Albanian Arabic Bulgarian Croatian English French German Greek Italian Japanese Macedonian Norwegian Portuguese Serbian Slovenian Swedish Turkish

Nuk më pengon shamia për të lobuar për Kosovën

Gusht, 2010 | 16:48

Unë jam nga Kosova.

E falënderoj Allahun e Madhërishëm që ma bëri të mundur të arrijë këtë sukses dhe të realizojë këtë ëndërr, pikërisht në vendin ku një bashkatdhetar i imi, pra Mehmet Isaja, i cili para më shumë së 300 vitesh e projektoi Taxh Mahallin, një nga mrekullitë më të çuditshme të botës, me të cilën sot shteti i juaj krenohet dhe njihet anë e mbarë botës dhe po ashtu edhe nga vendi im Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Shqiptarët dhe India pra, njihen që më tepër se tre shekuj mes veti. Prandaj e lus dhe e ftoj qeverinë e shtetit të Indisë që kjo lidhje mes nesh të forcohet duke e njohur sa më parë shtetin tim – Kosovën…

 

Intervistë me studenten e dalluar Nora Hysenaj
Intervistoi: Avni Xhemajli

 

Nuk është James Berisha i vetmi që bën përpjekje përtej mundësive njerëzore për të lobuar për njohjen e shtetit të Kosovës në vende që ende nuk e kanë njohur atë. Përpjekje të ngjashme, megjithëse ende studente, i gjejmë edhe të Nora Hysenaj, një vajzë me shami e cila i ndjek studimet e saj në një vend shumë larg Kosovës, në vitin e katërt të fakultetit juridik në Universitetin Ndërkombëtar Islamik në Malajzi. Dallimi mes James-it dhe Nores është se, James-i duke qenë se është pilot bëri dhe është i gatshëm të bëjë lobim duke fluturuar mbi hapësirat ajrore të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me sloganin e shënuar në aeroplanin e tij: “Please Recognize The Independence of Kosovo” -“Ju lutëm njiheni pavarësinë e Kosovës”; kurse Nora Hysenaj ndikimin e saj përpiqet ta ushtroj përmes pjesëmarrjes në aktivitete të garave të ndryshme të dijes, të atyre nacionale brenda Malajzisë dhe të atyre ndërkombëtare, duke synuar në këtë mënyrë t’i sfidojë kundërshtarët e saj në atë që do të mund të quhej arenë e dijes. Por ajo që James Berishën dhe Nora Hysenajn prapë i bashkon, është se asnjëri prej tyre nuk kanë gëzuar kurrfarë mbështetje institucionale për punën dhe aktivitetet e tyre që po përpiqen t’i bëjnë në dobi të shtetit tonë të ri.

 

Ju lutëm, a mund të prezantoheni shkurt?

 

Nora: Unë jam Nora Hysenaj me prejardhje nga Plava – Mali i Zi. Shkollën fillore e kam kryer në Plavë, ndërsa shkollimin e mesëm e kam përfunduar në medresenë e mesme “Alauddin” në Prishtinë. Tani jam studente e vitit të katërt, fakulteti juridik, Universiteti Ndërkombëtar Islamik në Malajzi.

 

Arsimimi i juaj i mesëm sikundër e përmendet është medreseja “Alauddin” në Prishtinë. Çfarë domethënë për ju mbulesa islame, respektivisht çfarë paraqet ajo për një vajzë apo një grua myslimane dhe a do të mund ta paramendoni jetën tuaj pa mbulesë dhe nëse jo, përse?

