Shoqata ndihmoni te Varferit

Metodat profetike në edukimin e fëmijëve (1)

Shëmbëlltyra e prindërve

Nga Ebu Hurejre r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Çdo fëmijë që lind, lind në natyrshmërinë (fenë islame), por prindërit e bëjnë hebre, ose të krishterë, ose zjarrpuiisi.”(1) Gjithashtu, nga Enes bin Maliku r.a. transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk i mëshiron fëmijët tanë, dhe nuk i respekton të vjetrit tanë.”(2)

Fëmijët janë pasqyra e prindërve. Ata mësojnë më shumë nga ai që e duan më së tepërmi. Shëmbëlltyra e mirë te fëmija ka ndikim jashtëzakonisht të madh. Në të shumtën e rasteve fëmija është imitues dhe pasues i prindërve të tij. Prindërit kanë ndikim aq të fortë, saqë arrijnë ta ndryshojnë gjendjen e natyrshmërisë së fëmijës.
Pejgamberi a.s. thotë: “Prindërit e edukojnë fëmijën të bëhet hebre, zjarrputist ose i krishterë”.
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush i thotë fëmijës eja këtu se do të të jap diçka, e pastaj nuk ia jep asgjë, kjo është gënjeshtër (mashtrim).”(3)
Me këtë Pejgamberi a.s. i inkurajon prindërit që të jenë shëmbëlltyrë e mirë në të gjitha fushat e jetës, e sidomos të kenë sjellje të sinqerta gjatë punës me fëmijët e tyre.
Në një version tjetër, transmetohet nga Abdullah bin Amir, se tha: “Një ditë, derisa në shtëpinë tonë ishte Pejgamberi a.s. më thirri nëna dhe më tha:
“Eja këtu se do të të jap diçka!” Pejgamberi a.s. e pyeti: “ç’dëshiron t’i japësh atij (fëmijës)?” “Desha t’i jap një hurmë”, – tha nëna ime. “Nëse e thërret fëmijën dhe nuk i jep asgjë, ty do të të shënohet një gënjeshtër”, – i tha Pejgamberi a.s.
Fëmijët i trashëgojnë sjelljet e të rriturve dhe i pasojnë ato. Në qoftë se fëmijët i shohin prindërit e tyre të sinqertë, atëherë ata do të zhvillohen dhe edukohen në sinqeritet, e po kështu edhe për virtyte të tjera. Këtë më së miri e tregon rasti i Ibën Abasit, i cili kur ishte fëmijë kishte vajtur për të kaluar natën te tezja e tij, Mejmunia. Pejgamberi s.a.v.s qe ngritur gjatë natës, kishte marrë abdes nga një enë, dhe pastaj kishte filluar të falë namazin. Atëherë qe ngritur edhe Ibën Abasi, kishte marrë abdes sikurse Pejgamberi a.s., dhe qe lidhur në namaz në anën e majtë të Pejgamberit a.s., kurse Pejgamberi a.s. e kishte kaluar në anën e djathtë … “(4)
Nga ky hadith kuptojmë se fëmija vepron ashtu siç i sheh të rriturit. Kjo do të thotë se shëmbëlltyra e mirë ndikon te fëmijët. Nga prindërit kërkohet që të jenë edukatorë të mirë, sepse fëmijët zhvillohen dhe edukohen ashtu siç i shohin veprat, sjelljet dhe fjalët e tyre. Me sjelljen e tyre fëmijët shprehin sjelljen e prindërve, pa marrë parasysh se çfarë tipi janë.
Fëmija mendon dhe pyet veten për lëvizjet dhe sjelljet e prindërve, për shkaqet e (pa)kënaqësisë së tyre etj. Nëse ato sjellje janë të mira, atëherë fëmija i merr si të mira dhe përfiton nga to. Nga prindërit kërkohet praktika dhe zbatimi i urdhrave të Allahut xh. sh. dhe të të Dërguarit të Tij, si në sjellje ashtu edhe në praktikë. Këto sjellje të jenë gjithëpërfshirëse, sepse fëmijët vazhdimisht gjenden në përcjellje të prindërve të tyre. Mundësitë e të kuptuarit të fëmijës dhe të vetëdijesimit dhe e kundërta, janë shumë të mëdha, madje edhe më të mëdha sesa i mendojmë ne, sa kohë që ne e shikojmë fëmijën si një krijesë të vogël që nuk kupton dhe nuk ka vetëdije.(5) Prindërit do të pyeten për ruajtjen e familjes së tyre: “Allahu do ta pyesë çdo kujdestar për kujdestarinë e tij (përgjegjësinë); a e ka ruajtur apo e ka humbur (shkatërruar), derisa edhe kryefamiljari do të pyetet për anëtarët e familjes së tij.”6

