinë e tij, por deti i mbuloi ata me dallgë të mëdha. Faraoni i solli humbje popullit të vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë.” (Taha, 78-79)
Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.” – Por faraonit nuk iu pranua pendimi, pasi ishte në çastet kur konstatoi vdekjen – Zoti i lartësuar iu përgjigj: “Vallë, tani (po beson),ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?! Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona.” (Junus, 90-92)
Është mrekulli tjetër që Zoti e la trupin e tij si argument për njerëzit. Ai ndodhet sot e kësaj dite si mumje në muzeun e Egjiptit. Është pikërisht mumia e Ramsisit, faraoni i Musait a.s që u mbyt në det.
Në një hadith, Xhibrili a.s i thotë profetit Muhamed a.s:”Nuk kam urryer askënd siç kam urryer faraonin. Veç të më shihje o i dërguar i Allahut, duke marrë ujë dhe duke ia mbushur gojën, me qëllim që të mos dëshmojë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Kisha frikë se mos e mëshironte Zoti.”
Kështu bijtë e Izraelit shpëtuan dhe e kaluan detin.
Edhe ne duam një idhull ta adhurojmë
Sapo kishin kaluar detin, izraelitët shohin një popull që adhuronin idhullin e tyre. Akoma ndodheshin në shkretëtirën e Sinait dhe nuk kishin mbërritur në Palestinë. Megjithatë, kërkonin të kenë një idhull që ta adhuronin.
“Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit, ku ndeshën një popull që adhuronin idhujt e vet. Ata i thanë Musait:“Na bëna edhe neve një zot, ashtu si kanë ata zota”. Musai tha:“Ju qenkeni vërtet një popull i paditur! Fenë që ndjekin këta idhujtarë, e pret shkatërrimi dhe ajo që bëjnë, është krejt pa vlerë. A mos vallë doni të kërkoj për ju zot tjetër përveç Allahut, që ju ka ngritur mbi të tjerët?!” (Araf, 138-140)
Benu Israilët në shkretëtirën e Sinait
Zoti i shpëtoi Benu Israilët nga shtypja dhe shantazhet e faraonit, me një mrekulli që Zoti ia mundësoi Musait a.s. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
“Kujtoni se si ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju shtypte mizorisht: jua therte djemtë e jua linte të gjalla femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju – nga Zoti juaj. Kujtoni se si e çamë detin e ju shpëtuam, ndërsa në praninë tuaj i fundosëm njerëzit e Faraonit.” (Bekare, 49-50)
Të gjithë ngjarjet mes Musait a.s dhe popullit të tij, që nga ky moment do të zhvillohen mes malit Sina dhe Palestinës.
Pasi shpëtuan nga dhuna dhe shtypja e faraonit, Musai a.s bashkë me popullin e tij u nisën drejt malit Tur, ku Zoti i lartësuar do i shpallte Teuratin. Në malin Tur dhe për tridhjetë netë, Musait a.s do i shpallej kushtetuta (Teurati) e cila do të rregullonte marrëdhëniet mes Benu Israilëve. Duke u nisur nga fakti që Benu Israilët ishin gjashtëqind mijë dhe mezi lëviznin, dhe nga fakti që nevoja për një legjislacion ishte shumë e madhe, Musai a.s u nis para tyre për në Tur.
“Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?” (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”. (Taha, 83-84)
Me të mbërritur në malin Tur, për herë të dytë Musai a.s do të komunikojë direkt me Zotin e lartësuar, por pa e parë me sy. Vetë Zoti i lartësuar e ka emërtuar si të shenjtë malin Tur. Thotë Zoti në Kuran:“Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë të Tuvas.” (Naziat, 16)
Para se të niset i vetëm, Musai a.s e vuri popullin e tij në dijeni se do të kthehej pas tridhjetë ditësh. Gjatë tridhjetë ditëve, Musai a.s agjëronte për të kënaqur Zotin e lartësuar. Por vërejti që goja i mbante erë të keqe për shkak të agjërimit, kështu vendosi të hajë për të larguar erën e keqe. Zoti e kritikoi për këtë dhe e pyeti:”Përse e prishe agjërimin?” Musai a.s iu përgjigj:”Sepse goja mbante erë tepër të keqe.” Zoti i tha:”A nuk e dije se era e gojës së agjëruesit, është më e dashur për mua se era e miskut?! Prandaj, agjëro dhe dhjetë ditë të tjera!”
Kështu, Musait a.s iu desh të qëndrojë për dyzet ditë në malin Tur. Thotë Zoti në Kuran:
“Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh. Musai i tha vëllait të vet, Harunit:“Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e ngatërrestarëve!” (Araf, 142)
Gjatë këtyre ditëve, Zoti i lartësuar komunikonte direkt me Musain a.s, pa ndërmjetës. Po kështu komunikonte Musai a.s me Zotin, pa ndërmjetës. Për këtë, Musai a.s njihet si “kelimullah”, bashkëbisedues me Zotin pa ndërmjetës.
“Sa i takon Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt.” (Nisa, 164)
Musai a.s e shijonte në maksimum këtë nder dhe privilegj, saqë një herë ai lakmoi më shumë. Një herë, ai i kërkoi Zotit që t’ia mundësojë edhe ta shohë. Këtë e përmend vetë Zoti i lartësuar në Kuran ku thotë:“Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: “O Zoti im, shfaqu që të të shoh” Zoti tha: “Ti nuk mund të më shohësh! – Është e pamundur që krijesat ta shohin Zotin në këtë botë. Thotë Zoti në një ajet tjetër:” Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve.” (En’am, 103) Pasi profeti Muhamed a.s ishte kthyer nga udhëtimi i Miraxhit, Aisheja e pyet:”Po a tu dha rasti ta shohësh Zotin direkt?!” Profeti a.s i përgjigjet:”Ishte gjithçka nur, e cila nuk ma mundësonte ta shoh.” Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Perdja që na pengon ta shohim është prej nuri dhe në çastin që e zbulon, djeg gjithçka që gjendet para.”
Mandej, Zoti i tha Musait a.s:”Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: “I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem te Ty i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!” (Araf, 143)
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Zoti iu shfaq malit sa mollëza e gishtit të vogël.”
Megjithatë, i gjithë mali u shkri para syve të Musait a.s dhe u zhduk në çast. Një skenë e tillë e bëri Musain a.s të humbasë vetëdijen. Kur erdhi më vete, ai demonstroi pendim dhe përulje para madhështisë së Zotit.
Pas gjithë kësaj, Zoti i tha Musait a.s:”O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët – me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!” (Araf, 144)
Kështu, Zoti i shpalli Musait a.s Teuratin, i cili ishte i shkruar në pllaka guri.