 

Nora: Siç e dimë të gjithë, mbulesa është një obligim fetar të cilin duhet ta zbatojnë të gjitha femrat myslimane të moshës madhore. Mbulesa islame është një mburojë e intimitetit të femrës nga syri i publikut. Ajo është shenjë e modestisë dhe mbrojtje e dinjitetit të femrës. Me një fjalë, mbulesa është pjesë e pandarë e identitetit të femrës myslimane. Në anën tjetër, njeriu që zhvishet nga identiteti shumëshekullor i popullit të tij, rrezikon të asimilohet, është jo origjinal, në një mënyrë i pavlerë dhe si i tillë pasues i verbër i së huajës. Ai që me vet dëshirën e tij zhvishet nga identiteti, është njeri që në fakt nuk e respekton dhe nuk e vlerëson veçantinë e asaj që trashëgoi brez pas brezi. Njerëzit e tillë, i kërcënojnë vlerat autentike të një populli, madje edhe shuarjen e tij duke i përmbysur kështu vlerat që ka dhe që e dallojnë në esencë nga popujt e tjerë. Prandaj, ai që tëhuajsohet ‘vdes’, sepse njeriu i tillë do të konsiderohet si një personalitet i dobët, bosh, i paqëndrueshëm që lëkundet dhe pason erën kah të fryn! Për arsyet e përmendura më lart, unë nuk do të mund të paramendoja jetën time pa mbulesën islame.

 

Që 3 vite ju studioni fakultetin e drejtësisë në Malajzi. Sa e konsideroni të drejtë Udhëzimin Administrativ Nr. 6/2010 që është aprovuar më dt.: 11.05.2010 nga MASHT-i për ndalimin e vijimit të rregullt të procesit mësimor në shkollat e mesme publike për vajzat që bartin mbulesën islame sikur që e bartni edhe ju; dhe se a mendoni që ky udhëzim administrativ duhet të shfuqizohet dhe nëse po, përse?

 

Nora: Udhëzimi Administrativ Nr. 6/2010 i aprovuar nga MASHT-i, që ndalon vijimin e rregullt të procesit mësimor të shkollimit të mesëm për vajzat me mbulesë, e shoh si të pabazë dhe antikushtetues. Pasi kushtetuta është akti më i lartë juridik i një shteti, çdo ligj apo dispozitë nënligjore duhet të jetë në harmoni dhe pajtim më të. Nga kjo rrjedh se çdo ligj apo akt nënligjor që është në kundërshtim me kushtetutën, herët ose vonë do të ketë fatin dështues. Po ashtu, MASHT-i që paraqiti dhe aprovoi këtë udhëzim administrativ, ka bërë një akt në tejkalim të kompetencave (ultra vires) si dhe vet udhëzimi administrativ është një dispozitë nënligjore ultra vires – në kundërshtim me kushtetutën. Në lidhje me këtë, po që se ndalemi vetëm të neni 38, paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku thotë: “Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë pjesë në praktikimin e fesë si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij/saj.” shihet qartë se udhëzimi administrativ në fjalë bije direkt ndesh me kushtetutën. Njëjtë bije ndesh edhe me të gjitha konventat ndërkombëtare të cilat janë të adaptuara në nenin 22 të Kushtetutës së RKS, si p.sh. me “Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut” dhe me “Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj”. Këto argumente dhe fakte të tjera si këto me bazë të plotfuqishme juridike, nuk i lejnë vend udhëzimit administrativ në fjalë, dhe si i tillë, është mirë që ai të shfuqizohet sa më parë nga vet autoritetet përgjegjëse, për të mos e detyruar që kjo lëndë të shkojë, po e them pa nevojë, në Gjykatën Kushtetuese.

 

Në lidhje me çështjen e shamisë që është bërë së fundi temë e nxehtë debati në Kosovë, ju në Prill 2010 në bashkëpunim me rrjetin e gazetarisë hulumtuese BIRN, e keni bërë një raport në lidhje me rastin e Arjeta Halimit e përjashtuar nga shkolla “Kuvendi i Lezhës” në Viti, për shkak të mbulesës; e cila, edhe pse Gjykata e Qarkut në Gjilan pati marrë vendim për kthimin e saj në procesin e rregullt mësimor, nuk mundi të kthehej në shkollë, pasi u pengua nga Drejtori Komunal i Arsimit, Fehri Qerimi. A mund të na tregoni shkurt se cilat ishin reagimet qoftë të profesorëve, qoftë të kolegëve tuaj në Malajzi, kur dëgjuan se vendimi që del prej një gjykate shkelet dhe nuk përfillet nga ana e një drejtori?