Zgjedhja e kohës së përshtatshme për këshillimin e fëmijëve

Zgjedhja e kohës së përshtatshme dhe adekuate për këshillimin e fëmijëve, për ato gjëra që dëshirojnë prindërit dhe që u përshtaten fëmijëve, ka rol të veçantë dhe dominues. Një gjë e tillë ka ndikim te, fëmija sepse e lehtëson dhe e pakëson angazhimin në edukimin praktik të tij, ngase zemrat janë ato që pranojnë dhe refuzojnë. Nëse prindërit janë në gjendje të dinë kohën kur zemrat e fëmijëve i marrin këshillat e tyre, atëherë s’ka dyshim se me këtë veprim prindërit kanë arritur një rezultat të mjaftueshëm në edukimin praktik të tyre. S’ka dyshim se Pejgamberi a.s. ka qenë shumë i saktë në zgjedhjen e kohës dhe vendit adekuat e të përshtatshëm për këshillimin e fëmijës. Ai ka arritur t’i edukonte fëmijët me shumë sukses, t’ua përmirësojë sjelljet e tyre dhe t’ u ndërtojë një moral të drejtë e të shëndoshë. Pejgamberi a.s. na ka treguar tri kohët kryesore për këshillimin e fëmijës, e ato janë:

Shëtitja, udhëtimi dhe mjetet e udhëtimit

Ibën Abasi r.a. thotë: “Një ditë kam qenë në udhëtim me Pejgamberin a.s., i cili më tha: “O djalosh, dua të të tregoj disa këshilla … ”
Ky hadith tregon se këshillat profetike kanë qenë edhe në rrugë dhe gjatë udhëtimit. Ata të dy ishin duke udhëtuar, dhe nuk mungoi këshillimi i drejtë dhe i sinqertë.

Koha e ngrënies

Gjatë kësaj kohe fëmija bën përpjekje që në çdo formë të gjejë për të ngrënë. Ai nuk zgjedh as mënyrën dhe as sjelljen. Shpeshherë bën gjeste të pahijshme dhe nganjëherë shkelen edhe normat thelbësore të edukimit. E nëse prindërit nuk ulen me të vazhdimisht gjatë kohës së ngrënies, për ta këshilluar dhe për t’ ia përmirësuar gabimet, atëherë fëmija do të mbetet me plot gabime dhe tradita të pahijshme. Kur prindërit nuk ulen me fëmijët e tyre gjatë kohës së ngrënies, kjo është një humbje e kohës së përshtatshme për këshilla dhe udhëzime. Pejgamberi a.s. hante me fëmijët e tij. Aty shihte dhe vërente shumë gabime. Ato gabime i evitonte me një metodë të butë, për të ndikuar në mendjen e fëmijëve. Kështu fëmijët vetvetiu shkonin nga përmirësimi. I tillë ka qenë Pejgamberi s.a.v.s.
Omer bin Ebi Seleme r.a. thotë: “Kam qenë i ri (fëmijë) në shtëpinë e Pejgamberit s.a.v.s. Duart e mia merrnin ushqim nga çdo vend i tepsisë. Atëherë Pejgamberi s.a.v.s. më tha: “O djalosh, përmende emrin e Allahut xh. sh., ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes!” Në këto thënie profetike shihet qartazi thirrja e Pejgamberit s.a.v.s. për fëmijët, që të hanë ushqim së bashku. Kjo është bërë me një metodë që përmban butësi dhe afërsi pranë sofrës. Pastaj Pejgamberi a.s. i tregoi për mënyrën e ngrënies dhe normat e saj. Duke pasur parasysh këtë, sahanët në manifestimet e tyre i merrnin fëmijët, sidomos në manifestimet që merrte pjesë edhe vetë Pejgamberi s.a.v.s. Kështu, fëmijët e tyre në këto manifestime përfitonin gjëra të mira, njohuri të dobishme, rregulla dhe norma të përgjithshme. Ata fëmijë gjithashtu përfitonin në mënyrë graduale cilësi dhe virtyte të burrërisë.