“Ne i shkruam në Pllaka udhëzime dhe shpjegime për gjithçka: “Merri këto me bindje dhe urdhëroje popullin tënd që t’i përvetësojë në mënyrën më të mirë. Unë do t’ju tregoj shtëpinë e të pabindurve.” (Araf, 145)
Benu Israilët adhurojnë viçin
Gjatë dyzet ditëve që Musai a.s qëndroi në malin Tur, mes popullit të tij, Benu Israilëve, zhvilloheshin ngjarje të rrezikshme dhe me pasoja. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran lidhur me këtë ngjarje:
“Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?” (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”.  (Allahu) tha: “Ne e vumë në provë popullin tënd gjatë mungesës tënde, e Samiriu i nxori ata nga rruga e drejtë”. (Taha, 83-85)
Gjatë ditëve të fundit të qëndrimit të Musait a.s në Tur, Zoti i rrëfeu se një person nga populli i tij, i quajtur Samiri, ishte bërë shkaktar që Benu Israilët të devijonin nga udha e drejtë.
Musai a.s, me të marrë pllakat e gurit të cilat përmbanin mesazhin hyjnor të Zotit dhe plot urtësi, mori rrugën e kthimit për tek populli i tij.
Zoti i lartësuar e përmend në Kuran pikëllimin dhe emocionet e Musait a.s për atë që kishte ndodhur. “Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar.” (Taha, 86)
Para se të nisej për në Tur, Musai a.s u kishte premtuar se do të qëndronte atje vetëm tridhjetë ditë. Benu Israilët, kur panë se Musai a.s nuk po kthehej filluan të hamendësojnë. Haruni a.s, vëlla i Musait a.s u tha:”Kam frikë se kemi bërë ndonjë gjynah!”
Në fakt, Benu Israilët kur u larguan nga Egjipti kishin marrë me vete shumë flori dhe stoli të argjendta, të cilat nuk u përkisnin atyre. Duke qenë se gratë izraelite ishin të varfëra, u kërkonin stolitë e argjendta hua grave egjiptiane me të cilat kishin shoqëri dhe ato ua jepnin. Kur Musai a.s i urdhëroi Benu Israilët ta linin Egjiptin, gratë çifute e kishin të pamundur t’ua kthenin shoqeve të tyre egjiptiane stolitë, kështuqë i morën me vete.
Duke e ditur një fakt të tillë, Haruni a.s u tha:”Kam frikë se jemi ndëshkuar për shkak të këtij floriri që nuk na përket neve. Këto stoli as nuk na lejohet t’i përdorim – pasi nuk janë tonat – dhe as nuk mund t’i kthejmë sërish në Egjipt. Prandaj, propozoj ta groposim.”
Menjëherë të gjitha gratë e sollën floririn e huazuar nga egjiptianet dhe e groposën në tokë. Një burrë nga populli i Musait a.s, që quhej Samirij, e zhgroposi floririn, e shkriu dhe me të bëri një skulpturë viçi.
Këtij njeriu, Zoti i kishte dhënë disa aftësi që nuk i gëzonte tjetër kush. Ai e kishte të mundur të dallojë Xhibrilin a.s teksa kalonte. Kështu, një ditë ai e kishte parë Xhibrilin a.s teksa udhëtonte me kalë. Kudo që kali hidhte këmbët, vendi  gjelbërohej menjëherë. Samirij, shkon tek vendi ku kali i Xhibrilit a.s kishte prekur tokë dhe merr një grusht dhe, të cilin ia hedh viçit të argjendtë. Menjëherë, viçi filloi të pëllasë. Ai vajti tek Benu Israilët dhe pasi u tregoi për viçin, u tha:”Ky është Zoti të cilin kërkon Musai. Me t’u kthyer, Musai do e adhurojë bashkë me ne këtë viç.” Mandej, ai u kërkoi ta adhurojnë viçin e argjendtë. Të gjithë këto zhvillime, ngjanë gjatë dhjetë ditëve të fundit të qëndrimit të Musait a.s në Tur. Shumica e Benu Israilëve iu bindën Samiriut dhe e adhuruan viçin, ndërkohë që vetëm një pakicë e refuzuan dhe pritën të vijë Musai a.s.
Kur Musai a.s u kthye nga takimi me Zotin në malin Tur, u zemërua nga ajo që gjeti. Thotë Zoti i lartësuar duke e përshkruar këtë moment:“Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha:“O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo dëshironi që t’ju godasë zemërimi i Zotit tuaj?! Prandaj nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë?!” (Taha, 86)
Siç e cekëm dhe më lart, vetëm një pakicë nga Benu Israilët, bashkë me ta dhe Haruni a.s, nuk e adhuruan viçin, por pritën Musain a.s.
Kur Musai a.s i pyeti mbi arsyen që i shtyri të adhurojnë viçin, ata u përgjigjën:
“Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por qemë të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiriu, dhe nga këto ai bëri një trup viçi që pëlliste. Atëherë tha: “Ky është zoti juaj dhe zoti Musait. Ai (Musai) ka harruar (t’ju tregojë për të)!” (Taha, 87-88)
Si është e mundur që Bijtë e Izraelit ta besonin një gjë të tillë? “Vallë, a nuk e shihnin ata, se(viçi) nuk u drejtonte atyre asnjë fjalë dhe nuk ishte në gjendje t’u sillte kurrfarë dëmi apo dobie? Ndërkohë, Haruni u kishte thënë atyre qysh më parë: “O populli im! Kjo është vetëm një provë për ju! Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ndiqmëni mua dhe dëgjoni urdhrin tim! Ata u përgjigjën: “Ne do t’i lutemi atij, derisa të na kthehet Musai” (Taha, 89-90)
Kur e pa se në ç’gjendje ishin katandisur populli i tij, Musai a.s u zemërua shumë, saqë i hodhi tutje edhe pllakat ku i ishte shpallur Teurati. Ai iu drejtua Harunit fillimisht me kritika të shumta, madje e kapi dhe për flokësh dhe mjekre duke e tërhequr zvarrë, për atë që kishte ndodhur. Natyra e Musait a.s ishte natyrë e ashpër, ndërkohë që natyra e Harunit ishte e butë. Për këtë, hebrenjtë e donin Harunin a.s më shumë se ç’donin Musain a.s.
“(Musai) tha: “O Harun, ç’të pengoi ty, kur i pe ata se kishin humbur, që të vije tek unë?! A mos e kundërshtove urdhrin tim?” (Haruni) tha: “O biri i nënës sime, mos më kap për mjekre e as për koke! Unë kisha frikë se do të thoje: Ke mbjellë përçarje midis bijve të Izraelit e nuk i ke mbajtur porositë e mia”. (Taha, 92-94)
Pra, Haruni a.s u justifikua para Musait a.s se nuk donte t’i përçajë Benu Israilët. Pasi përfundoi me të vëllanë, Musai a.s iu drejtua Samiriut.