 

Nora: Është e vërtetë se raporti i lartpërmendur doli si rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm me rrjetin e gazetarisë hulumtuese BIRN, i cili u publikua edhe në ueb-faqen e BIRN-it. Është po ashtu e saktë, që raportin tim e kam prezantuar në universitet, ku u testua edhe për nivelin e tij akademik. Profesorët dhe kolegët e universitetit ishin sa të befasuar po aq edhe të shqetësuar për gjendjen alarmuese të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë. Ata nuk mund të perceptonin, si është e mundur, që në një shtet demokratik dhe me popullsi shumicë myslimane prej 98%, të adoptohet një dispozitë e tillë nënligjore diskriminuese, posaçërisht kur e drejta për manifestimin e fesë lidhet drejtpërdrejt me të drejtën për edukim. Shqetësimi i tyre ishte edhe më i thellë kur nga këto masa diskriminuese preket gjinia femërore, ajo që ndërton bazat e një familjeje dhe shoqërie të shëndoshë. Mospërfillja e vendimit të gjykatës nga ana e një drejtori, sipas tyre, është fyerje e trupit gjykues që përbën vepër penale në vete. Fakti që gjyqi nuk ndërmerr masa ndaj drejtorit i cili refuzon të zbatojë vendimin në fjalë, dëshmon për dobësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe mungesën e masave që garantojnë zbatimin e ligjit.

 

Prej 14 deri më 21 Maj, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu qëndroi në një vizitë zyrtare në Malajzi, ku u mbajt Forumi Ekonomik Islamik Botëror me pjesëmarrje të përfaqësuesve të 62 shteteve të ndryshme të botës. Ju u takuat me presidentin Sejdiu dhe e shfrytëzuat rastin të apeloni të i pari i vendit për lejimin e vazhdimit të procesit të rregullt mësimor të vajzave si Arjeta Halimi dhe Arlinda Zeka, që u përjashtuan më herët nga shkolla për shkak të mbajtjes së mbulesës islame. A mundeni shkurt të na tregoni se çfarë i thatë presidentit?

 

Nora: Vërtet, presidenti Sejdiu dhe delegatët e tjerë nga Kosova morën pjesë në Forumin Ekonomik Islamik Botëror që u mbajt në kryeqytetin e Malajzisë në Kuala Lumpur. Presidenti shfrytëzoi rastin për t’i ftuar biznesmenët e huaj që të investojnë në Kosovë, dhe mes tjerash, t’i falënderojë të gjitha ato shtete që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa shtetet e tjera që ende nuk e kanë njohur, i ftoi ta marrin këtë hap sa më parë. Studentët kosovarë që studiojnë në universitetet e ndryshme të Malajzisë patën një takim të veçantë me presidentin dhe zyrtarët e tjerë, ku ne shfrytëzuam rastin të shprehim shqetësimin tonë të thellë për problemin e mbulesës islame në Kosovë. Aktet e tilla i vlerësuam si shkelje flagrante e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si mohim të karakterit demokratik të shtetit të Kosovës dhe barrierë në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ne po ashtu e potencuam faktin e hidhur se në kohërat e errëta për Kosovën sa ishim nën sundimin serbo-sllav, ishte pushteti diktatorial serb ai që i ndalonte shqiptarët nga shkolla, ndërsa sot, për fat të keq, e drejta për shkollim shqiptarëve po u cenohet prej vet institucioneve tona. Fare në fund, ne kërkuam nga presidenti që qeveria e Kosovës të ndërmarr masa në zgjidhjen e çështjes në fjalë dhe parandalimin e incidenteve të tilla në të ardhmen.