Koha kur fëmija është i sëmurë

Sëmundja i zbut zemrat e njerëzve në përgjithësi, e jo më zemrat e fëmijëve, që zemrën e kanë të mbushur plot me butësi dhe janë në formim e sipër. Kur sëmuret, fëmija në veten e tij bashkon dy karaktere natyrore e të mëdha, që i shërbejnë në përmirësimin e gabimeve, të moralit dhe të bindjes së tij. Ato janë karakteri natyror i fëmijërisë dhe karakteri i zbutjes së zemrës dhe shpirtit. Për këtë më së miri na ka udhëzuar Pejgamberi s.a.v.s., i cili kishte vizituar një fëmijë hebre, që ishte i sëmurë, dhe e kishte thirrur ta pranonte Islamin. Kjo vizitë ishte qetësi për atë fëmijë. Enesi r.a. thotë: “Një i ri hebre i kishte shërbyer Pejgamberit s.a.v.s., pastaj ishte sëmurë. Pejgamberi s.a.v.s. i shkoi për vizitë (në shtëpinë e tij), dhe u ul te koka e tij e i tha: “Pranoje Islamin (se je i shpëtuar)”. Fëmija po shikonte prindin e tij. Ai (prindi) i tha: “Dëgjoje Ebu Kasimin-Pejgamberin s.a.v.s.!” Pastaj ai e pranoi Islamin. Pastaj Pejgamberi s.a.v.s. u kthye duke thënë: “Falënderimi i takon vetëm Allahut, I Cili e shpëtoi atë nga zjarri.”(8) Nga kjo thënie profetike shihet se si i riu i kishte shërbyer Pejgamberit s.a.v.s. Ai ende nuk e kishte ftuar në Islam përderisa gjeti kohën e përshtatshme për ta ftuar. Kjo kohë e përshtatshme ishte vizita e fëmijës kur ishte i sëmurë. Kjo thirrje e Pejgamberit s.a.v.s. na shërben si model për durim dhe urtësi për thirrjen islame. E, në veçanti, na tregon se kur është koha më e përshtatshme për mbjelljen e imanit, për zhvillimin e edukatës së mirë në kohën e mirë. Fëmija është libri nga i cili lexojmë dhe në të cilin duhet të shkruajmë. T’ia lexojmë sjelljet dhe t’ ia shkruajmë edukatën. Këto ishin tri kohët kryesore më të përshtatshme në udhëzimin, edukimin dhe ndërtim të personalitetit të fëmijës.
Ka edhe kohë të tjera, të cilat varësisht nga ambienti, rrethanat dhe kushtet do t’u shërbenin prindërve për zhvillim dhe edukim të fëmijëve të tyre. Një fjalë e urtë thotë: “Mos i korrigjo në mënyrë shumë të vrazhdë gabimet e fëmijëve të tu, sepse edhe kopshtari kujdeset që të mos i shkundë fidanët para se ato të kenë lëshuar mirë rrënjë.” (Vijon)

___________________
(1) “Sahihul Buhari”, vëll. XIV, f. 447, nr. 4402.
(2) “Sunen Et-Tirmidhij”, vëll. VII, f. 155, nr. 1842.
(3) “Musned Ahmed”, vëll. XX, f. 3, nr. 9460.
(4) “Sahihul Buhari”, vëll. III, f. 112, nr. 658.
(5) Muhamed Kutub, Metoda e edukimit islam, vëll. 2, f. 117.
(6) En-Nesaij, “Es-Sunen el-kubra”, vëll. V, f. 374.
(6) “Sahihul Buhari”, vëll. XVI, f. 470, nr. 4957.
(7) “Sahihul Buhari”, vëll. V, f. 141, nr. 1268.

Prof. As. Dr. Musa Vila

Sa i dobishëm ishte ky post?

Klikoni mbi një yll për ta vlerësuar!

Vleresim mesatar 0 / 5. Numri i votave: 0

Asnjë votim deri më tani! Bëhu i pari që vlerëson këtë postim.

LINQET E RRJETEVE SOCIALE - Facebook Ndihmoni Të Varferit