Në një ajet tjetër, jepen detaje të tjera lidhur me arsyen që e bëri Harunin a.s të mbajë atë qëndrim.
“Kur Musai u kthye te populli i tij, i zemëruar dhe i pikëlluar, thirri: “Shumë e keqe është ajo që keni bërë pas ikjes sime! A mos vallë donit të shpejtonit ndëshkimin e Zotit tuaj?” Pastaj i hodhi pllakat dhe, duke e kapur vëllanë për koke, e tërhoqi drejt vetes. Haruni i tha: “O djali i nënës sime! Në të vërtetë, këta njerëz më quajtën për të dobët dhe gati më mbytën. – Benu Israilët që adhuruan viçin e kishin kërcënuar me vrasje nëse do ua shante viçin të cilin adhuronin – Mos më turpëro para armiqve dhe mos më llogarit ndër keqbërësit!” (Araf, 150)
(Musai) tha: “Si është puna jote, o Samiri?” (Samiriu) u përgjigj: “Unë pashë atë, që ata nuk e panë. – Ai kishte parë Xhibrilin a.s mbi kalë – Mora një grusht nga gjurmët e të Dërguarit dhe atë e hodha mbi viçin dhe kështu më nxiti vetja (e keqja) ime.” (Taha, 95-96)
Ishin ata hebrenj që pasi kishin parë me sytë e tyre kushedi sa mrekulli nga duart e Musait a.s, adhuronin një viç të argjendtë, thjesht sepse pëlliste. Ata kishin parë me sytë e tyre dhe i kishin përjetuar nëntë ndëshkimet me të cilat Zoti dënoi egjiptianët, kishin parë mrekullinë e hapjes së detit etj… dhe tani harroni gjithçka.
“atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin.” (Bekare, 93) Edhe pse ata shfaqeshin dhe manifestonin besimin, brenda në zemër dhe në natyrë u ishte rrënjosur idhujtaria. Kjo është fytyra dhe natyra e vërtetë e hebrenjve, përgjatë gjithë historisë. Në fund, Musai a.s iu drejtua Samiriut me fjalët:
(Musai) tha: “Atëherë ik! Tërë jetën do të të duhet të thuash:”Mos më prekni”Por të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet. Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht: Ne do ta djegim e pastaj do ta hedhim në det hirin e tij.” (Taha, 97)
Disa dijetarë kanë mendimin se Musai a.s ua ndaloi Benu Israilëve të sillen keq me të. Kurse disa të tjerë, mendojnë se atë e kaploi një sëmundje ngjitëse, gjë e cila bëri që të gjithë ta braktisin dhe të distancohen prej tij. Premtimi i cili do të zbatohet, është ai i Ditës së Gjykimit.
Mandej, Musai a.s urdhëroi që viçi i argjendtë të shkrihej dhe të vërvitej në det dhe ashtu ndodhi. Pas kësaj, Musai a.s iu drejtua popullit të tij me fjalët:”Në të vërtetë, Zoti juaj është vetëm Allahu; s’ka zot tjetër përveç Tij; dituria e Tij përfshin çdo gjë”. (Taha, 98)
Pas gjithë kësaj, Musai a.s e luti Zotin për vëllanë e tij Harunin.
“Musai u lut: “O Zot! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve”. (Araf, 151)
Mandej, Zoti i lartësuar i jep udhëzime Musait a.s lidhur me të gjithë ata që adhuruan viçin.
“Ata që zgjodhën viçin për zot të tyre, do t’i zërë zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi në këtë jetë. Kështu i ndëshkojmë Ne ata që shpifin.” (Araf, 152)
Që atëherë, Benu Israilët merituan zemërimin e Zotit dhe jetën plot poshtërim. Për këtë, sa herë që falemi, në suren e parë – Fatihanë – ne lutemi:“Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!” (Fatiha, 6-7)
Të udhëzuarit, janë profetët dhe njerëzit e ndershëm që nuk devijuan nga rruga e drejtë. Ata që kanë shkaktuar zemërimin e Zotit, – sipas dijetarëve – janë ata që e njihnin të vërtetën, por që e braktisën me dashje, ata që i shihnin mrekullitë e qarta nga Zoti, megjithatë adhuronin viçin. Kurse të humburit, janë ata që e humbën të vërtetën.
Kur viç i argjendtë u shkri, u copëtua dhe u vërvit në det, adhuruesit e tij e kuptuan se kishin gabuar rëndë. Për këtë, vajtën tek Musai a.s dhe i thanë:”Kemi bërë gjynah të rëndë dhe padrejtësi të madhe. Tashmë duam të pendohemi.”
Menjëherë Musait a.s iu shpall nga Zoti, se të gjithë ata që janë penduar, për ta vërtetuar sinqeritetin e pendimit, duhej të vetëvriteshin. Kushdo që pretendonte se ishte penduar sinqerisht, duhej të vriste veten. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me këtë fakt:
“..kur ai i tha popullit të vet: “O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju në sy të Krijuesit tuaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti”. (Bekare, 54)
Disa prej tyre e pranuan këtë dhe u vetëvranë, ndërkohë që shumica refuzuan.
“Dhe, vërtet, do t’i gjesh ata më lakmues për të jetuar sesa njerëzit e tjerë, madje, edhe se paganët.” (Bekare, 96)
Për ta, nuk ka rëndësi si jetojnë, të nënshtruar, jobesimtarë etj… e rëndësishme është të jetojnë. Kjo është natyra e çifutëve, për këtë i frikësohen shumë vdekjes.
“Ata nuk do të luftojnë kundër jush së bashku, veçse në vende të fortifikuara ose pas mureve.” (Hashr, 14)
Bazuar mbi këtë tipar, u erdhi dhe kushti për pranimin e pendimit, vetëvrasja. “Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe bëhen besimtarë, ta dinë se pas kësaj, Zoti yt është vërtet Falës e Mëshirëplotë.” (Araf, 153)
Ndërkkohë që ata që refuzuan i kaploi mallkimi, zemërimi dhe poshtërimi gjatë gjithë jetës.
“Dhe, kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat, në të cilat ishin shënuar udhëzimet për rrugën e drejtë dhe mëshira për ata që i frikësohen Zotit të tyre.” (Araf, 154)
Pasi i mori pllakat ku ishte shkruar Teurati, Musai a.s mblodhi popullin e tij dhe u tha:”Në këto pllaka ndodhen udhëzime dhe dispozita nga ana e Zotit të lartësuar. Ato përmbajnë Teuratin, prandaj i dëgjoni dhe u bindeni!”