 

Meqenëse opinioni publik nuk e njeh qëndrimin e presidentit të Kosovës në lidhje me këtë problematikë, na tregoni shkurt se cili ishte qëndrimi dhe përgjigjja e tij lidhur me këtë çështje? A u dha shpresë së kjo çështje do të përmbyllet në të mirën e vajzave të mbuluara?

 

Nora: Fillimisht, presidenti dhe delegatët kanë qenë të befasuar nga reagimi ynë, veçanërisht kur ky reagim erdhi prej një vajze me mbulesë, gjë që neve na e la përshtypjen se ende janë prezente paragjykimet nënvlerësuese ndaj vajzave me shamia dhe dyshimi në potencialin e tyre për të dhënë një kontribut të çmuar e progresiv për shoqërinë kosovare dhe më gjerë. Presidenti Sejdiu nuk dha ndonjë premtim apo përgjigje konkrete për zgjidhjen e problemit të cekur. Megjithatë ai theksoi se mënyra e veshjes është e drejtë e secilit, qoftë me shami apo pa të. Një tolerancë të tillë të zgjedhjes personale ai e theksoi edhe para nesh se e kishte vërejtur edhe në Malajzi gjatë pjesëmarrjes së tij në forumin e lartë përmendur, gjë që i kishte bërë përshtypje të veçantë. Megjithatë, presidenti Sejdiu nuk tha se mbajtja e mbulesës islame në shkolla publike është antikushtetuese, gjë që i hedh poshtë pretendimet e ngjashme të zyrtarëve të MASHT-it.

 

Gazeta e përditshme Epoka e Re para 6-7 muajsh si e vetmja gazetë në një artikull të shkurtë pati dhenë lajmin se ju kishit arritur të merrni vendin e dytë në garën nacionale në nivel të Malajzisë për të Drejtën Ndërkombëtare Humane dhe për të Drejtën Penale Ndërkombëtare, shkathtësi gjyqësore këto të cilat në fakt ushtrohen vetëm në Tribunalin e Hagës, në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, në institutet dhe në universitetet e mëdha me renome botërore. Si e mirëpriten profesorët dhe koleget tuaj që një vajzë e huaj të shënojë këtë sukses dhe çfarë ndjenje ishte të merrje pjesë në këto gara si e vetmja shqiptare? Dhe a kishit ndonjë motiv të veçantë që ju shtyri të arrini këtë sukses?

 

Nora: Në lidhje me atë që më pyesni, dëshiroj të theksoj se studentët e universitetit tonë vërtet shquhen në përgatitjen e lartë të shkathtësive gjyqësore, dhe kjo është dëshmuar me sukseset e njëpasnjëshme në garat ndërkombëtare. Profesorët dhe kolegët kanë qenë tejet të lumtur për një përfaqësim dinjitoz, pasi këto suksese përveç tjerash, kanë ndikuar në ngritjen e reputacionit dhe në imazhin e universitetit. Ndërsa për mua, pjesëmarrja në këto gara kishte rëndësi dhe kuptim më të gjerë. Si pjesëmarrëse e vetme shqiptare në mesin e studentëve garues, përveç universitetit, unë e ndjeja se po e përfaqësoja edhe shtetin tim Kosovën. Dhe pikërisht ky duhet të ketë qenë motivi brenda vetës sime për arritjen e këtij suksesi në atë garë. Sepse kam dashur të jap një kontribut sado të vogël për Kosovën, posaçërisht kur ajo gjendet në fazën e konsolidimit, të shtet-ndërtimit dhe përpjekjes për arritjen e njohjeve të reja, dhe këtë të fundit sidomos nga vendet aziatike ku ende kanë mbetur edhe shumë shtete pa e njohur atë. Por edhe për një arsye tjetër, që Kosova ta tejkalojë sa më parë kohën e tranzicionit të pas pavarësisë dhe që në këtë mënyrë të shënojë një zhvillim të përgjithshëm në të gjitha sferat. Njësoj dëshiroj që edhe në të ardhmen të jap kontributin tim përmes pjesëmarrjes në gara të tilla.