çifutët i thanë:”Na i lexo njëherë, nëse na pëlqejnë do të veprojmë sipas tyre, në të kundërt jo.” “Ne dëgjuam, por kundërshtojmë!” (Bekare, 93)
Musai a.s ua përsëriti thirrjen për t’i respektuar dispozitat që ndodheshin në Teurat, megjithatë ata refuzuan sërish. Musai a.s u kërkonte besën dhe fjalën se do vepronin konform ligjeve të cilat gjendeshin në Teurat, por ata e kundërshtonin.
Duke parë kokëfortësinë dhe refuzimin e ligjeve të Zotit, Musait a.s i jepet një mrekulli tjetër, të cilën hebrenjtë e shohin me sytë e tyre. Ajo që ndodhi ishte se mali më i afërt, shkëputet nga vendi, fluturon drejt tyre dhe qëndron sipër kokave. Musai a.s u thotë:”Pranojini ligjet dhe dispozitat që gjenden në këto pllaka, në të kundërt mali do u bjerë mbi koka.”
Të frikësuar, të gjithë ata ranë në sexhde. Pastaj i ngritën kokat duke parë malin sipër dhe thanë:”Bindemi, bindemi!”
Nuk u bindën veçse pasi u kërcënuan dhe konstatuan rrezikun. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
“Kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, thamë: “Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni!” Ju thatë: “Ne dëgjuam, por kundërshtojmë!” Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin. Thuaju: “Nëse jeni vërtet besimtarë, sa gjë të keqe po ju urdhëruaka besimi juaj!” (Bekare, 93)
“Ne ngritëm sipër tyre malin, që dukej si hije e ata besonin se do të binte mbi ta, dhe u thamë: “Mbajeni fort atë që ju dhamë dhe kujtoni çfarë përmban ajo, që të ruheni nga gjynahet.” (Araf, 171)
Nuk u bindën dhe nuk e dhanë fjalën se do i respektonin ligjet e Teuratit, veçse pasi panë se nuk kishin rrugë tjetër. Veç kësaj, ata u detyruan të japin fjalën se çdo urdhër që do u vijë nga Musai a.s do e pranonin pa u lëkundur.
Mandej, Musai a.s vendosi t’i kërkojë falje Zotit, për natyrën kokëforte dhe refuzimin e popullit të tij, për të respektuar ligjet e Zotit. Për këtë, ai përzgjodhi shtatëdhjetë burra nga ata që nuk e kishin adhuruar viçin dhe bashkë me ta u nis drejt malit Tur, ku do të takohej për herë të tretë me Zotin. Thotë Zoti i lartësuar:” Më pas Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë burra, për takimin Tonë.” (Araf, 155)
Pasi mbërritën dhe u ngjitën në malin Tur, mali filloi të lëkundej, saqë u siguruan se do të vdisnin në vend. Ky ishte një sinjal i qartë se Zoti ishte zemëruar shumë me Benu Israilët.
“Kur i goditi tërmeti, ai tha: “O Zoti im! Sikur të doje Ti, do t’i zhdukje ata dhe mua që më përpara. Por, a do të na shkatërroje për atë që bënë disa mendjelehtë mes nesh?! Ajo ishte veç një sprovë e urdhëruar prej Teje, për të shpënë në humbje atë që Ti do dhe për të udhëzuar atë që Ti dëshiron. Ti je Mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona! Ti je më i miri i mëshiruesve! Na cakto të mira në këtë botë dhe në tjetrën, sepse veç tek Ti ne kthehemi.” Allahu tha: “Unë godas me dënimin Tim kë të dua, ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet e japin zeqatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona.”(Araf, 155-156)
Pas këtyre lutjeve të Musait a.s, lëkundjet u ndalën dhe mali u qetësua. Pas kësaj, mali mbi të cilin ndodheshin u mbulua nga mjegulla. Aq e dendur ishte mjegulla, saqë nuk shihnin gjë, por vetëm dëgjonin. Në ato çaste Musai a.s filloi t’i kërkojë falje Zotit lidhur me adhurimin e viçit nga populli i tij. Të shtatëdhjetë burrat dëgjonin zëra por nuk shihnin gjë. Pasi Musai a.s e përfundoi takimin me Zotin, u kthye tek të shtatëdhjetë burrat, të cilët i thanë menjëherë:”Ti na premtove se do të takoheshim me Zotin! Ne nuk të besojmë derisa ta shohim Zotin me sytë tanë.”
Thotë Zoti në Kuran:“Kujtoni kur i thatë Musait: “O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!” (Bekare, 55)
Edhe pse Musai a.s zgjodhi shtatëdhjetë burrat më të mirë nga mesi i popullit, edhe këta e zhgënjyen me kërkesa të tilla. Ata deklaruan se donin ta shohin Zotin, se nuk mjaftonte të dëgjojnë zëra. Ky ishte një manifestim i hapur i mosbesimit dhe kokëfortësisë së tyre. Menjëherë, Musai a.s filloi t’i paralajmërojë për pasojat e një kërkese të tillë. Ai u foli dhe mbi eksperiencën e tij kur deshi ta shohë Zotin dhe çfarë i ndodhi malit kur Zoti iu shfaq sadopak. Megjithatë ata këmbëngulën ta shohin Zotin. “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!”
Gjoja, këtë kërkesë e bënin me qëllim që kur të ktheheshin tek çifutët e tjerë, t’u thoshin se e kishin parë haptazi Zotin për të cilin u fliste Musai a.s. Ata i thanë se nuk do të ktheheshin tek Benu Israilët derisa ta shohin Zotin me sytë e tyre.
Një kërkesë e tillë e zemëroi Zotin dhe menjëherë i goditi një rrufe, duke ua marrë jetën të gjithëve njëherazi.
“Atëherë një rrufe ju goditi, ndërsa ishit duke parë.” (Bekare, 55)
Siç e thamë, këta ishin njerëzit më të mirë nga e gjithë popullsia e Benu Israilëve. Vallë si do u dilte para njerëzve të tij Musai a.s? çfarë do u thoshte për shtatëdhjetë burrat që i kishte zgjedhur vetë?
I gjendur në një siklet kaq të madh, Musai a.s filloi ta lusë Zotin që t’i ringjallë sërish, pasi e kishte tejet të vështirë të kthehej tek populli pa këta të shtatëdhjetë. Pas lutjeve të njëpasnjëshme dhe plot përgjërim, Zoti i tregoi një mrekulli tjetër, ku të shtatëdhjetë u ringjallën sërish.
“Pas vdekjes suaj, Ne ju ringjallëm, që të bëheni falënderues.” (Bekare, 56)
Ishin mrekulli pas mrekullie, megjithatë Benu Israilët nuk zinin mend. E liga kishte pushtuar zemrat dhe mendjet e tyre. Kush është ai që i sheh me sy këto mrekulli dhe vazhdon të mos besojë?! Zoti i cek këto fakte në Kuran, me qëllim që të sensibilizohemi mbi natyrën e këtij populli. Nëse janë sjellë në këtë formë me profetët dhe të dërguarit e Zotit, a mund të presim ne që të respektojnë marrëveshjet dhe besën?! Nëse e kanë thyer besën dhe premtimin me profetët e Zotit, mos do e respektojnë me ne?! Si mund t’u zëmë besë ne sot?! A do i zije besë një nënpunësi të tillë?!
Në më shumë se shtatëdhjetë pasazhe në Kuran, Zoti rrëfen historinë dhe na tregon natyrën e Benu Israilëve. Kjo me qëllim që të nxjerrim mësime nga historia dhe të zëmë mend. Thotë Zoti në Kuran:“Me siguri do të vëresh se armiqtë më të ashpër të besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët.” (Maide, 82)
Me t’u kthyer Musai a.s bashkë me shtatëdhjetë burrat e tjerë tek populli, të gjithë u nisën për rrugëtim, derisa arritën pranë Jerusalemit (Kudsit), i cili asokohe njihej me emrin Elija. Jerusalemi asokohe ishte kryeqyteti i të gjithë rajonit dhe sundohej nga një popull i madh në numër dhe shumë i fuqishëm. Musai a.s vajti në Jerusalem me qëllim që ta marrë këtë qytet, pasi kushdo që e shtinte në dorë Jerusalemin, e shtrinte pushtetin mbi të gjithë rajonin.
Kur mbërritën pranë mureve të Jerusalemit, banorët e tij u përgatitën për luftë. Populli i Musait a.s ishte gjashtëqind mijë banorë, gjë që i frikësoi. Musai a.s i urdhëroi Benu Israilët të sulmojnë qytetin, por ata refuzuan. Ata u justifikuan me faktin se kanë qenë skllevër, janë marrë me bujqësi dhe blegtori gjithë jetën dhe nuk kanë haber nga lufta. Kishin kaluar katërqind e tridhjetë vite nën shtypjen dhe thundrën e egjiptianëve, pa u marrë me luftë. Musai a.s u kujtoi besën që i kishin dhënë për bindje në çdo situatë, por ata këmbëngulën në të tyren. Ai i siguroi se nëse do sulmonin, betejën e kishin të fituar dhe Jeruzalemi bashkë me rajonin do të binin në duart e tyre. Megjithatë, ata nuk iu bindën.
“O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur!” Ata thanë: “O Musa! Në atë tokë gjendet një popull i fortë dhe ne nuk do të hyjmë pa dalë ata e, nëse ata dalin, ne atëherë, me siguri do të hyjmë në të”. (Maide, 21-22)
Përderisa Zoti e paska caktuar për ne, le të dalë populli që e sundon dhe të hyjmë ne pa luftë.
Dy burra nga ata që i frikësoheshin Allahut dhe që Ai i kishte pajisur me mirësi, thanë: “Hyni në portën e qytetit! Kur të kaloni nëpër të, me siguri do të jeni fitues. Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu!” (Maide, 23)
Lidhur me këto dy burra, interpretuesit e Kuranit kanë mendime të ndryshme, ku shumë prej tyre të gabuara. Në fakt, këta dy burra nuk ishin tjetër kush, përveçse Musai a.s dhe Haruni a.s.
Ajo që u kërkohej Benu israilëve ishte vetëm të hynin tek porta e qytetit. Me të hyrë në portë, ata do të fitonin. Megjithatë, nga gjashtëqind mijë frymë, Musait dhe Harunit a.s nuk iu bind asnjëri. Edhe të shtatëdhjetë burrat që vdiqën dhe u ringjallën sërish, nuk pranuan t’i afrohen portës së Jerusalemit. Përgjigja e tyre ishte larg çdo etike me profetët e Zotit dhe me vetë Zotin e lartësuar.
“Ata thanë: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa aty të gjenden ata. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. (Maide, 24)
Edhe sot kemi njerëz të cilët kur flasin mbi profetët flasin si të ishin ca mbretër dhe monarkë të lig. Kur të flasësh mbi profetët e Zotit, duhet të zgjedhësh fjalët më të përshtatshme për statusin dhe pozitën e tyre.
“Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”.
Krahasojeni këtë qëndrim dhe përgjigje, me atë të myslimanëve ditën e Bedrit, kur profeti Muhamed a.s u kërkoi mendim nëse duhej të luftonin apo jo. Përgjigja e Mikdad-it ishte përgjigje e prerë. Tregon vetë Ibnu Mesudi:”Qëndrimin dhe përgjigjen e Mikdadit nuk do e këmbeja më të gjithë dynjanë dhe të mirat e saj.”
Ai iu përgjigj Profetit a.s:”Për Zotin, ne nuk do të përgjigjemi siç iu përgjigjën çifutët Musait a.s ku i thanë:“shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. por të themi:”Shko ti me Zotin tënd dhe luftoni, sepse edhe ne do të luftojmë bashkë me ju.”
Kur pa përgjigjen e popullit të tij, Musai a.s tha:
“O Zoti im! Unë nuk kam fuqi për askënd tjetër veç vetes dhe vëllait…”
Kështu duket qartë që dy burrat që Zoti u kishte dhënë mirësi dhe i këshilluan popullin, ishin pikërisht Musai a.s dhe Haruni. Pas këtij qëndrimi zhgënjyes, Musai a.s i mallkon për herë të parë dhe lutet kundër popullit të tij.
prandaj na veço neve prej këtij populli të pabindur!” (Maide, 25)
Përgjigja e Zotit ishte:
“Allahu tha: “Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur”. (Maide, 26)
Nuk ka popull tjetër që janë ndëshkuar për një periudhë kohe kaq të gjatë. Atyre do u ndalohej hyrja në Jeruzalem për dyzet vite me radhë, edhe pse u ishte premtuar. Këto dyzet vite, hebrenjtë do i kalonin të humbur në shkretëtirë.
Kur pa që hebrenjtë nuk do të hynin në Jerusalem, Musai a.s i urdhëroi të largoheshin që andej dhe ashtu vepruan. Objektivi i tyre ishte një fshat diku aty pranë, por gjatë rrugës për atje humbën në shkretëtirë. Edhe pse kishin kallauzë që e njihnin mirë zonën dhe rrugën, ata sorollateshin në të njëjtin vend. Pasi udhëtonin për ditë të tëra, ktheheshin sërish aty ku kishin nisur. Kjo vazhdoi për dyzet vite me radhë. Sa herë që një kallauz pretendonte se e dinte rrugën dhe do i çonte atje ku donin, humbnin dhe ktheheshin sërish aty ku kishin qenë.
Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Vallë me çfarë ushqehej gjithë ai numër i madh njerëzish, gjatë dyzet viteve?
Zoti i lartësuar i ndëshkoi me humbje, por nuk deshi t’i shfarosë si popull. Edhe pse të humbur në shkretëtirë, Zoti i furnizonte me ujë dhe ushqim.
“Kur populli i tij i kërkoi ujë, Ne i kumtuam Musait: “Bjeri me shkopin tënd shkëmbit!” dhe prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime. Çdo fis e dinte burimin e vet.” (Araf, 160)
Me një të goditur me shkop mbi një shkëmb, që aty shpërthenin dymbëdhjetë burime uji, nga një burim për çdo fis. Kudo që udhëtonin, hebrenjtë e mbanin me vete shkëmbin, i cili gjatë udhëtimit nuk buronte ujë. Për dyzet vite me radhë ata u furnizuan me ujë në këtë mënyrë.
Edhe pse uji nuk u mungonte, hebrenjtë iu ankuan Musait a.s për diellin përvëlues të shkretëtirë. Musai a.s e luti Zotin që t’i ndihmojë dhe Ai u dërgoi një re që i shoqëronte kudo që udhëtonin. Kurse për të ngrënë, tre vakte në ditë Zoti i furnizonte me thëllëza të cilët u vinin çdo vakt. Secili nga hebrenjtë kapte nga një thëllëzë, e therte, e gatuante dhe ushqehej me të. Veç thëllëzave, atyre u jepej dhe një lëng tjetër të cilin e gjenin në pemë, me shije mjalti. Kurse disa të tjerë mendojnë se ishte me ngjyrë të bardhë dhe me të zinin brumë për bukë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:“Dhe Ne u bëmë hije me retë dhe u zbritëm manën dhe thëllëza, duke iu thënë: “Hani ushqimet e mira që jua kemi dhënë!” Ata nuk na dëmtuan Neve, por i bënë dëm vetvetes.” (Araf, 160)
Ndodhia e lopës
Gjatë dyzet viteve që hebrenjtë kaluan të humbur në shkretëtirë, ndodhin një sërë ngjarjesh. Njëra prej tyre është dhe ajo e lopës e cila ceket në Kuranin fisnik.
Një ditë, Benu Israilët gjejnë një burrë nga elita e tyre të vrarë pa ditur kush e kishte vrarë. Pasi u lodhën duke hetuar vrasësin, vajtën tek Musai a.s dhe i treguan si qëndronte puna. Musai a.s u përgjigj se nuk e dinte kush ishte vrasësi, veçse po ti shpallej nga Zoti. Musai a.s iu lut Zotit dhe atij iu shpall që për të mësuar vrasësin u duhej të thernin një lopë.“Kujto kur Musai i tha kombit të vet: “Allahu ju urdhëron të therni një lopë!” (Bekare, 67)
Kur dëgjuan këtë, njerëzit u çuditën dhe i thanë Musait a.s me të tallur:”Ne kemi ardhur të qajmë hallin, kurse ti na urdhëron të therrim një lopë! ç’qenka kjo?!”
“Ata thanë: “A do të tallesh me ne?” – “Zoti më ruajt!” – tha Musai – “të bëhem unë nga të paditurit!”. (Bekare, 67)
Kur panë se Musai a.s e kishte seriozisht këtë, i kërkuan sqarime të mëtejshme lidhur me lopën që u duhej të thernin:”Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë si duhet të jetë ajo!” Musai tha:“Ajo të jetë një lopë as plakë, as e re, por e mesme; pra, bëni atë që ju është urdhëruar!” (Bekare, 68)
Edhe pse urdhri që në fillim ishte të thernin një lopë të çfarëdollojtë, ata nuk u mjaftuan me kaq. Kërkonin cilësi dhe tipare të caktuara të lopës që duhej të therin. Edhe pse Zoti i lartësuar ua cilësoi, nuk u mjaftuan, por tani kërkonin ngjyrën e lopës.
“Ata thanë: “Lutju Zotit tënd që të na shpjegojë çfarë ngjyre të ketë ajo!” Musai tha: “Ai thotë se ajo duhet të jetë lopë me ngjyrë të verdhë të ndezur, të cilën e pëlqejnë shikuesit”.(Bekare, 69)
Pasi kërkuan mes lopëve, panë se shumë lopë ishin me atë ngjyrë dhe sërish iu drejtuan Musait a.s:“Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë lloji të jetë, sepse lopët të gjitha na duken njësoj e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë”. (Bekare, 70)
Duke parë kokëfortësinë e tyre, Zoti ua vështirësoi edhe më shumë gjërat.
“Musai tha: “Ai thotë se lopa s’duhet të jetë e lodhur nga lërimi apo nga ujitja e tokës, por të jetë e shëndetshme dhe pa asnjë të metë”. Ata thanë: “Tani na the të vërtetën”. Kështu, ata e therën lopën, por desh e lanë pa flijuar.” (Bekare, 71)
Menjëherë hebrenjtë filluan të kërkojnë rreth kësaj lope. Pas mundimeve të shumta, cilësitë e saj i gjetën vetëm tek lopa e një jetimi. Të afërmit e tij, dëgjuan si qëndronte puna dhe e këshilluan jetimin që të mos ua shesë veçse me një çmim tejet të lartë. Përveç cilësive dhe tipareve të rralla që kjo lopë i kishte, ajo kërkohej për të zbuluar vrasësin e një burri nga paria e hebrenjve dhe njëkohësisht shumë i pasur. Hebrenjtë shkojnë tek jetimi dhe e pyesin nëse e shet lopën. Jetimi u përgjigjet se e shet, por u kërkoi flori aq sa peshonte lopa. Ata mbetën me gojë të hapur nga ky çmim dhe menjëherë vajtën tek Musai a.s t’i qajnë hallin. Por Musai a.s u tha:”Vetë e keni fajin! çështja ishte më e lehtë në fillim kur u kërkua të thernit një lopë. Tiparet dhe hollësitë e tjera ju i kërkuat vetë dhe tani duhet të paguani!”
Duke qenë se familjarët e të vrarit donin ta dinë kush ishte vrasësi, pranuan ta blejnë lopën me çmimin e caktuar nga jetimi. Me këtë, Zoti pasuronte dhe përmirësonte jetesën e jetimit dhe njëkohësisht ndëshkonte kokëfortësinë e hebrenjve.