 

Cilat mund të jenë arsyet pse një ngjarjeje të tillë i jepet kaq pak hapësirë prej mediave tona? A mendoni se kjo sjellje e mediave tona, jo vetëm në rastin tuaj por edhe në raste të tjera, si shkak kryesor mund të jetë mbulesa; si dhe a duhet dhe si mund të ndryshojë kjo qasje jo e drejtë e tyre ndaj femrës me mbulesë?

 

Nora: Sigurisht se faktorët mund të jenë të shumtë si dhe të ndryshëm që s’do të mund t’ia preknim fundin edhe po ta trajtonim me orë të tera këtë problematikë. Por në thelb mendoj se, arsyeja është se ne nuk kemi media të lira, me fjalë të tjera mediat tek ne, me ndonjë përjashtim, përgjithësisht janë të influencuara nga qarqe të ndryshme klanore dhe politike nga brenda si dhe nga jashtë. Dhe derisa është kështu, do të jetë vështirë të krijohen media të balancuara dhe me qasje të drejtë, siç do t’i dëshironit jo vetëm ju, por edhe i gjithë opinioni publik. Kurse kur pyesni se a duhet dhe si mund të ndryshojë kjo qasje jo e drejtë ndaj femrës me mbulesë, në mungesë të ndonjë shembulli konkret mendoj se Epoka e Re që e pati dhenë lajmin për arritjen e suksesit tonë në garën që e përmendet më herët, mund të shërbejë si një shembull i mirë për mediat e tjera për ndryshimin e qasjes ndaj vajzave me mbulesë. Shpresoj që ky të jetë një hap përpara drejt lirisë se mediave, të cilat mund të luajnë një rol shumë te rëndësishëm në formësimin e një shoqërie demokratike të emancipuar, të lirë dhe të barabartë.

 

Në lidhje me problemin e mbulesës islame në vendin tonë, a mendoni se Kosova mund ta merr për model Malajzinë, për zgjedhjen e këtij problemi në rrafshin e edukimit dhe mënyrën e trajtimit të drejtë të femrave me mbulesë?

 

Nora: Po, pajtohem plotësisht se Kosova mund ta merr Malajzinë për model, si në rrafshin e edukimit, po ashtu edhe për trajtimin e drejtë të femrave me mbulesë. Është interesant se Malajzia ka dy Ministri të Arsimit, gjë që dëshmon kujdesin e veçantë që ajo i kushton edukimit.
Fakti që sot, në shekullin XXI, ende ka shtete që adoptojnë sjellje të së kaluarës komuniste, rasti konkret në vendin tonë, duke i penguar në këtë mënyrë disa vajza qoftë totalisht apo pjesërisht nga e drejta e tyre për shkollim apo punësim shkaku i veshjes së tyre modeste, është një akt i ulët e diskriminues, që nuk përkon aspak me realitetin e kohës së globalizmit dhe të instancave drejt të cilave Kosova synon të integrohet. Është e rëndësishme për t’u theksuar se Malajzia është një shtet sekular, me rreth 60% të popullsisë myslimane, mirëpo megjithatë është një shtet demokratik me plot kuptimin e fjalës, ku askujt nuk iu shkelën të drejtat, si dhe ku vajzat me mbulesë janë maksimalisht aktive edhe në progresin dhe zhvillimin e shtetit, prej të cilave gjen personalitete të larta të profileve të ndryshme, si për shembull: Mjeke, profesoresha në universitete, ekonomiste, inxhiniere, avokate dhe po ashtu këshilltare në kabinetin e kryeministrit.

 


Në çka aludoni kur thoni se këto vajza privohen “totalisht apo pjesërisht” nga e drejta për shkollim?