Ata e blenë lopën dhe e therën. Pastaj vajtën tek Musai a.s dhe i thanë:”Ja, e therëm lopën dhe sërish nuk dimë kush e ka vrarë.” Musai a.s u tha:”Pritni një copë mishin prej saj dhe me të goditni kufomën e të vrarit!”
“Dhe, pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju. Ne ju thamë: “Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!” Dhe kështu, Allahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe do t’ju tregojë mrekullitë e veta, që ju të kuptoni.”(Bekare, 72-73)
Kur e respektuan këtë urdhër dhe e goditën të vdekurin me mishin e lopës, ai u ngrit në këmbë i gjallë. I vdekuri që u ringjall u tregoi kush e kishte vrarë dhe vdiq sërish. I pa të meta është Ai që ngjall të vdekurit! Kjo ishte një mrekulli tjetër që i shtohej zinxhirit të mrekullive që panë me sytë e tyre Benu Israilët. Megjithatë, zemrat e tyre vazhdonin të ngurta siç kishin qenë.
“Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji, madje ka edhe syresh që rrëzohen nga frika e Allahut. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.” (Bekare, 74)
Musai a.s dhe Hidri
Një ditë, Musai a.s mbajti u foli me fjalë prekëse popullit të tij. Në një moment, ngrihet një burrë dhe e pyet:”O Musa! Kush është njeriu më i ditur mbi faqen e tokës?” Duke qenë se ishte profet dhe i dërguar i Allahut, Musai a.s u përgjigj:”Unë.” Zoti e kritikoi për këtë dhe i tregoi se ishte dikush tjetër më i ditur se Musai a.s. I habitur, Musai a.s e pyeti Zotin se kush ishte ky burrë dhe ku mund të takohej me të, që të përfitonte nga dijet e tij. Zoti i tha se mund ta gjejë tek vendtakimi i dy detrave. Musai a.s i kërkoi Zotit një shenjë se si ta dallojë Hidrin nga njerëzit e tjerë. Zoti i lartësuar i tha se do të humbasë peshkun para se të takojë Hidrin.
(Kujto) kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (Kehf, 60)
Djaloshi që shoqëronte Musain a.s, ishte Joshua, për të cilin shumica e dijetarëve myslimanë mendojnë se ka qenë profet. Është pikërisht Joshua ai që udhëhoqi Benu Israilët pas vdekjes së Musait a.s dhe Harunit a.s.
Musai a.s e zgjodhi Joshuan si shoqërues të tij në udhëtimin për tu takuar me Hidrin.
Vendi ku bashkohen dy detet që  ceket në ajetin e mësipërm, është vendi ku bashkohen dy degët e detit të kuq.
“Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel.” (Kehf, 61)
Musai a.s dhe Joshua kishin përgaitur për drekë një peshk të skuqur, të cilin e kishin vendosur në një enë. Ndërkohë që Musai a.s flinte dhe Joshua qëndronte i ulur pranë tij, peshku i skuqur kërcen nga ena dhe duke u përpëlitur hidhet në det. Mandej, Musai a.s u zgjua por Joshua harroi t’i rrëfejë se çfarë kishte ndodhur.
“Kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet: “Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë”. (Kehf, 62)
Në këtë çast, Joshuas i kujtohet ndodhia e peshkut që kërceu nga ena në det dhe i tregon.
“Ai u përgjigj: “Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!” (Kehf, 63)
Musai a.s e kuptoi se ai ishte vendi ku do të takohej me Hidrin kështu u kthyen sërish duke ndjekur gjurmët nga kishin ecur.
(Musai) tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë”. Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta, dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije. Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (Kehf, 64-66)
Burri që gjetën ishte pikërisht Hidri, për të cilin shumica e dijetarëve mendojnë se ka qenë profet.
“Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”? (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Kehf, 67-69)
Edhe pse Musai a.s hyn tek profetët dhe të dërguarit më të mirë, demonstronte një modesti të lakmueshme para njerëzve më të ditur. Kjo, edhe pse të gjithë dijetarët mendojnë se Musai a.s gëzon vlera më shumë se Hidri. Njeriu sado i mirë, i ditur dhe i ndershëm të jetë, para më të diturit manifeston modesti.
(Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (Kehf, 70)
Hidri a.s e pranoi Musanë a.s si shoqërues dhe nxënës, por me një kusht: Të mos ndërhyjë në veprimet e tij, sado të çuditshme dhe të papranueshme t’i dukeshin. Musai a.s e pranoi këtë kusht dhe e urdhëroi Joshuan të kthehej tek Benu Israilët. Të dy, Musai a.s dhe Hidri u nisën për rrugë. Udhëtimi do të bëhej me anije, gjë të cilën e përmend Zoti në Kuran:“Dhe kështu, u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë.” !” (Kehf, 71)
Pronarët e anijes e morën Hidrin dhe Musanë a.s në anije pa pagesë. Gjatë rrugës, Hidri e merr Musanë dhe të dy zbresin në pjesën më të poshtme të anijes, ku me anë të një hekuri Hidri fillon menjëherë të shpojë një vrimë. Marinarët dhe punonjësit e ndjenë defektin që ishte shkaktuar dhe menjëherë filluan të marrin masat për të shpëtuar anijen nga mbytja. Musai a.s vështronte i befasuar nga veprimi i Hidrit a.s dhe nuk duroi pa i thënë:”(Musai) tha: “Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe”.
(Hidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?”
Ai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (Kehf, 71-73
Musai a.s i kërkoi falje Hidrit nga kjo ndërhyrje dhe Hidri e fali. Me të kaluar në bregun tjetër, Hidri a.s iu afrua një djaloshi të njomë, e shtriu përtokë, nxori një thikë dhe e therri. Ishte një krim monstruoz që Musai a.s e pa me sytë e tij. Kjo e bëri të ndërhyjë dhe t’i thotë gjithë nervozizëm:
Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. Tha (Musai): “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme”! Ai u përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (Kehf, 74-75)
Musai a.s e kuptoi se kishte gabuar sërish dhe i kërkoi falje duke thënë:
(Musai) tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!” (Kehf, 76)
Hidri a.s e fali sërish dhe e prano kushtin dhe të dy u nisën sërish për rrugë derisa arritën në një fshat. Të dy ishin të uritur dhe në bazë të zakonit të mikpritjes, u drejtuan në shtëpitë e fshatit që dikush t’i ushqente. Asokohe ishte e drejtë e udhëtarit që banorët e një fshati apo qyteti ta mirëpresin dhe ushqejnë për tri ditë. Këtë të drejtë e gëzon udhëtari edhe në islam, ku nëse një udhëtari i harxhohen ushqimet dhe furnizimet për rrugë, gëzon të drejtën të qëndrojë për tre ditë tek çfarëdo familjeje. Nëse refuzojnë ta ushqejnë, konsiderohen gjynahqarë.