 

Nora: Në disa debate publike në media, thuhet nga disa zyrtarë të MASHT-it se udhëzimi administrativ 6/2010 nuk i privon vajzat me mbulesë nga e drejta për edukim, duke thënë se ato janë të lejuara të marrin provimet me korrespodencë. Sipas mendimit tim, një arsyetim i tillë është tejet i palogjikshëm dhe i papranueshëm. Procesi i edukimit nuk definohet si ‘lexim i librit dhe dhënie e provimit’ por është një proces delikat që në vete përmban disiplinimin e nxënësit nga ana morale, formimin e karakterit të një qytetari të denjë, socializmi dhe shoqërimi me nxënësit e tjerë, si dhe përvojën që nxënësi e merr nga kontakti dhe ballafaqimi i tij i drejtpërdrejtë me moshatarët e vet. Kështu MASHT-i, nga një institucion që do të duhej të jep mundin maksimal për çrrënjosjen e analfabetizmit, fatkeqësisht po shndërrohet në një institucion që shkakton dhe e stimulon vet analfabetizmin. Si rezultat, ky institucion në mënyrë indirekte i privon këto vajza nga e drejta për edukim, duke ua shuar atyre entuziazmin për kërkimin e dijes dhe shkencës. Andaj kur them se këto vajza “privohen pjesërisht ose totalisht” nga e drejta për shkollim, aludoj që me këtë shprehje t’i përfshijë interpretimet jo të drejta përkitazi me udhëzimin administrativ nga ana e disa zyrtarëve të MASHT-it, siç është për shembull, z. Nehat Mustafa.

 

Shihet se ju qenkeni një ‘kalorëse’ e denjë në mbrojtjen e të drejtave të femrës. A mund të na e jepni pra një shembull konkret të një femre të suksesshme malajziane që është e njohur ndërkombëtarisht?

 

Nora: Mendoni se keni shtruar një pyetje sfiduese që nuk mund t’i jepet përgjigje? E them se pyetja në fakt është fare e lehtë. Do ta marrë vetëm një shembull: Para se ta përmendi personin në fjalë, vlen për t’u theksuar se Malajzia është prej shteteve të para të botës që dërguan një delegacion të përberë prej një numri të caktuar mjekësh për t’ua kushtuar vëmendjen e veçantë nevojave humanitare të popullit në Kosovën e pasluftës. Prej tyre, Dr. Jemilah Mahmood, ish-udhëheqëse e organizatës joqeveritare Mercy Malaysia – Mëshira e Malajzisë, sot mban postin e shefit regjional në degën për çështje humanitare, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Ndoshta kjo mund të shkaktojë çudi tek disa lexues por, Dr. Jemilah e mban mbulesën islame. Andaj MASHT-i dhe MSHP-ja me nxjerrjen e udhëzimeve administrative, të cilat i privojnë femrat me mbulesë nga e drejta elementare për edukimin e mesëm dhe punësimin në institucionet publike, ua limitojnë ose ua pamundësojnë atyre aktivizimin e mundshëm në të ardhmen, si në rrafshin kombëtar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

 

Si studente e dalluar e fakultetit të drejtësisë që jeni, a mund të na tregoni edhe një gjë: Cilat janë disa nga të drejtat që feja islame ia garanton dhe ia siguron gruas, e të cilat gruaja nuk mund t’i has tek civilizimet e tjera, si dhe a mund të jenë pikërisht këto prej arsyeve që në bazë të statistikave tre prej katër njerëzve në botë që sot konvertohen në Islam janë femra?

 