Edhe pse Hidri dhe Musai a.s vajtën si mysafirë dhe ishte e drejta e tyre, banorët e fshatit refuzuan t’i pranojnë. “Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë.” Duke parë këtë, Musai a.s dhe Hidri u nisën të largohen nga ky fshat. Në të dalë, vunë re një shtëpi të rrënuar, të cilës i kishte mbetur vetëm një mur pa u shembur, por edhe ai ishte anuar dhe gati për të rënë. Menjëherë, Hidri a.s përveshi llërët dhe i hyri punës për ta drejtuar dhe rregulluar këtë mur. “Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi.” Sakaq, Musai a.s e shihte gjithë habi. E çfarë i duhet Hidrit të rregullojë një mur që gati po shembet?! Kujt i hyn në punë ai mur?! Aq më tepër që ndodhej në një fshat aspak mikpritës. Prandaj, vendosi t’i tërheqë vëmendjen për këtë:(Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” (Kehf, 77)
Nëse ke vendosur ta rregullosh dhe drejtosh këtë mur, të paktën bëje kundrejt një shpërblimi. Përse u dashka tu rregullosh murin një populli që nuk e meritojnë dhe pa asnjë shpërblim për punën?!
“Ai tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh.” (Kehf, 78)
Tashmë është koha të të tregoj lidhur me ato gjëra për të cilat ndërhyre dhe nuk e përmbajte dot veten.
“Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë.” (Kehf, 79)
Në atë rajon, ndodhej një mbret zullumqar i cili përvetësonte dhe konfiskonte anijet që gjente në det. Dhe me të vërtetë, me të kaluar Hidri dhe Musai a.s, vjen mbreti me ushtarët ta konfiskojnë anijen ku kishin qenë. Me të konstatuar të çarën, ata e lanë dhe u nisën për tek anijet e tjera.
“Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm.” (Kehf, 80)
Në dijet e pafund të Zotit, ky djalosh do të rritej dhe do të shndërrohej në një bishë të dhunshme ndaj shoqërisë dhe prindërve të tij. Ishte dhembshuri e Zotit ndaj dy prindërve, që ky djalosh të vdiste para se të rritej dhe të ushtronte dhunë ndaj njerëzve dhe prindërve. Menjëherë pas vdekjes së këtij fëmije, prindërve u lindi një djalë tjetër i cili ishte i dashur dhe respektues ndaj prindërve.
“E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt.” (Kehf, 82)
Pra, muri që rimëkëmbi Hidri a.s ishte pjesë e një shtëpie e cila u përkiste dy jetimëve. Babai i tyre kishte qenë njeri i ndershëm dhe i mirë. Ai kishte fshehur një thesar nën murin e fundit që mezi mbahej në këmbë, për ditë të vështira. Nëse do të rrëzohej dhe ai mur, thesari do të zbulohej dhe do të grabitej padrejtësisht nga njerëzit, duke i lënë jetimët me gisht në gojë.
“Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë” pra, e gjithë kjo ndërhyrje hyjnore bëhej për shkak se babai i dy jetimëve ishte njeri i mirë dhe i ndershëm. Shohim që veprat e mira nuk ndjekin vetëm personin që i vepron ato, por edhe familjarët dhe pasardhësit e tij. Prandaj, kushdo që i do të mirën fëmijëve dhe familjarëve të tij, le të jetë i devotshëm me Zotin. Devotshmëria ka efekte pozitive për personin gjatë jetës së tij, por edhe pas vdekjes, të cilat shtrihen mbi fëmijët.
Muri që fshihte thesarin e dy jetimëve u rrëzua vetëm pasi ata ishin rritur dhe pjekur, ku ata gjetën thesarin dhe e shfrytëzuan për nevojat e tyre.
“prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt.” (Kehf, 82)
Mandje, Hidrin pohon të vërtetën në bazë të së cilës kishte ndërmarrë gjithë ato veprime të papranueshme për Musain a.s:
Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!” (Kehf, 82)
Asgjë nuk kishte ndodhur sipas vullnetit të Hidrit a.s, por sipas udhëzimeve të Zotit. Kështu, dijet që posedonte Hidri a.s ishin dije që kishin të bëjnë me botën e padukshme, gjë të cilën ia kishte mësuar Zoti i lartësuar. Diçka e tillë mund t’u ndodhë vetëm profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Asnjë nga njerëzit e thjeshtë, sado të ditur të jenë nuk mund ta gëzojnë këtë privilegj. Pas kësaj ndodhie, Musai a.s u kthye në mesin e popullit të tij.
Për dyzet vite me radhë, Benu Israilët vazhduan të humbur në shkretëtirë. Gjatë kësaj periudhe vdes Haruni a.s dhe varroset në shkretëtirë. Dy vite më pas, vdes dhe Musai a.s.
Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, thuhet se Ebu Hurejre ka thënë:”U dërgua meleku i vdekjes tek Musai a.s për t’i kërkuar leje që t’i marrë shpirtin. Me ta dëgjuar, Musai a.s e goditi fort dhe meleku i vdekjes u kthye sërish tek Zoti dhe i thotë:”Më ke dërguar tek një rob që nuk e dëshiron vdekjen. Zoti i thotë:”Shko tek Musai dhe i thua të vendosë dorën mbi shpinën e një kau. Për çdo qime nën dorën e tij, do i japim një vit jetë.” Menjëherë meleku i vdekjes u kthye tek Musai a.s dhe i tregoi mbi afatin zgjedhjen që i kishte dhënë Zoti. Musai a.s pyeti:”Po pas këtyre viteve, çfarë do të ndodhë?” Zoti iu përgjigj:”Vdekja.” Musai a.s tha:” Atëherë le të ndodhë tani më mirë.”
Para se t’i merret shpirti, Musai a.s e luti Zotin që ta afrojë me Jerusalemin sa distanca e hedhjes së një guri. Ebu Hurejre thotë se i dërguari i Zotit a.s na tha:”Nëse do të ndodhesha atje (në Jerusalem) do ua tregoja varrin e Musait a.s. Ai ndodhet anës rrugës që të çon për në Jerusalem, tek duna e kuqe.”
Kështu ishte fundi i dy profetëve të nderuar, Harunit dhe Musait a.s.

Sa i dobishëm ishte ky post?

Klikoni mbi një yll për ta vlerësuar!

Vleresim mesatar 0 / 5. Numri i votave: 0

Asnjë votim deri më tani! Bëhu i pari që vlerëson këtë postim.

LINQET E RRJETEVE SOCIALE