Nora: Feja islame i garanton gruas të drejta të njëjta me mashkullin; të lidhë marrëveshje, të prodhojë, të fitojë, të posedojë pasuri në mënyrë të pavarur. Jeta e saj, prona e saj dhe nderi i saj janë njësoj të shenjta si ato të mashkullit. Por, edhe Islami i jep përparësi respektimit të nenës tri herë më shumë sesa babait, duke pasur parasysh vështirësitë nëpër të cilat nëna kalon në shtatzëni, në lindje dhe edukim të fëmijëve. Për këtë arsye, Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Xhenneti është nën këmbët e nënës.” Me një fjalë, Islami e liron gruan nga tirania moderne dhe pseudoemancipimi perëndimor, andaj ndoshta edhe ky mund të jetë shkaku që i shtyn femrat e perëndimit të konvertohen në Islam në një masë dukshëm më të madhe sesa vet meshkujt, gjë që tregon se femrat në perëndim nuk janë edhe gjithaq të lira siç pretendohet dhe proklamohet në kontinuitet. Por sigurisht kjo ndodh edhe për arsye se Islami është fe e pastër monoteiste, ku e vërteta është e dalluar nga e pavërteta, fe e vullnetit të lirë të individit dhe jo e imponimit, por e tolerancës, e paqes dhe e mirëkuptimit me civilizimet dhe me fetë e tjera.

 

Malajzia ka qenë prej shteteve të para që e ka njohur shtetin e Kosovës dhe e përmendet edhe më herët se ajo e ka ndihmuar Kosovën menjëherë qysh prej kohës së pasluftës. Sa është e nevojshme për shqiptarët e atjeshëm që të hapet ambasada e Republikës së Kosovës në Malajzi dhe sa do të ndikonte kjo në shtimin e njohjeve për Kosovën edhe nga shtete të tjera mike të Malajzisë?

 

Nora: Malajzia si shtet i zhvilluar ekonomikisht dhe me një treg të madh konsumi prej afro 29 milion banor, ka ndikim të madh në shumë shtete që nuk e kanë njohur ende Kosovën, posaçërisht në shtetet e Organizatës se Konferencës Islamike (OKI). Kur e kemi parasysh se prej gjithsejtë 57 shteteve të OKI-së sa janë, vetëm 17 prej tyre deri më tani e kanë njohur Kosovën, do të duhej që sa më parë të akreditohej ambasadori i Kosovës në Malajzi, për arritjen edhe të njohjeve të tjera prej 40 shteteve të mbetura nga OKI-ja, që do të mund të finalizoheshin më lehtë dhe më shpejtë në një koordinim të ngushtë me shtetin e Malajzisë. Por do të duhej bërë edhe për arsye të pozitës gjeostrategjike që e ka Malajzia në kontinentin e Azisë dhe për shkak të lidhjeve të saj të mëdha me botën. Hapja e ambasadës do t’i forconte lidhjet diplomatike në mes të dy shteteve, duke realizuar në këtë mënyrë marrëveshje të frytshme bashkëpunimi në fusha të ndryshme, posaçërisht në ekonomi dhe arsim, pasi këta dy faktorë luajtën rrolin kyç në zhvillimin e shtetit të Malajzisë. Përveç kësaj, ambasada e Kosovës në Malajzi do të bëhej urë lidhëse në mes të shqiptarëve kosovarë që jetojnë e veprojnë këtu dhe institucioneve të Malajzisë, gjë që do t’ua mundësonte integrimin e tyre më të madh dhe më të shpejtë në jetën shoqërore, kulturore dhe ekonomike të vendit.

 

Përveç studimeve që i keni përsipër, ju tani jeni duke u përgatitur për garat e ardhshme që do të mbahen në muajin gusht ndërmjet universiteteve të Malajzisë për të Drejtën Tregtare Ndërkombëtare. Fituesit e kësaj gare në nëntor të vitit 2010 do ta përfaqësojnë shtetin e Malajzisë në garat ndërkombëtare që do të mbahen në Indi. Sigurisht se keni shpenzime, prej të cilave një pjesë të caktuar duhet të paguani vet. Deri më tani a keni pranuar ndonjë mbështetje materiale për aktivitetet tuaja nga ndonjë donator apo nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës që janë përgjegjëse në këtë rrafsh, pasi në këto gara, në një mënyrë ju e prezantoni edhe Kosovën, që është edhe në të mirë të saj?

 

Nora: Besoj që është në të mirë të Kosovës, sepse vitin e kaluar kudo që kemi marrë pjesë në gara anë e kënd Malajzisë, thuajse të gjithë më pyesnin se prej nga jam. Me rastin që e kuptonin që jam nga Mali i Zi, respektivisht nga Kosova, vëreja se pjesa dërmuese kishin dëgjuar për Kosovën dhe gjëja e parë që bënin, ishte se më uronin për pavarësisë; kurse të tjerët, shtetet e të cilëve nuk e kishin njohur ende Kosovën shtet, përveç urimeve luteshin me plot zemër që edhe shtetet e tyre të e njohin Kosovën sa më parë. Ndërsa, sa i përket shpenzimeve, po, kemi shpenzime dhe se një pjesë bukur të madhe duhet t’i mbulojmë vet. Kurse sa i përket donatorëve apo mbështetjes institucioneve nga shteti ynë, që ju pyesni, jo nuk kemi pasur kurrfarë mbështetje.

 

Nëse ju arrini të kualifikoheni në këto gara, ju do të merrni pjesë në garat ndërkombëtare që do të mbahen në muajin nëntor 2010 në Indi. Çfarë do të ishin fjalët e para që do t’i kishit thënë ju para mediave në Nju Delhi, po që se arrini të korrni fitore apo ndonjë vend të lartë në atë garë?

 

Nora: O pyetje vërtet interesante, sa e lehtë aq edhe e vështirë për t’i dhenë përgjigje. Në rrethanat në të cilat gjendet sot Kosova, ku secili individ duhet ta jep kontributin për shtet-ndërtimin e vendit dhe shtetit tonë të ri, besoj se nuk do të mund të zgjidhja fjalë tjera përveç këtyre: “Unë jam nga Kosova. E falënderoj Allahun e Madhërishëm që ma bëri të mundur të arrijë këtë sukses dhe të realizojë këtë ëndërr, pikërisht në vendin ku një bashkatdhetar i imi, pra Mehmet Isaja, i cili para më shumë së 300 vitesh e projektoi Taxh Mahallin, një nga mrekullitë më të çuditshme të botës, me të cilën sot shteti i juaj krenohet dhe njihet anë e mbarë botës dhe po ashtu edhe nga vendi im Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Shqiptarët dhe India pra, njihen që më tepër se tre shekuj mes veti. Prandaj e lus dhe e ftoj qeverinë e shtetit të Indisë që kjo lidhje mes nesh të forcohet duke e njohur sa më parë shtetin tim – Kosovën. Ju faleminderit!”. – Besoj se ky do të mund të ishte opinioni im drejtuar mediave, në një ditë të lumtur si ajo. Çdo fjalë tjetër do të ishte një luks, që s’do të duhej askush prej nesh t’ia lejonte vetes.

 

Duke iu dëshiruar suksese në garat tuaja të dijes, ku përveç Malajzisë do ta përfaqësoni edhe Kosovën, për fund ju lusim edhe për një porosi.

 

Nora: Për fund, do të dëshiroja ta citoj një pjesë nga fjalimi historik i presidentit amerikan, Barak Obama, i mbajtur vitin e kaluar në universitetin e El-Ezherit në Kajro. Ai thotë: “E refuzoj mendimin e disave në perëndim se gruaja e cila zgjedh t’i mbulojë flokët e saj është më pak e barabartë, por besoj fuqishëm se femrës të cilës i ndalohet shkollimi, i është ndaluar barazia”. Mjafton ta pasojmë sugjerimin e presidentit amerikan Barak Obama dhe të dëshmojmë se jemi një shtet demokratik në kuptimin e plotë të fjalës. Ju faleminderit!

Read 8537 times Last modified on E premte, 07 Mars 2014 20:02
Published in Intervista
Rate this item
(0 votes)
Super User

Nam commodo libero eget massa pulvinar nec bibendum odio vehicula. Integer eget gravida neque. Nunc porta, mi vel fringilla convallis, risus leo ultrices ante

Website: smartaddons.com
Login to post comments

Reklama e juaj